Florim Sahiti kërkon mbështetje nga Qeveria për fakultetet në Medvegjë

0
Medvegje – Zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës Florim Sahiti sot ka qëndruar për vizitë pune në Beograd me ç’rast është takuar me kryetarin e Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, dekanët e dy fakulteteve të Universitetit të Nishit, të fakultetit ekonomik dhe atij juridik, si dhe me përfaqësuesit e Ministrisë së arsimit dhe të Qeverisë të Republikës së Serbisë lidhur me funksionimin e fakulteteve në Medvegjë.
Medvedja, SO, 1“Fakultetet në Medvegjë janë çështje jetësore për shqiptarët e komunës sonë. Funksionimi i tyre ndihmon në parandalimin e shpërnguljes së mëtejme të popullatës shqiptare, ndërsa njëherit mundëson formimin e kuadrove të rinj të nevojshëm për zhvillimin e ardhshëm të komunës sonë”, ka thënë Sahiti. Ndër të tjera, në takimin e sotëm, zëvendëskryetari para përfaqësuesve të Qeverisë dhe dekanëve ka prezantuar vizionin e tij për funksionimin e mëtejmë të fakulteteve në Medvegjë për çka është paraparë formimi i një agjencioni për administratën e fakultetit dhe përkthyesit nga gjuha serbe në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Parashikohet se me formimin e këtij agjencioni do të zgjidhej çështja e kontratave të të punësuarve, me ç’rast do të lidheshin kontrata permanente, afatgjata e jo afatshkurtëra si deri më tani, me çka do të arrihej zgjidhja e pengesave administrative e mbi të gjitha, do të joshej rinia për të vijuar fakultetin. Të pranishmit në takimin e sotëm kanë mbështetur këtë iniciativë, ndërsa z. Sahiti, siç thotë, ka besimin e plotë se Qeveria do të vazhdojë të suportojë fakultetet në Medvegjë. Siç kemi mësuar, pas 10 ditësh sërish pritet të mbahet një takim në nivel qeveritar për konkretizimin e marrëveshjes dhe për sigurimin e funksionimit të papenguar të fakulteteve në të ardhmen. Vlen të theksohet se fakultetet e Universitetit të Nishit në Medvegjë, fakulteti ekonomik dhe ai juridik janë hapur në vitin 2009, mësimi zhvillohet në gjuhën serbe dhe shqipe ndërsa për momentin ka rreth 260 studentë të regjistruar. (mepress.info)

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com