Dosja e plotë e UEFA-s

0
Dosja e plotë e UEFA-s

UEFA ka nisur procedurat disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit (FSS) për hedhje të fishekzjarrëve dhe flakadanëve (Neni 16, paragrafi 2, pikat b dhe c) të Kodit Disiplinor të UEFA-s), për shqetësime dhe parregullsi të publikut (Neni 16, paragrafi 2, pika h), pushtim të fushës (Neni 16, paragrafi 2, pika a), organizim i pamjaftueshëm (Neni 16, paragrafi 1) dhe përdorim i lazerit (Neni 16, paragrafi 2, pika d).

 Ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka nisur procedimi për refuzim për të luajtur (Neni 27, paragrafi 1 i Rregullores së Kompeticioneve të UEFA-s) dhe për parrullë të paligjshme (Neni 16, paragrafi e i Kodit Disiplinor të UEFA-s). Këto dy çështje dp të meren për shqyrtim nga Trupi Gjykues i UEFA-s për çështjet e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës më 23 tetor (të enjten e javës tjetër).

Kodi Disiplinor i UEFA-s

Neni 16 (Rregulli dhe siguria në ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s)

Paragrafi 1

Vendet dhe klubet pritëse janë përgjegjës për rregullin dhe sigurinë brenda dhe rreth stadiumit, përpara, gjatë dhe pas ndeshjeve. Ata janë përgjegjës për incidentet e çdo lloji dhe ndaj tyre do të merren masa disiplinore, të cilat mund t’i shmangin vetëm nëse provojnë se nuk kanë treguar neglizhencë në as edhe një aspekt të vetëm në organizimin e ndeshjes.

Çfarë ndodhi

Serbia dhe federata e saj ishin të vetmit përgjegjës për rregullin (që mungoi totalisht), sigurinë (fare minimale), si përpara ndeshjes (lojtarët shqiptarë u ofenduan në kor gjatë nxemjes), gjatë (hyrja e tifozëve në fushë, hedhja e objekteve, goditja e lojtarëve shqiptare) dhe në përfundim (për shumë kohë nuk mund të garantonin sigurinë e delegacionit shqiptar dhe ta shoqëronin në stadium).

Të gjitha këto janë të provuara me pamje të qarta filmime dhe fotografi, kështu që serbët nuk kanë mundësi as të provojnë se nuk kanë neglizhuar në asnjë aspekt (dyert e tifozëve të hapura, policët dhe punëtorët e sigurisë që nuk ndërhyjnë, madje bëhen palë kur tifozët godasin lojtarët kuqezi në fushë dhe stafin gjatë rrugës për në dhomat e zhveshjes).

Masat e mundshme

Vetëm për këtë paragraf, automatikisht ndeshja i jepet me rezultat në tavolinë 0-3 Shqipërisë. Precedentë ka shumë, më i qarti është Danimarkë-Suedi i qershorit 2007 për eliminatoret e Euro 2008, kur një tifoz i vetëm danez hyri në fushë dhe sulmoi arbitrin Herbert Fandel (ndeshja u ndërpre menjëherë dhe Norvegjia fitoi 0-3 në tavolinë).

Në këtë ndeshje punëtorët e sigurisë nuk u panë dhe kjo u cilësua neglizhencë e pritësve (danezëve). Në Serbi punëtorët e sigurisë ishin të pranishëm, por pasiviteti i tyre dhe aktivizimi kundër shqiptarëve provon që neglizhenca ishte e pafalshme. Gjobat dhe pezullimi i fushës apo disa ndeshje të luajtura pa tifozë janë masat e tjera, të cilave serbët nuk mund t’i shmangen.

Neni 16, paragrafi 2

Paragrafi 2 bën përgjegjës vendin pritës apo udhëtues për sjellje të papërshtatshme të një pjese apo të gjithë tifozerisë së tyre dhe ndaj tyre do të merren masa disiplinore, të cilat mund t’i shmangin vetëm nëse provojnë se nuk kanë neglizhuar në organizimin e ndeshjes.

a) për pushtim apo pushtim të tentuar të fushës së lojës

b) hedhje të objekteve në fushë

c) ndezja e fishekzjarrëve dhe objekteve të tjerë

d) përdorimi i lazerave dhe objekteve të tjerë të ngjashëm

e) përdorimi i gjesteve, fjalëve, apo mjeteve të tjerë për të transmetuar mesazhe që nuk janë të përshtatshëm për ngjarje sportive, veçanërisht mesazhe që janë me natyrë politike, ideologjike, fetare dhe me natyre sulmuese e provokuese.

f) akte shkatërrimi

g) përbuzje e himneve kombëtare apo himneve të kompeticionit

h) çdo mungesë tjetër disipline e vënë re brenda dhe rreth stadiumit.

Serbia

Çfarë ndodhi: UEFA ka nisur procedimet ndaj Serbisë për pikat a, b, c, d dhe h. Pushtimi i fushës (a), hedhja e objekteve në fushë (b), ndezja e fishekzjarrëve dhe objekteve të tjerë (flamuri shqiptar, fanella e Shqipërisë dhe flamuri i NATO-s u dogjën dhe për këtë ka prova të qarta filmike e fotografike), (c), përdorimi i lazerave (d) dhe mungesat e tjera të disiplinës (brenda dhe jashtë të stadiumit ndodhi gjithçka e imagjinueshme dhe e paimagjinueshme) (h) janë shkeljet flagrante për të cilët Serbia do të përgjigjet dhe provat ndaj saj janë të pakundërshtueshme. Dënimet për këto shkelje përfshijnë humbjen 0-3 në tavolinë, gjoba dhe masa të tjera.

Çfarë mungon

UEFA nuk ka nisur procedim ndaj Serbisë për pikat e, f, dhe g. Në stadium thirrjet “Vritini, vritini shqiptarët”, gjestet anti-shqiptare, mjetet e tjerë (parrulla anti-Shqipëri, anti-Kosovë, anti-Bosnje dhe anti-Kroaci ishin të pranishme), u dëgjuan dhe u panë qartë. Mesazhet ishin politike dhe me natyrë provokuese (përpara fillimit të ndeshjes), kështu që FSHF duhet patjetër që të kërkojë dënimin e serbëve edhe për këtë pikë.

Aktet e shkatërrimit (pika f) u panë qartë, teksa lojtarët dhe stafi i kombëtares shqiptare u godit me stolat nga tribunat. Tjetër shkelje flagrante, për të cilën serbët duhet të përgjigjen dhe federata jonë duhet të ankimohet.

Përbuzja e himnit kombëtar shqiptar gjatë momentit të ekzekutimit të tij është një tjetër pikë për të cilën UEFA nuk ka nisur procedim dhe për të cilën FSHF-ja duhet të revoltohet dhe të paraqesë provat e qarta televizive, pasi serbët nuk mund të shmangin kurrsesi dënimin për atë që gjithë bota pa dhe dëgjoi të martën në mbrëmje.

Shkeljet e tjera

Federata serbe është përgjegjëse për shkelje të tjera të rënda të Kodit Disiplinor dhe Rregullores së Kompeticioneve. Më poshtë po ju listojmë disa prej tyre (më flagrantet), për të cilat UEFA nuk ka nisur procedime disiplinore, por që duhen ankimuar nga FSHF-ja.

Kodi Disiplinor

Neni 11 (Shkeljet),

Paragrafi 1 (mos zbatimi i Ligjeve të Lojës, Statuteve të UEFA-s, rregullore, direktivave, shkelje e etikës dhe integritetit).

Pika h – ndërprerje me dashje apo braktisje e ndeshjes dhe përgjegjës për ndërprerjen apo braktisjen e ndeshjes.

Pika j – kryerja e akteve të sulmeve fizike.

Pika k – sjellje jo sportive.

Neni 14 (Racizëm, akte diskriminuese dhe propagandë)

Paragrafi 1: Çdo person që fyen dinjitetin njerëzor të një personi apo një grup personash të çfarëdo prejardhjeje, duke përfshirë ngjyrën e lëkurës, racën, fenë apo origjinën etnike dënohet me jo më pak se 10 ndeshje apo një periudhë e specifikuar kohore.

Paragrafi 2: Nëse shkeljet e paragrafit 1 bëhen nga anëtarë të federatës apo tifozë të skuadrës, dënohet edhe fusha.

Paragrafi 3: Nëse bëhet fjalë për përsëritje  atëherë merren masa si humbje e ndeshjes në tavolinë, zbritje pikësh dhe skualifikim nga kompeticioni.

Neni 19 (Përsëritja)

Paragrafi 1: a) Nëse një federatë është përsëritëse për shkeljet, atëherë dënimi i ri është 1 vit, nëse dënimi i parë ka qenë 1 ndeshje.

b) 3 vite vite, nëse dënimi i parë ka qenë 2 ndeshje.

Shqipëria

Ndaj federatës sonë është nisur procedimi për Nenin 16, paragrafi 2, pika e, pra për përdorimin e gjesteve, fjalëve apo mjeteve të tjerë për të transmetuar mesazhet jo të përshtatshëm, me natyre politike e provokuese.

Flamuri i Shqipërisë Etnike, që fluturoi me minikopterin mbi stadiumin e Beogradit erdhi nga jashtë tij (më saktë nga rreth tij, pra për këtë aspekt përgjigjet vendi organizator, paragrafi 1 i nenit 16). Nuk mund të vërtetohet me asnjë provë se flamuri ishte vepër e shqiptarëve, për më tepër që tifozëve tanë u ishte ndaluar pjesëmarrja në stadium dhe shfaqja e simboleve kombëtare.

Rregullorja e Kompeticioneve të UEFA-s

Ndaj Shqipërisë është nisur procedimi disiplinor për shkelje të mundshme të nenit 27, paragrafi 1, ku thuhet:

– Nëse një federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshje apo për mos përfundimin e saj, Trupi Gjykues i Kontrollit dhe i Disiplinës në UEFA merr një vendim për këtë çështje.

Çfarë ndodhi

Pas dhunës në fushë, ku lojtarët shqiptarë u sulmuan dhe u goditën nga tifozët sërbë, disa lojtarë dhe punonjësit e sigurisë, gjyqtari Atkinson i urdhëroi të dy skuadrat të futeshin në dhomat e zhveshjes. Vetë delegati i UEFA-s, Herri Bin deklaroi: “Ne kemi një situatë për keqardhje, për të cilën ne do të raportojmë, zyrtarët e UEFA-s që ishim këtu, unë dhe këshilltari i sigurisë.

Rrethanat ishin të tilla sa që ne nuk kemi mundur ta vazhdojmë ndeshjen. Të gjithë e keni parë se çka ka ndodhur dhe unë nuk mund të komentoj për atë se kush duhet të fajësohet për atë që ka ndodhur. Unë do të raportoj së bashku me kolegët e mi në UEFA dhe ajo do të vendosë se çka do të ndodhë më”. P

ra vetë zyrtari i ndeshjes e pranon se nuk ishin kushtet për të vazhduar ndeshjen dhe për këtë nuk mund të fajësohet kurrsesi dhe të dënohet federata shqiptare, me lojtarët dhe gjithë delegacionin nën dhunën fizike dhe psikologjike.

Asnjë skuadër tjetër në botë dhe asnjë federatë nuk mund të pranonte që ndeshja të rifillonte në ato kushte, kur disa prej lojtarëve ishte të dëmtuar dhe provat në favor të federatës sonë janë të shumta, madje shumë prej tyre mund të gjenden edhe në raportet e gjyqtarit Atkinson, delegatit Bin dhe vëzhguesve apo komisionerëve të UEFA-s për ndeshjen. /SuperSport.al/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com