E jashtëzakonshme: Ja çfarë kanë përgatitur “Kuqezinjtë” për ndeshjen Shqipëri – Armeni

0

Të dielën kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një prej ndeshjeve më të rëndësishme sa i përket ecurisë së garës për një vend në Euro 2016. Përballja me Armeninë pritet të jetë një sfidë e vështirë, që ndoshta mund të vendosë edhe fatin e teknikut italian, De Biasi. Lapsi.al sjell shkurtimisht situatën në prag të kësaj ndeshje.

Tifozat

Koreografia e tifozëve

Dy ditë para ndeshjes Shqipëri-Armeni zbardhen detaje nga koreografia dhe atmosfera që tifozët do të krijojnë në stadiumin “Elbasan Arena”. Sigurisht që ngjyrat kuq e zi do të dominojnë gjithë stadiumin. Por ka dy elementë të veçantë që vlejnë të theksohen. Mësohet se janë përgatitur plot 12 mijë qeleshe, apo siç quhen ndryshe plisa, një simbol i njohur i shqiptarëve në të gjitha trevat. Plisat do t’u shpërndahen të gjithë të pranishmëve në shkallët e stadiumit, për të krijuar kështu një atmosferë interesante. Veç kësaj, një banderolë gjigande ku ironizohet kreu i UEFA-s, Michel Platini, do të shpaloset në shkallët e stadiumit.

Biletat

Interesi për këtë ndeshje ka qenë i madh dhe janë të shumtë ata që nuk arritën të siguronin dot një biletë për në shkallët e “Elbasan Arena”. Ndryshe nga herët e tjera, Federata Shqiptare e Futbollit aplikoi shitjen online të biletave, por sërish nuk munguan shitjet në tregun e zi, me një cmim disa herë më të lartë. Vetë Federata pranon që online janë shitur rreth 20% e biletave, pa dhënë shpjegim se ku shkoi pjesa më e madhe e tyre.

Mungesat në skuadër

Në këtë ndeshje tekniku De Biasi nuk do të ketë shërbimin e tre futbollistëve të rëndësishëm: Mërgim Mavraj, Valdet Rama dhe Alban Meha. Dy të parët pësuan dëmtime gjatë seancave stërvitore në Durrës, ndërsa Meha është nisur urgjent për në Gjermani pranë bashkëshortes së tij, e cila është në prag të lindjes. Largimi i tij është bërë me lejen e trajnerit dhe drejtuesve të ekipit kombëtar. Përvec dëmtimeve, mbrojtësit Arlind Ajeti dhe Nasër Aliji ende nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm për të veshur fanellën e kombëtares. Dokumentacioni për federimin e tyre është dërguar pardje por me procedura normale është e pamundur që të jenë prezentë në ndeshjen e së dielës. Debatik Curri është i dëmtuar. Nga 7 mbrojtës të thirrur, De Biasi do të ketë vetëm 3 në dispozicion.

De Biasi pajiset me pasaportë shqiptare

Nesër në orën 11.00, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani do të shpallë dekretin e dhënies së pasaportës shqiptare për trajnerin italian të Kombëtares shqiptare të futbollit Xhani De Biazin. 58-vjeçari do të pajiset me pasaportë shqiptare një ditë para ndeshjes me Armeninë, e cila është tepër e rëndësishme për kombëtaren. Pak kohë më parë ishte vetë italiani që shprehu dëshirën për marrjen e pasaportës shqiptare.

Armenët mbërrijnë në Tiranë

Kombëtarja armene e futbollit zbriti në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 15:45 me një avion Charter i nisur nga kryeqyteti Jerevan. Ata shkuan menjëherë drejt Hotel Sheraton në Tiranë, ku do të jetë e akomoduar deri të dielën, për t’u nisur në orën 23:00 drejt aeroportit të Rinasit. Seancën e vetme stërvitore në tokën Shqiptare formacioni i Bernard Chalandes do ta zhvillojë në Elbasan në orën 16:30, ndërsa gjysmë ore më parë trajneri zviceran do të dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjesh.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com