Dikur e quante veten ‘mashtrues’, tani synon që ta rrëzojë Guardiolan
13:00 | 06 Janar 2019

Ishte marsi i vitit 2017, kur Rotherham Unitedit i nevojitej mrekullia për ta shmangur rënien nga Championshipi, pas një humbje 5:1 të pësuar nga Queens Park Rangersi.

Paul Warne, i emëruar nga një trajner fitnesi në trajner të përkohshëm të ekipit pas largimit të Kenny Jackett, sot do të përballet me Pep Guardiolan e Manchester Cityn, shkruan BBC, transmeton Insporti

Rotherhami sot do të luajë në udhëtim te Manchester City në ‘Etihad’, për një vend në rundin e katërt të FA Kupës.

“Po kafshoja gojën time, po pështyja gjak, puna më kishte lodhur shumë”, tha trajneri Warne për BBC Sport.

“Nuk po kisha ndonjë ndikim [te ekipi]. Nuk po haja, kisha humbur shumë peshë dhe po jetoja në kafeinë”, tha ai.

“Si lojtar, gjithmonë mendoja se isha një lloj ‘mashtruesi’ sepse rruga ime drejt futbollit ishte ndryshe nga të tjerët. Unë shkova në universitet, luaja në ligë joprofesionale dhe nuk fillova në futbollin profesional deri kur mbusha 23 vjeç”, shton ai.

“Kur u caktova në rolin e trajnerit, mendova se i kisha vjedhur mundësinë dikujt tjetër, sepse menaxhimi nuk ishte diçka që kisha synim të bëja”, zbulon ai.


Paul Warne (djathtas) me mbrojtësin Richard Wood pas fitores ndaj Shrewsburyt në finalen e play-offit të League One, në muajin maj në ‘Wembley’

Dy vite më pas, ky ‘mashtrues’ do të përballet me Manchester Cityn e Pep Guardiolas në rundin e tretë të FA Cup.

Muajt e fundit, Warne ka motivuar futbollistët e tij duke i detyruar ata që të mbajnë fjalime në sy të njëri tjetrit për të dashurit e tyre – ka organizuar video mesazhe nga anëtarët e familjeve të futbollistëve dhe i ka shfaqur ato para ndeshjeve – u ka dërguar mesazhe telefoni stafit të ekipit duke kërkuar falje për humbjet e pësuara – si dhe ka ftuar për mish në skarë lojtarët dhe familjet e tyre.

“Unë flas me lojtarët gjatë gjithë kohës për familjet e tyre dhe dëshiroj që ata të kenë një marrëdhënie në dhomat e zhveshjes ku ata me të vërtetë do të kenë ndjenja për njëri-tjetrin”, tha 45-vjeçari që me profesion është mësues, përcjell Insporti

Rotherhami ishte një ekip në krizë – në fundin e tabelës në Championship, 11 pikë larg zonës së sigurisë – kur Warne u emërua në krye të ekipit në nëntor të 2016-tës.

Ai me Rotherhamin bëri 260 paraqitje si lojtar në gjithsej 10 sezone dhe ishte një prej të preferuarve te tifozët, por nuk arriti që t’i shpëtojë ata nga rënia në League One në sezonin e parë si trajner.


Warne (djathtas) me një tifoz

Përkundër rënies nga liga, Warne pati mundësinë që ta ngrisë sërish Rotherhamin në Championship, pasi u konfirmua në rolin e trajnerit, nga pozita e trajnerit të përkohshëm.

Rotherham United e mundi Shrewsbury Town në finalen play-offit të League One duke arritur që të ngriten në Championship, dhe tani i pret detyra e vështirë e përballjes me një gjigant si Manchester City në ndeshjen e kupës.

Por, e diela nuk do të jetë hera e parë kur ai do të takohet me Pep Guardiolan.

Të dy trajnerët u takuan edhe në muajin nëntor, në një ceremoni të çmimeve në Manchester.

“Nuk patëm ndonjë bisedë të gjatë, ishte më shumë një kërkesë e imja për një foto”, shpjegon trajneri i Rotherhamit.

Ndeshja e FA Kupës në mes të Manchester Cityt e Rotherham United do të zhvillohet sot, me fillim nga ora 15:00 në ‘Etihad’. /Insporti.com

The post Dikur e quante veten ‘mashtrues’, tani synon që ta rrëzojë Guardiolan appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Kejvina Kthella