Duhani apo sheqeri – cili është më i rrezikshëm për organizmin

0

Pa duhan mund të jetojmë, por organizmi ynë pa sheqer, konkretisht pa glukozë, e humb energjinë dhe fillon të kompensojë nga burime të tjera dhe kështu e dëmton trupin, potencialisht duke kulmuar në akumulimin e ketoneve të dëmshme në gjak, të cilat shkaktojnë pasoja të dhimbshme, madje edhe vdekje, transmeton koha.net.

Kur është fjala për sheqerin, nuk mendohet domosdo për sheqerin e bardhë dhe të përpunuar, porse ai në trup hyn edhe nëpërmjet karbohidrateve. Është e rëndësishme të kihet kujdes për mënyrën se si e futni sheqerin në organizëm, në çfarë sasie dhe për cilin lloj të sheqerit bëhet fjalë.

Nga duhani në aspektin financiar është më lehtë të hiqet dorë, pasi që u shkakton shpenzime të konsiderueshme financiare duhanpirësve aktivë, ndërsa ushqimi është më i lirë sa më shumë që është i përpunuar industrialisht, dhe pikërisht ky faktor është vendimtar në shkaktimin e varësisë. Se sa do të jetë varësia ndaj ndonjë ushqimi apo produkti ushqimor varet se si është i përpunuar ushqimi.

Sheqeri i bardhë, i cili është përbërësi kryesor i shumicës së ëmbëlsirave, është i përpunuar industrialisht, dhe vetë ëmbëlsirat kalojnë nëpër procese shtesë të prodhimit. Nuk është e habitshme që në listën e ushqimeve që shkaktojnë më së shumti varësi në dhjetë vendet e para janë çokollata, biskotat, akullorja dhe ëmbëlsirat. Përbërësit artificialë dhe të përpunuar mbizotërojnë në ushqimet e ëmbla dhe janë të privuara madje edhe nga substancat e shëndetshme që janë karakteristikë e ushqimeve të papërpunuara dhe natyrale. Nga ky fakt rrjedh edhe shprehja e “kalorive boshe”, që e nënkupton ushqimin pa vlera ushqyese.

Varësia nga sheqeri është shkaku më i madh i trashjes, përveç problemeve shëndetësore, ajo shkakton edhe probleme emocionale dhe sociale. Tek personat obesë, masa e tepërt trupore shkakton reagime negative dhe komente në shoqëri dhe ndikon në vetëbesim dhe imazhin personal, shkakton rënie të motivimit për iniciativa jetësore, nënvlerësim të aftësive dhe vlerave personale dhe izolim nga ngjarjet shoqërore. Pirja e duhanit është perceptuar si ‘cool’ dhe është edhe më e vështirë të lihet duhani. Ai bëhet pjesë e ritualeve të ndryshme personale dhe sociale për çfarë duhet gjetur një alternativë më të shëndetshme për ta trajtuar varësinë që i ka prekur të gjitha sferat e jetës, jo vetëm shëndetin.

Sheqeri i prishë dhëmbët, si nga pikëpamja estetike, ashtu edhe shëndetësore, ndërsa konsumi i tepruar rrezikon me sëmundje kardiovaskulare, diabet, dëmtim të mëlçisë, nivele të rritura të kolesterinës së keqe, por edhe rrezik nga kanceri. Pirja e duhanit shkakton gjithashtu sëmundje kardiovaskulare, sidomos probleme me mushkëritë dhe frymëmarrjen, duke filluar nga sëmundja kronike obstruktive e mushkërive deri tek kanceri i mushkërive.

Promovimi i një stili të shëndetshëm jetësor në fushatat kundër varësisë nuk ka për qëllim të ndikojë vetëm në zhvillimin fizik por edhe mendor të individit, i cili vuan nga varësia ndaj duhanit apo sheqerit. Kënaqësia me jetën është një parakusht themelor për t’u përballuar me varësitë psikologjike ndaj duhanit ose ushqimeve të ëmbla, respektivisht funksionimi emocional ose shoqëror nuk do të ishte problem, derisa pirja e duhanit dhe ushqimi janë ngushëllimi i vetëm dhe një mënyrë që sjell kënaqësi.

Abstenimi është ilaçi i vetëm për varësinë ndaj sheqerit dhe duhanit. Me sheqerin është më lehtë, sepse për shëndetin nuk është e dëmshme që herë pas here të hani diçka të ëmbël në sasi të vogla, duke pasur parasysh se nuk do ta nxisë ndonjë reagim të tepruar të dopaminës, ndërsa në rastin e ndërprerjes së duhanit këshillohet ndërpritje absolute, ashtu që trupi të lirohet krejtësisht fizikisht nga varësia.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com