Demarkimi i kufirit, ministri serb thotë se Mali i Zi dhe Maqedonia i frikësohen këtij procesi
09:54 | 21 Tetor 2018

“Është edhe më shumë hipokrizi kur përfaqësues të fuqive të mëdha të cilat përkrahin këtë Ushtri, thonë se kjo është një mundësi e mirë e serbëve që të bëhen pjesë e Kosovës multietnike. Për ne formimi i një ushtrie paramilitare është e papranueshme”, ka thënë Vulin për SETtimes.

Sipas Vulin, KFOR-i është dhe mbetet faktori kryesor për ruajtjen e paqes në Kosovë, dhe formimi  i Ushtrisë është i panevojshëm.

Vulin foli edhe për mundësinë e demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të marrëveshjes përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit, ku tha se sipas tij një proces i tillë do të përforcojë pozicionet e Serbisë.

“Sa më shpejtë që të arrijmë demarkimin e kufirit me “Shqipërinë e Madhe”, aq më shpejtë do të jemi në gjendje që të ndalim zgjerimin e saj si dhe të forcojmë pozitën tonë. Procesi i zgjidhjes për serbët do të fillojë kur të ndahemi me shqiptarët. Është koha për Serbinë që të mendojë vetëm për vete dhe qytetarët e saj”, tha ai.

Vulin tutje tha se ideja e ndryshimit të kufijve kundërshtohet më së shumti nga shtetet e regjonit të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, të njëjtat tani janë të frikësuara nga krijimi i “Shqipërisë së Madhe” përgjatë territoreve të tyre.

E siç thotë ai, kjo është arsyeja pse politikanë nga Shqipëria dhe Maqedonia po kërkojnë nga Beogradi heqjen dorë nga interesat e veta në mënyrë që të justifikojnë ndryshimin e kufinjve në territoret e tyre./Lajmi.net/

Alesia Bami