Emocionuese: Lutja e madhe e Leo Messit për lojtarin e zhdukur
10:57 | 25 Janar 2019

Lionel Messi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka kërkuar që kërkimet për aeroplanin e zhdukur, me të cilin po udhëtonte lojtari, Emiliano Sala, të vazhdojnë edhe më tutje, pasi që beson se ende ka gjasa që argjentinasi të gjendet i gjallë.

Aeroplani, me të cilin Sala po udhëtonte nga Nantes në Cardiff, u zhduk të hënën, pasi e humbi kontaktin me qendrën Casquets për kontrollin e trafikut ajror, rreth 13 kilometra larg ishullit Guernsey të Britanisë së Madhe.

Policia Guernsey, e cila është përgjegjëse për këtë ngjarje, njoftoi dje se kërkimet nuk do të vazhdojnë, që kishin zgjatur nga e marta në mëngjes deri dje në orën 16:00.

Por, për shkak se policia nuk kishte gjetur asnjë shenjë të aeroplanit, vendosën të ndalojnë.

Sido që të jetë, Messi shpreson që kjo mos të ndodhë përfundimisht.

“Derisa ende ka mundësi, një fije shprese, ne ju lutemi #MosNdaloniSëKërkuari Emilianon”, ka shkruar Messi në Instastory.

Ndryshe nga Messi, ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, nuk ka thënë një fjalë të vetme për këtë.

Përveç kësaj, në ditën kur e gjithë bota u shokua me lajmin për zhdukjen e Sala, Ronaldo bënte postime nga vende luksoze e aeroplan privat, diçka që ngjalli reagime të shumta për veprimet e pahijshme të portugezit. /Insporti.com

The post Emocionuese: Lutja e madhe e Leo Messit për lojtarin e zhdukur appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Rina Balaj