“Der Standard”: Greqinë e pret fati i Kosovës

0

Euroizimi i njëanshëm, i kryer nga Mali i Zi dhe Kosova, të cilat nuk i përkasin Eurozonës dhe Sistemit evropian të bankave qendrore, mund të jetë një model teorik për Greqinë pas largimit nga Eurozona, vlerëson e përditshmja vjeneze “Der Standard”.

Greec

Eksperti ekonomik kosovar, Kujtim Dobruna për gazetën vjeneze thotë se euroizimi i njëanshëm, Kosovës i solli stabilitet të lartë të çmimeve dhe minimizim të rrezikut të ndryshimeve të kursit të këmbimit.

Ana negative, siç shpjegon ai, është se Kosova pothuajse nuk ka ndonjë instrument të politikës monetare, transmeton Telegrafi.
Për ekonomitë e vogla si Mali i Zi dhe Kosova, sipas tij, kjo ka kuptimin e një regjimi të fiksuar të kursit të këmbimit kundrejt euros, pasi që mundësitë e tyre për të mbajtur politikën monetare të pavarur janë të kufizuara.

E përditshmja vjeneze kujton se Mali i Zi në vitin 2002, shkaku i humbjes së besimit në dinarin, huazoi si monedhë euron.

Dobruna kujton se dinari në tregun e Kosovës u zëvendësua me markën gjermane, dhe me këtë sigurisht është menduar edhe futja e euros, e cila është përdorur në Monako, Andorra, San Marino, Vatikani dhe territoret franceze jashtë Francës.

Në kontrast me Malin e Zi, shtoi ai, Kosova me Bankën Qendrore Evropiane (EZB) ka një marrëveshje të euroizimit.
Por, Banka qendrore e Gjermanisë “Bundesbank” për “Der Standard” ka konfirmuar se nuk është e përfshirë në futjen e euros në Kosovë, ndërsa ky institucioni financiar në lidhje me Malin e Zi nuk kishte përgjigje.

Bundesbank, megjithatë, thekson se Austria kishte rol qendror në euroizimin e Malit të Zi dhe Kosovës, ku vazhdon ende të luajë rol të rëndësishëm.

Zëdhënësi i Bankës Kombëtare të Austrisë, Christian Gutlederer tha për “Der Standard” se “është e vërtetë se banka austriake kryen disa furnizime, por nëpërmjet bankave komerciale austriake”.

Në bllokun e euros, përveç vendeve të Eurozonës dhe vendeve të euroizmit, ka vende që kanë rregulluar kursin e këmbimit të monedhës së saj kundër euros. Në mesin e këtyre vendeve janë Danimarka, Bullgaria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa Kroacia vetëm përkohësisht e ka stabilizuar monedhën e saj me euron.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com