Dy shtetas të Maqedonisë janë shkëmbyer mes ISIS-it dhe Turqisë
10:46 | 07 Tetor 2014

Në mesin e 180 xhihadistëve që i janë dorëzuar ISIS-it në këmbim për 49 shtetasit turq, të kidnapuar në qytetin Mosul, kanë qenë edhe dy shtetas të Maqedonisë, ka raportuar revista “Times”.
Gjithsej 49 shtetas turq, të punësuar në Ambasadën turke u mbajtën peng 101 ditë, para se të lirohen më 20 shtator. “Times” raporton se në listën e personave të shkëmbyer, përveç dy shtetasve të Maqedonisë, gjenden edhe tre francezë, dy suedezë, një zviceran dhe një shtetas i Belgjikës. Kjo gazetë shkruan se në shkëmbim janë përfshirë luftëtarë të ISIS-it, që janë mbajtur në spitale dhe burgje turke, si dhe ata që kanë qenë të robëruar nga kryengritës sirianë të krahut jo radikal. Edhe pse nuk janë konfirmuar informatat për shtetasit e shkëmbyer maqedonas, këto informata rikujtojnë sulmin ndaj policisë turke në qytetin Nigde në mars të këtij viti, ku ishin të përfshirë edhe shtetasit e Maqedonisë Muhamed Zekir nga Ohri dhe Benjamin Hu nga Gërçeci, shkruan “Dnevnik”.
Edlira Rukaj