FEDERALIZIMI I MAQEDONISË, ZGJIDHJA MË E MIRË PËR SHQIPTARËT

0

“Federalizimi i Maqedonisë është kusht pa të cilin nuk mundet dhe mbetet zgjidhja më e mirë për shqiptarët atje” vlerëson politologia Albulena Halili

rtk

Në një intervistë për Radio Kosovën, Albulena Haliti thotë se marrëveshja e Ohrit tashmë është e vdekur, ndërsa drejtuesit e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni duhet të sillen si lider të një kombi shtetformues. Sipas saj, ngjarjet e fundit në Kumanovë ndodhën si pasojë e problemeve të vjetra me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoni.

Radio Kosova: Disa ditë më parë, në Kumanovë ndodhi një përleshje mes një grupi të armatosur shqiptarësh dhe forcave ushtarake e policore maqedonase. U vranë disa persona nga të dy palët dhe u plagosën disa të tjerë. Policia arrestoi dhjetëra persona ndërsa dëmet materiale në shtëpitë e shqiptarëve janë shumë të mëdha. . Si i vlerësoni ju atë që ndodhi në Kumanovë?
Albulena Halili: Incidentet e reja zakonisht vijnë si pasojë e problemeve të vjetra. Në shtetet me karakter etnik gjithmonë shfaqen antagonizma etnik të cilat me kalimin e kohës bartin pasojë dhe zgjerohen në probleme me dimensione edhe përtej kufijve shtetëror. Incidentet që ndodhën, të cilat unë kujtoj se me këtë mendësi politike nuk do të jenë të fundit, dëshmojnë se nomenklatura politike në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë është e ngarkuar psiqikisht me një mendësi ideologjike të shekullit të kaluar dhe si pasojë e saj, ka ngecur edhe transformimi i kulturës politike. Mungesa e transformimit të kulturës politike në një shtet shumetnik prodhon antagonizma etnik, ekonomik, psikologjik të cilat pastaj manifestohen me veprime primitive që pa dyshim prishin ekuilibrin shoqëror. Natyrisht që ka një përpjekje të madhe prej strukturave të shtetit, që janë të ndërlidhura objektivisht me strukturat e pushtetit në Serbi të cilat kanë depërtuar thellë në struktura shtetërore të Maqedonisë fatkeqësisht, dhe duke qenë se Maqedonia ishte pjesë përbërëse e Jugosllavisë, në Maqedoni u eksperimentuan të gjitha strategjitë dhe projektet antishqiptare. Po ashtu në Maqedoni, nga ajo periudhë, ka ekzistuar një strukturë shumë profesionale që ka hulumtuar në vazhdimësi metodat se si duhet parandaluar avancimi dhe zgjidhja e çështjes shqiptare. Maqedonia nuk arriti që ta krijojë një strategji për të ndërtuar marrëdhënie të mirëfillta me shqiptarët, por e kopjoi strategjinë serbe, prandaj edhe problemet me albanofobinë kanë qenë të pranishme që nga pavarësimi i saj dhe shikuar nga ky këndvështrim, unë mendoj që Kumanova nuk do të ndodhte sikur të ekzistonte një Maqedoni ndryshe.
Radio Kosova: Ku mendoni se duhet kërkuar përgjegjësinë për ngjarjet që ndodhën në Kumanovë?
Albulena Halili: Çështja e përgjegjësisë do të duhej të kërkohej diku përtej Kumanovës. Në radhë të parë, përgjegjëse për ngjarjet në Kumanovë janë institucionet e regjimit pushtetar, VMRO e cila që nga ardhja e Gruevskit në krye të Qeverisë, paradoksalisht me linjën e saj ideologjike, atë të djathtë, filloi të ndjek linjën serbe si atë praktike po ashtu edhe atë psikologjike. Pra, politika e këtyre institucioneve ndaj shqiptarëve si e tillë edhe në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme, nuk dallon shumë nga politika serbe dhe ish jugosllave. Që nga ardhja e Gruevskit në pushtet të gjitha proceset e montuara dhe aksionet policore e ushtarake që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve janë bërë në emër të luftës kundër terrorizmit. Zbulimet e fundit nga përgjimet, dëshmuan sërish urrejtjen patologjike që strukturat udhëheqëse të pushtetit, kanë për shqiptarët si të tillë. Pjesa tjetër e fajit institucional del nga paaftësia e lidershipit shqiptar në Maqedoni, e sidomos atij në pushtet, për mos ndalimin e këtij krimi zyrtar pa dyshim me karakter etnik ndaj shqiptarëve dhe mos pengimin e jetësimit të tij nga përfaqësuesit shqiptar në qeveri. Megjithatë, unë mendoj se edhe Shqipëria e Kosova, si dy shtete shqiptare në Ballkan, mbajnë përgjegjësinë e tyre që iu takon. Madje, Shqipërisë i takon edhe me Kushtetutë për neglizhencën ndaj jo vetëm individuale por edhe kolektive të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, pa përjashtuar këtu as shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi.
Radio Kosova: Sipas jush, çfarë do duhej të bënin partitë politike shqiptare, sidomos ato që janë në pushtet, pas ngjarjeve në Kumanovë?
Albulena Halili: Unë mendoj që shqiptarët nuk duhet assesi të lejojnë që historia dhe politika të kalojnë pranë tyre. Ata duhet të jenë në epiqendër të politikës duke dalë përtej ambicieve partiake për të treguar këtë radhë se jemi një komb që dimë të organizohemi politikisht, që dimë se çfarë të kërkojmë dhe çfarë të ofrojmë që ta zhvillojmë demokracinë në hapësirën tonë. Nga kjo pikëpamje, si duket lidershipi shqiptar e ka humbur kredibilitetin politik para opinionit të brendshëm. Rrethana të tilla sigurisht që krijojnë premisa për organizime të forcave të reja të cilat vështirë se mund të parashikohen e as të kontrollohen. Në politikën shqiptare në tërësi, ekzistojnë polarizime shkatërruese do ta quaja, që është atipike për politikën në shtetet sllave ku për dallim nga ne interesi kombëtar tejkalon antagonizmat partiake, madje edhe ideologjike. Partitë politike shqiptare përtej agjendave ditore dhe platformave të tyre politike e partiake kur bëhet fjalë për çështje të interesit kombëtar duhet të mendojnë e të flasin me një zë. Përfundimisht është koha që drejtuesit e secilit subjekt politik shqiptar në Maqedoni që ka legjitimitetin e zgjedhësve shqiptar, të sillen si lider të një kombi shtetformues e jo si deri tani vetëm si përfaqësues të një pakice të papërfillshme.
Radio Kosova: Në vitin 2001 ishte nënshkruar Marrëveshja e Ohrit, e cila i kishte dhënë fund luftës mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo kishte sjellë një lloj “paqe” mes dy etnive më të mëdha që jetojnë në atë shtet. Sipas jush, sa është zbatuar ajo marrëveshje nga të dyja palët?
Albulena Halili: Maqedonia është shoqëri shumetnike, por shtet shumetnik është vetëm de jure. De facto Maqedonia është një shtet unitar monoetnik atipik. Që një shoqëri shumetnike, e cila edhe de jure e ka të sanksionuar karakterin e tij shumetnik, të funksionojë si e tillë, duhet krijuar edhe mekanizma që kjo gjë të jetësohet. Marrëveshja e Ohrit nuk është realizuar në tërësinë e saj. Ajo është mbështetur në katër shtylla: përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi adekuat, amnistia dhe ndarja territoriale. Përqindjet e shqiptarëve në organet shtetërore janë në disproporcion me raportin real të shqiptarëve të cilët jetojnë në këtë shtet. Kjo vërehet sidomos në ministrinë e Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Financave, gjykatat e nivele qendrore, njësitë e specializuara policore e ushtarake, shërbimi informativ shtetëror e tjerë. Madje, edhe aty ku janë bërë, shqiptarët kanë pozicione thjeshtë ilustrative që nuk kanë fare domethënie në proceset e krijimit të shtetit shumetnik, ashtu siç propagandohet në opinion. Është thjeshtë një prani e papranishme. Po ashtu gjuha shqipe nuk është zyrtare, ajo ka statusin e një gjuhe zyrtare minoritare. Edhe ky status zyrtar minoritar i saj, varet nga përqindja e popullsisë shqiptare në zona të caktuara. Meqenëse ajo përdoret zyrtarisht vetëm në komunat me shumicë shqiptare dhe vetëm sipas kërkesës private, ajo ka statusin e gjuhës private dhe atë jo në nivel shtetëror por vetëm në komunat ku jetojnë shumica shqiptare.
Radio Kosova: Por marrëveshja ishte realizuar me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila kishte dhenë kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në IRJM. Nga pikëpamja e juaj si politologe, sa ka përgjegjësi Bashkësia Ndërkombëtare në zbatimin e të gjitha pikave të nënshkruara në atë marrëveshje?
Albulena Halili: Është e vërtetë se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, Bashkësia Ndërkombëtare ishte e përkushtuar për mbështetje në realizimin e plotë të saj. Faktori ndërkombëtar në radhë të parë, përpara se të kontribuojë në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ajo i mbron vlerat e veta. Për të, vlerat si demokracia, shteti ligjor, liria e mediumeve dhe të drejtat e njeriut së bashku me zgjedhjet e lira dhe demokratike, përbëjnë parakushtet e funksionimit të çfarëdo lloj shteti normal. Ngecja në plotësimin e këtyre parakushteve për funksionimin e demokracisë në shtete normale është theksuar pothuajse në secilin vit në raportet e progresit të Unionit Evropian për Maqedoninë. Demokratizimi si proces në Ballkanin Perëndimor, e sidomos në Maqedoni, bëhet përmes procesit që shpie drejt integrimit euroatlantik. Andaj edhe vet vënia kusht e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit për proceset euroatlantike dëshmon përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e tyre.
Radio Kosova: A do të thotë se ngjarjet e shumta dhe konfliktet ndëretnike në Maqedoni, janë dështim i BE-së në ruajtjen e paqes në këtë shtet?
Albulena Halili: Mendoj se ngjarjet e shumta në IRJM së pari janë dështime të vet lidershipit në këtë vend. Maqedonia po bënë përpjekje që ta ndryshojë realitetin historik dhe këto koncepte u materializuan me projektin “Shkupi 2014”, që sado që mund të prezantohet si projekt serioz megjithatë nuk është i tillë. Mjerisht ata që e kuptojnë këtë proces vlerësojnë se kemi të bëjmë me një ide artificiale që më shumë është një fenomen propagandues për përdorim të brendshëm. Pa dyshim se në këtë projekt i cili më shumë ka ngjallur reagime sesa ndjenjë krenarie nga një pjesë e vet palës maqedonase sidomos opozitës, ekziston tendenca e begatimit të historisë së një populli pa histori dhe identitet. Me këtë projekt ata e konfirmojnë tezën se maqedonizmi është vetëm konstruksion ideologjik i shekullit XX. Dhe natyrisht, në kuadër të këtyre konstruksioneve nuk mund të mohohet fakti se ekziston një rreth formal dhe jo formal institucionesh në IRJM që vazhdimisht përhap teza që rrënojnë imazhin e shqiptarëve dhe i hyjnizojnë apo mistifikojnë imazhin e tyre të cilat kanë shërbyer shumë në zbehjen e moralit politik kundrejt shoqërisë, dhe zbehja e moralit politik dihet se i hap rrugë konstruksioneve të ndryshme në raportet ndër shoqërore sa që shpeshherë kërkesat e shqiptarëve për të drejtat e tyre trajtohen më shumë si komplote dhe konspiracione të ndryshme kundrejt maqedonasve. Andaj në këtë rrafsh dhe përballë këtij realiteti mendoj që lidershipi shqiptar ka treguar mungesë të kapaciteteve të një kombi shtetformues në Maqedoni.
Radio Kosova: A do të duhej që Marrëveshja e Ohrit të shpallet e vdekur “klinikisht” në këtë situatë?
Albulea Halili: Afati për realizimin e kësaj marrëveshje ka qenë viti 2004, më vonë ky afat u zgjat edhe për tri vjet por kjo gjë nuk e ndryshoi rrjedhën e realizimit të saj. Kjo marrëveshje përfundimisht ka dështuar të plotësoj të drejtat që u takonin shqiptarëve në një kontekst historik të vitit 2001. Por, shikuar nga ky prizëm kohor, në vitin 2015 ku ndodhemi tani, relevancës së faktorit shqiptar në rajon dhe tablosë së re gjeopolitike në Ballkan e në Evropë, nga marrëveshja e Ohrit tashmë ka mbetur vetëm korniza e saj fatkeqësisht dhe çdo përpjekje aktuale për realizimin e saj është një vetëvrasje historike. Marrëveshja e Ohrit deri më tani ka qenë jo vetëm e shpallur e vdekur “klinikisht” por për njëmend ka qenë e tillë dhe në Kumanovë ajo vdiq përfundimisht dhe mendoj se duhet varrosur sa më parë.
Radio Kosova:Opinione ndërkombëtare japin idenë që Maqedonia të shkojë drejt federalizmit dhe brenda saj të krijohet një republikë shqiptare. Sa janë gjasat që të realizohet një gjë e tillë dhe cilat do të ishin përfitimet e kombit shqiptar në përgjithësi?

Albulena Halili: Në Maqedoni ekziston prej kohësh frika nga faktori shqiptar. Shikuar kështu ne nuk duhet të ecim më hamendje por duhet të bazohemi në teoritë politike, të konsultojmë kërkesat e faktorit ndërkombëtar e sidomos atij determinant që vepron në Maqedoni dhe në Ballkan përgjithësisht që në këtë fazë janë aleat të shqiptarëve. Në asnjë rast ne nuk guxojmë të jemi kundër tendencave të miqve tanë që kanë ndikim të fuqishëm në Ballkan por duhet ta mbajmë hapin me ta. Sipas teorive politike, nëse Maqedonia është shtet shumetnik dhe shqiptarët janë komb shtetformues atëherë demokracia e shumicës nuk mund të funksionojë. Poqë se funksionon demokracia e shumicës atëherë populli shumicë me anë të gishtërinjve arrin ta eliminoi ose ta margjinalizoi një popull që për nga numri nuk është shumicë brenda atij shteti. Në shtetet shumetnike duhet të aplikohet ajo që Arend Lijphart një studiues i shkencave politike e quan demokraci konsensuale e mirëfilltë. Pra, demokraci konsensuale por që si parakusht ka shoqërinë me kulturë politike konsensuale dhe në këtë fazë të zhvillimit dhe rritës, shqiptarët duhet të kenë të drejtën e vetos në vendime të ndryshme në parlament dhe qeveri. Zbatimi i demokracisë konsensuale parandalon tjetërsimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe nëse shteti i Maqedonisë është shoqëri shumetnike, apo shtet i krijuar mbi parimet unitare, atëherë zgjidhja e vetme që mund të aplikohet është federalizmi i saj.
Radio Kosova: Së fundi kemi edhe protestën e opozitës së cilës i janë bashkuar edhe shumë shqiptarë. Si i vlerësoni ju këto protesta?

Albulena Halili: Metamorfoza e organizmit të opozitës maqedonase për ndërrimin e regjimit, siç e quajnë ata regjimin e Gruevskit, ka kaluar në disa faza. E para, fillimisht ata është dashur ta pranojnë faktin e dhimbshëm se Maqedonia po shndërrohet në diktaturë apo siç e quajnë ata një sistem autoritar hibrid dhe se kjo është kriza më e madhe në të cilën ka kaluar Maqedonia që nga pavarësimi i saj. Faza e dytë ishte hapja e vrimës në legjitimitetin e VMRO-së me bojkotimin e rezultatit zgjedhor nga ana e LSDM-së. Ky bojkot u manifestua me mospjesëmarrjen në seanca parlamentare qëllimshëm dhe problemin politik pozitë-opozitë e bartin nga parlamenti poshtë, tek masa, gjë e cila qoi procesin drejtë fazës së tretë që ishte mobilizimi shoqëror, sidomos përmes shoqërisë civile që të bëjë alarmimin e gjendjes së keqe të shoqërisë dhe krijimin e një efekti psikologjik të tillë te masat e gjëra. Pastaj, loja me faktorin shqiptar si qytetarë të këtij shteti ka pasur efekt në një kohë kur shqiptarët në Maqedoni ndjehen të papërfaqësuar dhe janë pa ndonjë prijës karizmatik. Megjithë propagandimin që është krijuar një koalicion gjithë popullor dhe shumetnik kundër pushtetit, besoj që ky fenomen ka më shumë nuanca të efektit psikologjik se sa real. Protestat e fundit opozitare që u mbajtën të dielën e kaluar, dëshmuan se opozita maqedonase ka të njëjtën mendësi që nuk dallon nga ajo e pozitës që shqiptarët i quan terroristë e që mbanë një minutë heshtje vetëm për mbrojtësit maqedonas e jo edhe për viktimat shqiptare. Protestat e fundit të opozitës maqedonase ma sollën ndërmend edhe njëherë tablonë e trisht të realitetit ish jugosllav ku shqiptarët janë thjeshtë e keqja e domosdoshme në këtë shtet.
Radio Kosova: Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, nga ajo që ka thënë deri më tash, u jep një hapësirë më të madhe dhe më shumë të drejta shqiptarëve nëse ai vjen në pushtet. Në anën tjetër edhe shqiptarët po e mbështesin atë dhe kjo u pa edhe gjatë vizitës së tij në Kumanovë. Megjithatë, sa është për t`i besua Zaevit, i cili vjen nga partia që themeloi Maqedoninë por që shqiptarëve asnjëherë nuk iu dha të drejtat që iu takojnë?
Albulena Halili: Deri më tani ajo çfarë ka ofruar Zaev janë vetëm përgjimet por jo edhe idetë konkrete për ndonjë marrëdhënie kontraktuale me shqiptarët në pozicione të barabarta. Diferencat mes blloqeve politike maqedonase janë sipërfaqësore dhe thjeshtë ideologjike por ato pothuajse zhbëhen fare kur vjen në pikëpyetje interesi dhe ekzistenca e shtetit. Të mos harrojmë se Maqedonia ekziston si shtet që 25 vjet dhe LSDM ishte e para ajo që i vuri keq themelet e këtij shteti duke krijuar një shtet monoetnik dhe një shoqëri shumetnike. Ishte po kjo parti që ndaloi madje me forcë hapjen e universitetit në gjuhën shqipe, ndaloi përdorimin e gjuhës dhe flamurit, krijoi procese të ndryshme politike ndaj shqiptarëve sipas një mendësie me traditë jugosllave, sipas të cilës, shqiptarët janë qytetarë të dorës së dytë e jo faktorë shtetndërtues. Pra, pala maqedonase nuk është e gatshme të bashkëjetoj me shqiptarët në kushte barazie por gjithmonë ka dëshmuar se ofron modele të pabarazisë dhe në këtë çështje e majta nuk dallon shumë nga e djathta. Diskriminimi ndaj shqiptarëve ka qenë dhe mbetet i pranishëm si politikë zyrtare në Maqedoni pa marrë parasysh se cila parti është në pushtet. Lufta dhe proceset politike ndaj shqiptarëve, përfshirë edhe këtë të fundit në Kumanovë të bëra në emër të luftës kundër terrorizmit, janë pjesë e kësaj mendësie të çfarëdo lloj nomenklature maqedonase.
Radio Kosova: Dhe për fund, si do të duhej të zgjidhej përfundimisht çështja e shqiptarëve që jetojnë në IRJM?
Albulena Halili: Njëri ndër mendimtarët e njohur amerikan Farid Zakaria, në një shkrim të tij shkruante: “Në shekullin XXI botën po e lëviz identiteti dhe jo ideologjia”. Në Evropë e sidomos në Ballkan po ndodhë një proces i thellë historik që vë në pikëpyetje arsyen e ekzistimit të shteteve shumetnike dhe kushtet se si ata funksionojnë. Në Ballkan janë nënshkruar shumë marrëveshje të paqes por ato vetëm sa iu kanë dhënë fund luftërave. Të gjitha marrëveshjet në Ballkan që janë bërë gjatë dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, nuk janë zbatuar dhe nuk e kanë sjellë paqen përfundimtare. Por, situata e krijuar tani në Maqedoni nuk mund të kthehet në pikën zero dhe në këtë rast zgjidhja më e mirë dhe ndoshta e domosdoshmja është ndryshimi i sistemit politik. Megjithatë, ndryshimi i sistemit politik nuk mund të bëhet duke u bazuar në realitete të paqena apo imagjinare. Karakteri multietnik i shoqërisë në Maqedoni bie ndesh me konceptin etno centrim të shtetit i cili përkundër ndryshimeve të vitit 2001 akoma është aktual andaj ndryshimit të këtij sistemi duhet t`i paraprijë ndryshimi i mendësisë sunduese të palës maqedonase cilado qoftë ajo dhe pranimit të realitetit të faktorit shqiptar si parakusht për ekzistencën e shtetit unitar të Maqedonisë të cilës i kontestohet identiteti nga të gjithë fqinjët e saj, pos nga shqiptarët. Përndryshe, federalizmi i saj është një “Conditio sine qua non” (kusht pa të cilin nuk mundet).

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com