Emri shqiptar nuk është pengesë për t`u zgjedhur deputet nacional

0

Politologu zviceran me prejardhje nga Bosnja, Nenad Stojanoviç, duke komentuar “invazionin” e shqiptarëve në politikën zvicerane thotë se “mbiemri shqiptar nuk do të duhej të ishte hendikep”

Politologu zviceran me prejardhje nga Bosnja, Nenad Stojanoviç, duke komentuar “invazionin” e shqiptarëve në politikën zvicerane për të cilin gazeta 20minuten ka realizuar një artikull të gjerë, thotë po për këtë gazetë se “mbiemri shqiptar nuk do të duhej të ishte hendikep”.

I pyetur nëse është zhvillim i ri ky i kandidimit të një numri shqiptarësh për Parlamentin Nacional, Stokjanoviç thotë se kandidatë të veçantë ka pasur edhe më parë, “por me kohë ata po fitojnë vende me më shumë shanse në listat e votimit”. Është vetëm çështje kohe kur politikani i parë me rrënjë nga Ish Jugosllavia ose ehde nga Turqia do të arrijë në parlament. Edhe te emigrantët italianë ka zgjatur shumë derisa janë integruar në sistemin politik”.

Por përse është kështu? Vendimtare për këtë zhvillim është nëse je i lindur në Zvicër dhe ke ndjekur shkollimin këtu, shkruan 20minuten.ch dhe transmeton albinfo.ch. Shumë nga migrantët e vendeve të Evropës Juglindore kanë ardhur në Zvicër gjatë viteve të nëntëdhjeta. Në fillim, interesimi i tyre për politikën zvicerane ka qenë i ulët, mbase nga fakti se në vendet e prejardhjes janë zhgënjyer nga “të fuqishmit” e atjeshëm. Por, ata persona që tashmë janë socializuar në Zvicër po i qasen gjithnjë më shumë politikës. E dhëna se ende asnjë prej tyre nuk ka arritur në Parlamentin Nacional ka të bëjë edhe me sistemin politik: nevojitet përvojë në rrafshin komunal dhe kantonal – që i bie se nevojitet mund i madh e që nuk mund të bëhet sot për nesër”, thotë politologu Stojanoviç.

Ndërsa pyetjes nëse mbiemrat e kandidatëve shqiptarë mund të jenë hendikep për ta, pasi që votuesit, thjesht do t`u “bien vizë” atyre, studiuesi i përgjigjet se nuk është e thënë të jetë ashtu. “Unë jam duke e hulumtuar pikërisht këtë në një projekt trevjeçar hulumtues dhe deri më tash nuk ka ndonjë studim që do ta vinte në pah këtë. Madje, mund të jetë e kundërta, dmth të ketë një `diskriminim pozitiv`, pasi që një emër kandidati mund të votohet dy herë.

Kjo gjë pati qenë vendimtare për zgjedhjen e Ricardo Lumengo-s, si deputeti i parë nacional zezak në Parlamentin Nacional të Zvicrës. Për këtë arsye, një mbiemër shqiptar nuk është e thënë të jetë pengesë”. Por a luan në përgjithësi ndonjë rol prejardhja në politikë? Për Stojanoviçin, ky rol mund të jetë i dorës së dytë.

“Kur një kandidat është vendosur në listën e një partie, ai medoemos do të përfaqësojë edhe vlerat e partisë në fjalë. Edhe deputetja nacionale e SVP-së, Yvette Esterman vjen nga ish çekosllovakia. Dhe, prejardhja e saj e huaj nuk e bën që të votojë ndryshe nga e gjithë pjesa tjetër e grupit parlamentar të SVP-së”, përcjell albinfo.ch.

A i vendosin partitë zvicerane kandidatët me prejardhje të huaj në listat e tyre thjesht, për të qenë të zgjedhshme si parti për një popullatë sa më të gjerë? Stojanovic lidhur me këtë pyetje dhe supozim thotë se “pikërisht partitë që janë në rënie të vazhdueshme e kanë kuptuar se te të natyralizuari (të huajt qe kanë marrë shtetësinë zvicerane) fshihet një potencial i madh zgjedhor të cilin ia vlen ta shfrytëzojnë në mënyrë aktive. Duke i vënë në listë këta persona me prejardhje të huaj ato sinjalizojnë: Ne jemi të hapur. Por, shanse reale për t`u zgjedhur këta kandidatë të shumtën nuk kanë.

Nenad Stojanovic punon në Universitetin e Lucernit dhe në Qendrën për Demokraci në Aarau. Në fokus të studimeve të tij hyn demokracia në shoqëritë multikulturore. Ai është pjesëtar i Komisionit Federal Kundër Racizmit ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2013 ka qenë deputet në Parlamentin e Kantonit të Ticinos.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com