Drashkoviq: Serbia jeton me histori të falsifikuar, numri i njohjeve të Kosovës do të rritet

0

Në një intervistë me Anadolu Agency, shkrimtari dhe kryetar i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, Vuk Drashkoviq foli për “vrasjen e Jugosllavisë” dhe pasojat e saj, për rënien e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, krimet e luftës të kryera nga serbët në ish-Jugosllavi, qëndrimin e Serbisë në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës dhe realitetin lidhur me pavarësinë e Kosovës.

drashkoviq-serbia-jeton-me-histori-t-euml-falsifikuar-numri-i-njohjeve-t-euml-kosov-euml-s-do-t-euml-rritet_hd

Duke shpjeguar arsyet për “vrasjen e Jugosllavisë”, Drashkoviq tha se përgjigja me fjalë të shkurta është në fjalinë e Ivo Andriqit, i cili citon një plak mysliman të mençur: “Çdo gjysmë shekulli, këtu njerëzit e mençur heshtin, budallenjtë flasin dhe të varfrit pasurohen”.

“Në këtë Jugosllavi të vogël, do ta them pak me ironi, kishte vend për Serbi të Madhe, Kroaci të Madhe, Bosnje të Madhe dhe Slloveni të Madhe. Tani ne jemi të varfër, të thyer dhe mbi të gjitha të helmuar nga urrejtja që ka gjasa të zgjas edhe në shumë gjenerata të ardhshme”.

Drashkoviq tha se Serbia “jeton me histori të falsifikuar” dhe se versioni serb i historisë, i imponuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i cili nënkupton se Vatikani, Berlini dhe Amerika dëshiruan shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në fillim të viteve nëntëdhjetë, nuk është i saktë dhe se “askush nuk luftoi për të shpëtuar këtë shtet të madh, siç ka bërë Amerika”.

“Po të kishte mençuri këtu, posaçërisht në Beograd, sepse fjala e Beogradit ishte kryesore dhe vendimtare, ne do të kishim hyrë në BE dhe NATO, Jugosllavia kurrë nuk do të shpërbëhej, sot do të ishim rreth 30 milionë dhe do të ishim një nga anëtarët kryesorë të BE-së”.

Duke komentuar deklaratën e tij të fundit se gjatë bombardimit të Sarajevës janë vrarë më shumë civilë se në Serbi gjatë bombardimeve të NATO-s në 1999, Drashkoviq tha se ky është “një fakt i njohur” dhe se këtë nuk duan ta dëgjojnë në Serbi ata mbajnë qëndrimin për të mos pranuar se pala serbe ka kryer krime të mëdha.

Drashkoviq theksoi se Millosheviqi fatkeqësinë më të madhe ua shkaktoi pikërisht serbëve.

“Kohët e fundit, derisa isha në New York, përjetova traumë: një shofer taksie me origjinë nga Gana, më pyeti nga vij. Thashë nga Serbia, e ai bërtiti: Serbia – Srebrenica! Ja këtë na e bëri Sllobodan Millosheviqi dhe dikush që asgjë njerëzore nuk ka në vete, kush ka pak mendje nuk mund këtë ta mohojë, as ai, as krime tjera nuk e ulin dhe as që mund të justifikohen me krimet tjera të bëra ndaj Serbëve”.

Duke folur për marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Serbisë të Hagës, Drashkoviq theksoi se ky bashkëpunim ka pasur fazat e saja, por se “kurrë nuk ka pas propaganda që të thuhet se shkuarja në Hagë është detyrim dhe se ne e respektojmë këtë gjykatë”.

Duke komentuar nëse paraqitjet publike të akuzuarit të Hagës, Vojislav Sheshelj, mund të dëmtojnë marrëdhëniet në rajon, Drashkoviq tha: “Kur ky njeri u lirua nga Haga për arsye njerëzore, që të shërohet. Mua si njëri më ka gëzuar ky fakt, pasi që bëhet fjalë për kancer, ndërsa këtu ulërinin se ky vendim është bërë pikërisht për të rrëzuar Qeverinë e Serbisë. Tani, kur të vijë vendimi që personi i njëjtë të kthehet në Hagë, përsëri histeri se bëhet fjalë për rrënimin e Qeverisë serbe”.

Duke pasur parasysh se është njëri nga të parët dhe të paktët në Serbi i cili tha se duhet të pranojmë realitetin rreth Kosovës, Drashkoviq thotë: “Kosovën tani më e kanë njohur shumica dërrmuese e vendeve anëtare të OKB-së; shumica dërrmuese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian; dhe, ky numër nuk do të ulet por vetëm do të rritet. Nuk dua të bëhem njëri nga ata që e mohojnë këtë realitet. Ta pranojmë realitetin dhe të krijojmë një normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, në mes të serbëve dhe shqiptarëve”.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com