Ekspertët tregojnë nëse Ligji për Dialogun është në shpërputhje me Kushtetutën
21:26 | 15 Mars 2019

Sot, në një konferencë të përbashkët për media, dy partitë më të mëdha opozitare kanë dhënë versionin e tyre për këtë ligj, duke njoftuar njëkohësisht se e kanë dërguar për trajtim në Gjykatën Kushtetuese, shkruan lajmi.net.

Driton Selmanaj nga LDK, sot në një konferencë për media është shprehur se ky Ligj është në disa pika në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Por si e shohin këtë njohësit e Kushtetutës?

Lajmi.net ka kontaktuar me Mazllum Baraliun dhe Riza Smakën, të dy njohës të Kushtetutës për të marrë interpretimet e tyre në lidhje këtë temë.

Baraliu për lajmi.net është shprehur se nuk është mirë të paragjykohet se çfarë ka dhe çfarë do të ketë, apo vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por sipas tij, është e drejtë legjitime që çdo subjekt kushtetues të bëjë parashtresa tek Gjykata Kushtetuese.

“Po nuk është mirë ta paragjykojmë se çfarë ka dhe çfarë do të ketë dhe çfarë do të bëjë Gjykata Kushtetuese. “Por e para që dua të them është se është e drejtë legjitime e çdo subjekti dhe çdo subjekti kushtetues, që me Kushtetutë është e lejuar që të bëjë parashtresa tek Gjykata Kushtetuese kurdoherë që konsideron se një aktligjor, apo propozim aktligjor ose projekt aktligjor është në shpërputhje me dispozitat e Kushtetueses”, është shprehur Baraliu.

Sipas Baraliut, disa nene, disa dispozita e vënë në pozitë problematike çështjen e diskutimit, pra mundësinë potenciale të diskutimit për integritetin territorial.

Dhe më tutje, ai është shprehur se ky grup negociator po bëhet një loj aksesori i institucioneve të vendit.

“E dyta, është evidente që në disa nene, janë disa dispozita që në fakt e vënë në pozitë problematike çështjen e diskutimit, pra mundësisë potenciale të diskutimit për integritetin territorial atje. Sepse në këtë ligj, edhe platformën po ashtu bëhet grupi negociator thjesht një lloj pjesë, aksesor i institucioneve të vendit.”, tha më tutje Baraliu

Më tutje, Baraliu është shprehur se ka qenë e panevojshme të bëhet një Ligj i tillë, kur dihet se me nen të veçantë, Kushtetuta ka epërsi në hierarkinë e ligjeve.

“Dhe e treta, ajo që është më me rëndësi. Nuk ka pasur nevojë dhe si duket ky është pretendimi kryesor i këtyre partive që nuk ka pasur nevojë të bëhet një ligj i tillë për këtë punë, derisa me Kushtetutë qartazi janë të listuara kompetencat dhe përgjegjësitë e të gjitha shtyllave të pushtetit shtetëror. Dhe nëse me Kushtetutë është paraparë me nen të veçantë epërsia e Kushtetutës ndaj të gjitha ligjeve të tjera dhe institucioneve, atëherë kjo është në përputhje me ‘Majore Ad minis’, që do të thotë se ‘Kush mundet më shumë, mund të bëjë edhe më pak’, që në këtë rast do të thotë Kushtetuta, zbatimi i saj nga institucionet përkatëse në rast të përfaqësimit kudo që ndodh, do të ishte e mjaftueshme që të sendërtoheshin  autorizime dhe kompetenca që kanë me kushtetutë, dhe nuk ka nevojë që të barten ato kompetenca tek një ligj që është akt më i ultë për nga kierarkia, sepse kushtetuta ka përparësi ndaj atij ligji dhe ligjeve tjera”, tha Baraliu.

Në fund ai tha se këto janë disa nga çështjet të cilat mund të jenë të debatueshme dhe problematike, por sidoqoftë, sipas Baraliut, është në kompetencë të plotë të Gjykatës Kushtetuese të vendosë verdiktin final në lidhje me këtë Ligj.

Në anën tjetër, Riza Smaka, njohës i Kushtetutës është shprehur gjithashtu se ky ligj është i panevojshëm.

Gjithashtu, Smaka ka vënë në dukje se Serbia mund të mos pranoj të dialogoj me grupin negociator.

“Së pari po të pyetsha unë, nuk do të isha angazhuar për miratimin e këtij ligji sepse është krejtësisht i panevojshëm dhe dy ekipi negociator nuk është në harmoni me kushtetutën, prandaj është i panevojshëm dhe janë harxhime të panevojshme. Të supozojmë rastin që Serbia nuk formon kësi grupi negociator por presidenti serb thotë se nuk pranoj të diskutoj me këtë delegacion, por vetëm me presidentin të zhvilloj negociatat, do të thotë që është normale, ky ekip mbetet me gishta në gojë”, është shprehur Smaka.

Smaka ka qartësuar se në nenin 18 të Kushtetutës së Kosovës është përcaktuar se marrëveshjet që i referohen territorit dhe njohjeve reciproke ratifikohen në Kuvend.

“Ndryshe në dispozitën e nenit 18 të Kushtetutës është përcaktuar se marrëveshjet ndërkombëtare, saktësisht kjo, sepse jo të gjitha, por kjo që i referohet territorit e njohjeve reciproke që ratifikohet në Kuvend me shumicën e kualifikuar, prandaj do të ishte e logjikshme që edhe akti juridik i përgjithshëm të miratohej me atë shumicë sepse akti nuk mund të jetë koherent me funksionin të cilit i referohet”, vazhdoi më tutje Smaka për lajmi.net.

Gjithashtu, ai është shprehur se me nenin 84 të Kushtetutës përcaktohet se presidenti është përfaqësues legal i Republikës së Kosovës dhe ai e udhëheq politikën e jashtme.

“Me nenin 84 të Kushtetutës është përcaktuar qartë se presidenti i vendit është përfaqësuesi legal i republikës së Kosovës, që ai e përfaqëson dhe ai i udhëheq politikat e jashtme. Nuk ka këtu kompromise, derisa është në kushtetutë kësisoj, atëherë kësisoj duhet të jetë”, sqaroi Smaka më tutje.

Më pas Smaka ka treguar se cili është roli i Qeverisë sipas Kushtetutës dhe cili është procesi i vendimeve të këtij organi shtetëror.

“Më pastaj me nenin 94, është theksuar se kryetari i Qeverisë, për politikat e jashtme e konsulton presidentin, ndërsa Qeveria i propozon dhe i ekzekuton këto politika të jashtme dhe të brendshme, dhe ku i propozon, pra dihet se drejtpërdrejtë i përgjigjet Kuvendit, ia propozon Kuvendit, nëse i miraton, i zbaton, i ekzekuton, nëse nuk do t’i ekzekutonte siç duhet do të jepte përgjegjësi”, tha Smaka për lajmi.net.

Smaka ka vënë në dukje, se ky grup negociator nuk ka bazë kushtetuese.

“Por, këtu, po të kisha qenë tek zotri Ramush Haradinaj unë do t’i kisha dhënë propozime të justifikuara pse nuk ka bazë kushtetuese për formim të grupit negociator i cili përndryshe për vendin është i kushtueshëm”, tha ai.

Në fund, Smaka është shprehur se po krijohen tri kanale të cilat kanë kompetenca për punët e jashtme të vendit.

Duke thënë gjithashtu se institucionet e Kosovës ose nuk po dinë e ose nuk po duan të punojnë.

“Dhe tani po krijohen tri kanale, një: Presidenti që është me kushtetutë i autorizuar për udhëheqjen e politikave të jashtme dhe përfaqësimin e vendit, dhe kryeministri, përkatësisht qeveria që është e autorizuar për propozim dhe ekzekutim dhe tani po krijohet edhe një grup tjetër për detyra të caktuara, prandaj gjendja është e këtillë, shumë e qartë.

Unë habitem se si institucionet tona ose nuk po dinë të punojnë fare ose po dinë, por nuk po duan dhe këto të dyja janë të këqija, sepse nuk janë në interesin e vendit”, tha krejt në fund, Smaka për lajmi.net.

Vlen të theksohet se Ligji për Dialogun është votuar në Kuvendin e Kosovës me 58 vota pro.

Delegacioni i Kosovës për dialogun udhëhiqet nga Famir Limaj i Nismës për Kosovën dhe Shpend Ahmeti i partisë Socialdemokrate, e pjesë e këtij delegacioni janë edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin refuzuar qysh në fillim të formimin të Platformës për Dialogun që të bëheshin pjesë e këtij ekipi, ndërsa tani ata po e kontestojnë edhe kushtetutshmërinë e tij në disa pika. /N.S /Lajmi.net/

Alesia Bami