“Duhet te ndryshohen kufijtë me Serbinë – Veriun ta ndërrojmë me Luginë”

0

Anëtari i Kryesisë se Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, ka kërkuar shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Shqipërisë… Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta ka shkruar në facebook se Kosova dhe Serbia duhet të shkëmbejnë territoret. Veriu t’i jepet Serbisë kurse Lugina e Preshevës Kosovës.

AgimKuleta

Për me tepër lexojeni reagimin e tij:

Jabllanoviqi i ofendoi të gjithë njerëzit normal të këtij vendi. Goditja e tij ishte emocionale. Por, kjo mizori verbale nuk është problemi kryesor. Jabllanoviqi bashkë me veprimet e tij janë vetëm imazhi i problemit kryesor – problemit të pazgjidhur shqiptaro-serb. Përpjekja nënçmuese për t’i integruar me çdo kusht serbët e veriut, duke duruar edhe gjëra të tilla banale, do të vazhdojë të prodhoj mizori edhe më të mëdha dhe jo vetëm verbale. Lëvizja për Bashkim, qysh në fillim, ka insistuar që interes yni kombëtar nuk janë 3 komunat me serbë në veri të Kosovës por 3 komunat me shqiptarë të Kosovës Lindore. Prandaj edhe qasja në bisedimet Kosovë-Serbi do të duhej të ishte në instalimin e parimit të reciprocitetit midis Leposaviqit, Zubin-Potokut e Zveçanit me Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, deri në ndryshimin e kufijve sipas vullnetit të tyre. Kjo situatë e re do të shtronte nevojën e ridizajnimit të formulës së rregullimit të shtetit në raport me të drejtat e pakicave. Rrjedhimisht, pakica serbe nuk do të kishte më rolin e diktuesit të zhvillimeve siç e ka sot. Përndryshe, sa të përpiqemi t’i mbajmë ata brenda, bashkë me ta brenda do t’i mbajmë edhe problemet e vazhdueshme. E tërë dhuna që ka ndodhur kohëve të fundit është bërë për të ndërruar një figurë imazhi (Jabllanoviqin) me një figurë tjetër (…viqin). Kjo dhunë nuk ka ndryshuar dhe as që mund të ndryshoj ndonjë gjë në raport me problemin kryesor. Sepse, qëllimi për të cilin po bëhet është krejt tjetër. Në fakt, ka ndryshuar vetëm raportet midis ne shqiptarëve – na ka armiqësuar me njëri-tjetrin skajshmërisht. Prandaj, përpjekja duhet të bëhet për gjëra më thelbësore që zgjidhin vërtetë probleme. Dhe kjo përpjekje duhet të jetë edhe më e fuqishme, edhe më gjithëpërfshirëse, edhe më masive, edhe më e vendosur deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit! Problemi nuk është emocional, është thellësisht politik. Nëse duam zgjidhje, si të tillë edhe duhet ta trajtojmë.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com