Diplomati amerikan: Klasa politike në Kosovë e korruptuar, lidhje me krimin e organizuar

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për të ardhmen e Kosovës, pasi sipas një diplomati amerikan në Prishtinë, i cili ka folur në kushte anonimitetit për lajmi.net, korrupsioni brenda politikës kosovare dhe lidhja e kësaj klase me krimin e organizuar ka krijuar një ambient të brishtë, të varfër dhe të pasigurt, që ka ndikuar në rritjen e ekstremizmit fetar.

us

Ky diplomat amerikan, i shqetësuar, ka thënë se klasa politike kosovare duhet që sa më shpejtë të ndërrojë kursin e qeverisjes, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të parandalojë thellimin e mëtutjeshëm të ekstremizmin fetar brenda shoqërisë kosovare, ndryshe pasojat për shtetin e Kosovës do të jenë të paparashikueshme.

“Politikanët kosovarë, pa marrë parasysh se nga cila parti vijnë, deri më tani nuk kanë punuar për të mirën e vendit, por, shumë prej tyre, për qëllim të vetëm kanë pasur interesin personal, partiak, e klanor. I kemi paralajmëruar me dhjetëra herë, individë dhe institucione, shumë kohë përpara, për rrezikun që mund të vije nga këto fenomene që lindin e zhvillohen si pasojë e keqqeverisjes. Por vërejtjet tona janë injoruar, nuk janë marrë parasysh me seriozitet”, ka thënë diplomati amerikan në Prishtinë, duke bërë të ditur se si rrjedhojë e kësaj, Shtetet e Bashkuara tashmë kanë nisur të marrin masa konkrete ndaj individëve përgjegjës për situatën e krijuar në Kosovë.

“Washingtoni, që nga ndërrimi i lideshipit në Ambasadën e Prishtinës, ka ndryshuar qasjen kundrejt lidershipit politik kosovar, duke ju dërguar atyre mesazh të qartë se duhet të ndryshojnë mënyrën e qeverisjes dhe të mos ndjellin kulturë politike të bazuar në korrupsion e krim të organizuar. Prandaj, partitë politike që vazhdojnë tutje me këtë avaz, nuk do të konsiderohen partnere të SHBA-ve”, tha ai.

Diplomati amerikan ka thënë se shumë politikanë kosovarë kanë lidhje të drejtpërdrejt me bosët e krimit të organizuar, iu ndihmojnë atyre në kontrabandë dhe kryerjen e veprimtarive tjera kriminale, përmes ndihmës në procese hetimore apo gjyqësore.

“Disa prej këtyre të ashtuquajturve politikanë as që kanë frikë nga ligji, apo që kanë ndonjë brengë morale se janë duke i ndihmuar kriminelët në ndërmarrjet e tyre. Por, besoj se këta politikanë, edhe pse janë shumë, do të vijë koha kur do duhet të përgjigjen për pasurinë që kanë akumuluar gjatë këtyre viteve. Do të tregojnë nga i morën paratë për vetura që kushtojnë deri në 100 mijë euro!”

“Këta politikanë, të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar kanë krijuar një ambient të tillë që ka ndikuar në rritjen e ekstremizmit fetar dhe pakënaqësive tjera brenda shoqërisë. Kjo pakënaqësi aktualisht është duke u manifestuar me emigrimin e fundvitit 2014 dhe fillimvitit 2015. Gjendja e tillë është shumë shqetësuese, sepse ka shkuar deri në atë masë sa që mund rrezikojë sigurinë nacionale të SHBA-ve dhe progresin drejt shtet-ndërtimit të Kosovës. Prandaj Washingtoni ka marrë masa, dhe që gjendja të mos del jashtë kontrollit, këto masa duhet t’i merr edhe Prishtina”, ka thënë për lajmi.net ky diplomat amerikanë duke shtuar se “shqetësimi i Shteteve të Bashkuara do të duhej ta linte pa gjumë gjithë klasën politike në Kosovë, dhe jo vetëm këtë klasë”. /lajmi.net/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com