De Biasi zbulon sekretet e suksesit të Shqipërisë

0

De Biasi
Gianni de Biasi është trajneri më i miri i të gjithë kohërave me Kombëtaren shqiptare. Nuk na ka mundur askush në fushë në këto kualifikuese. Dua t’i çoj shqiptarët në finalet e Euro 2016.

Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi ende i ka të ngrohta emocionet e fitores ndaj Armenisë, edhe pse nga triumfi 2-1 në “Elbasan Arena” kanë kaluar pesë ditë.

Trajneri italian rrëfen në një intervistë ekskluzive për gazetën “Standard” të gjitha sekretet që e kanë shndërruar atë në drejtuesin më të suksesshëm në bankinën kuqezi: me numrin më të madh të pikëve të marra nga katër ndeshjet e para (7) dhe numrin më të madh të fitoreve të regjistruara (11), më shumë se çdo homolog i tij gjatë gjithë historisë së Kuqezinjve.

-Mister, fitorja ndaj Armenisë (2-1) në Elbasan të dielën ishte e dyta në këtë edicion pas asaj ndaj Portugalisë në Aveiro shtatorin e vitit të kaluar. Si e përjetuat?

– Janë që të dyja fitore të rëndësishme në këto katër ndeshje të luajtura deri tani. Ajo ndaj Portugalisë u arrit në transfertë dhe kanë kaluar disa muaj, kurse kjo me Armeninë të dielën e kaluar ishte e para përballë tifozëve tanë. Kjo i dha edhe më shumë bukuri fitores. Të dyja fitoret, së bashku edhe barazimin me Danimarkën, na kanë dhënë pikë të rëndësishme në objektivin tonë.

– Tashmë kemi luajtur me të gjithë kundërshtarët tanë në grup. Çfarë do të veçonit?

– Mendoj se, është i rëndësishëm është fakti se, ne jemi skuadra e vetme në grupin tonë (I), që nuk kemi pësuar asnjë humbje në katër ndeshjet e para të zhvilluara deri tani. Jemi mundur vetëm në gjykatën e UEFA-s, pas vendimit që dha ajo për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë në Beograd.

– Keni vendosur në Shqipëri një rekord të ri përsa u përket pikëve të grumbulluara në katër ndeshjet e para, me 7 të tilla…

– Nuk e kam parë kurrë detyrën time si trajner për të vendosur apo thyer rekorde personale, por për të arritur objektiva të mëdha që i kam vendosur vetes me Kombëtaren shqiptare. Janë ato që kanë peshë. Ajo që është më e rëndësishme për mua, ka të bëjë me faktin se tre vjet më parë filluam një projekt të ri, me lojtarë të rinj dhe tani kemi këto rezultate.

– Fitorja ndaj Armenisë ishte e 11-ta në 29 ndeshje të drejtuara prej jush, duke kaluar kështu gjermanin Hans-Peter Brigel me 10 ndeshje. Çfarë do të thotë për ju?

– Sigurisht që, më jep kënaqësi ky fakt, por për momentin i konsideroj vetëm numra, asgjë më shumë. Një trajner synon gjithmonë ta fitojë çdo takim, pavarësisht kundërshtarit që ka përballë.

– Revolucioni “De Biazi” i ka dhënë një fytyrë të re skuadrës, por dhe ambicie të mëdha lojtarëve. Cili është sekreti i punës suaj?

– Është e vërtetë që, kemi në grup lojtarë të shkëlqyer që mund të na japin një dorë për të realizuar objektiva të rëndësishme. Në këto tre vite që e drejtoj Kombëtaren shqiptare, besoj se janë 48 lojtarë që kanë pasur mundësinë të thirren, grumbullohen apo të luajnë për Shqipërinë. E rëndësishme është që kemi një grup miks lojtarësh me shumë përvojë, por dhe të rinj që mund të jenë pjesë edhe e eliminatoreve të Kampionatit Botëror 2018. Besoj se të paktën, për pesë vitet e ardhshme kemi një lojtarë, që po të punojnë mirë do të jenë ndër skuadrat më të forta në Europë.

– De Biasi, Shqipëria ka shtatë pikë, ndërkohë që dy rivalët direkt për vendin e tretë, Serbia dhe Armenia kanë vetëm një pikë. Ndeshja e ardhshme është ajo me Danimarkën në Kopenhagen, që ka po shtatë pikë sa ne…

– Po, është një ndeshje vendimtare, tepër e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Duhet të dini se në katër ditë do të luajmë kundër Danimarkës në Kopenhagen dhe ndaj Portugalisë në Elbasan, e që janë sigurisht dy skuadrat më të forta të grupit tonë dhe këtë e kanë dëshmuar atë. Duhet të japim më të mirën tonë. Nëse do të marrim rezultate pozitiv, pra pikë, mund të them se shanset tona për në finalet e Europianit rriten maksimalisht, pasi tashmë i kemi shtatë pikë.

– Shqipëria është në pritje të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në lidhje me Serbinë. A besoni në drejtësinë e saj?

– Uroj që më 17 prill të marrim edhe fitoren në tavolinë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për të vendosur drejtësi, pasi mendoj se vendimet e mëparshme nuk ka qenë të drejta për ne. Kemi humbur në tavolinë në mënyrë të padrejtë me Serbinë. Nuk kemi humbur në fushë, por në tavolinë.

– Në shtypin e huaj flasin gjithmonë për Shqipërinë e De Biazit si një nga surprizat më befasuese të eliminatoreve të këtij Europiani. Cfarë kënaqësie të jep?

– Për të qënë i sinqertë, nuk më japin asnjë emocion të veçantë ato që lexoj në media. Emocionet e vërteta i përjetoj gjatë ndeshjeve, së bashku me lojtarët, me tifozët. Kur ata ndihen mirë, edhe jam i kënaqur. Kënaqem dhe vuaj së bashku me ta.

– Në qershor do të luajmë miqësoren e dytë me Francën, por kësaj radhe në Elbasan. Në Renë barazuam 1-1. A do të provoni sërish të eksperimentoni me skemat?

– Me Francën do të jetë një ndeshje prestigji. Ajo do të luhet pas përfundimi të kampionateve në Europë dhe lojtarët që do të thërras do të varen nga forma e tyre. Sigurisht, që kam mundësinë të aktivizoj më shumë lojtarë.

– Zoti De Biasi, stafi juaj teknik është një miks midis italianëve dhe shqiptarëve. Sa ju ka ndihmuar në arritjen e sukseseve me Kombëtaren?

– Stafi im është shumë profesionist përsa i përket nivelit teknik të tyre. Ka bërë një punë të shkëlqyer dhe unë dua t’i falënderoj të gjithë. Ndër bashkëpunëtorët e mi, sigurisht që i pari është Paolo Tramexani, me të cilin po bashkëpunoj që nga dita e parë, që kur morra përsipër të drejtoja Shqipërinë. Tramexani po bën një punë të shkëlqyer nga të gjitha këndvështrimet, si në fushën e lojës ashtu edhe në atë të ndjekjes së lojtarëve gjatë ndeshjeve të tyre me skuadrat ku ata luajnë. Trajneri i fitnesit, Alberto Bele ka bërë një punë të mirë gjithashtu një punë të lavdërueshme me lojtarët. Edhe trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, po bën një punë të mirë me portierët, si me Etrit Berishën, Alban Hoxhën dhe Orges Shehin. I fundit që ka ardhur në staf është Altin Lala, një njeri që e njeh mirë ambientin e Kombëtares dhe më ka ndihmuar shumë, pavarësisht se drejton edhe Shqipërinë U-19.

Ndeshjet e Shqipërisë në kualifikimet Euro 2016

Portugali-Shqipëri 0-1

Shqipëri-Danimarkë 1-1

Serbi-Shqipëri* 3-0

Shqipëri-Armeni 2-1

4 N: 2F, 1B, 1H, 4 pikë

*Rezultat në tavolinë

RENDTIJA E GRUPIT I

Ekipet N F B H F A P

Portugalia 4 3 0 1 4 2 9

Danimarka 4 2 1 1 6 4 7

Shqipëria 4 2 1 1 3 4 7

Serbia 4 1 1 2 6 7 1

Armenia 4 0 1 3 3 5 1

Shënim: Serbisë i janë hequr 3 pikë nga UEFA pas incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri, 14 tetor 2014.

Bilanci i De Biasit

29 ndeshje

11 fitore

7 barazime

11 humbje

Vendi i 33-të

Kombëtarja shqiptare renditet e 63-ta në ranglistën e FIFA-s për muajin shkurt 2015, por sigurisht në muajin prill pritet të jemi në një vend më të mirë.

Dy fushata

Italiani Xhani De Biazi është nga 14 dhjetori i vitit 2011 trajneri i Shqipërisë. Ai është i pari i huaj që e drejton Kombëtaren tonë në dy fushata kualifikuese.

87 ndeshje në Evropianë

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 87 ndeshje në eliminatoret e Kampionateve Europiane. Ajo ka një bilanc negativ: 14 fitore, 22 barazime dhe 51 humbje. Edhe golaverazhi është negativ: 66 gola të shënuar, 156 të shënuar.

Vrasësi i trajnerëve

Xhani De Biazi është shndërruar një “vrasës” trajnerësh në këtë edicion kualifikues. Paulo Bento u shkarkua pas humbjes 1-0 të Portugalisë në Aveiro, holandezi Dik Advokat pas ndeshjes së ndërprerë në Beograd. Edhe zvicerani Bernard Shaland u shkarkua nga Armenia.

Poliglot i lindur

Xhani De Biazi dallohet për pasionin e tij për gjuhët e huaja, dhe për shfrytëzimin në maksimum kohën e lirë të tij midis impenjimeve të kombëtares dhe punës së opinionistit sportiv të rrjeteve më të mëdha televizive në Itali. Ai flet italisht, anglisht dhe frëngjisht.

Pesë fitoret në ndeshjet zyrtare

Trajneri Xhani De Biazi ka arritur vetëm pesë fitore në ndeshjet e tij zyrtare me Shqipërinë dhe gjashtë në ato miqësore në 29 ndeshjet e tij me Kombëtaren. Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë. Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e “Brazil 2014”. Armando Sadiku (36’), Edgar Çani (84’) dhe një supergol i Erjon Bogdanit (87’). Golin e vetëm për qipriotët e shënoi Vinsent Laban (45+2’). Pas dy humbjeve rresht: 2-0 me Zvicrën në Gjenevë dhe 2-1 me Islandën në Tiranë, Kombëtarja u rikthye te fitorja, duke mposhtur 1-0 Slloveninë në “Qemal Stafa”. Gjithçka u vendos nga një gol i bukur Odise Roshit në minutën e 37-të të takimit. Fitorja e tretë është ajo kundër Norvegjisë, në “Uleval” të Oslos, falë një supergoli të realizuar nga Hamdi Salihi në minutën e 67-të. Kjo ishte dhe fitorja e dytë që Shqipëria ka arritur në transfertë, pas asaj 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel). Fitorja e katërt është ajo ndaj Portugalisë për eliminatoret e Euro 2016: 1-0 në Aveiro, e firmos me një gol të mrekullueshëm nga Bekim Balaj në minutën e 52-të. Fitorja e pestë është ajo me Armeninë (2-1), por për eliminatoret e Euro 2016 me golat e Mërgim Mavrajt (77’) dhe Shkëlzen Gashit (81’).

14 fitoret e Shqipërisë në eliminatoret e Europianëve

Fitorja e parë është ajo me Danimarkën në vitin 30 gusht 1963, e fundit me Armeinë më 29 mars 2015

Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në eliminatoret e Euro 1964, që nuk kishte formulën e eliminatoreve në grupe siç e kemi sot, por me eliminim direkt. Në raundin e parë në short na ra Greqia, ndaj së cilësi i morëm të dyja ndeshjet aforfe 3-0, pas ajo refuzoi të luante kundër Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 1964. Kombëtarja jonë ka regjistruar 14 fitore në gjatë 87 ndeshjeve eliminatore për Kampionatet Europiane. Telesport.al bën një rishikim statistikor të tyre. Fitorja e para fitore historike i përket Zyber Konçit në triumfin 1-0 kundër Danimarkës në turin e dytë kualifikues të Euro 1964-s (30.08.1963) me një gol brenda 180 sekondave të para të realizuar nga Panajot Pano. Fitore të bujshme janë ato me Turqinë (3-0, Euro 1972) kur në bankinë ishte Loro Boriçi: autorët e golave janë Ilir Përnaska (2) dhe Panajot Pano. Neptun Bajko regjistroi dy fitoret e tij, kundër të njëjtit kundërshtar: Moldavisë, 3-0 në Tiranë (Kushta 2, Kaçaj) dhe 3-2 në Kishinau (Kushta, Bellaj, Vata), kjo e fundit e para fitore në transfertë. Trajneri Astrit Hafizi fitoi 2-1 me Gjeorgjinë (Rraklli, Kola) për eliminatoret e Euro 2000. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari nga trajnerët e huaj që ka fituar një ndeshje për eliminatoret e Europianëve, atë me Rusinë (3-1, golat nga Rraklli, Tare, Lala), të pasuar më pas me Gjeorgjinë (3-1: Hasi, Tare, Bushi). Kroati Oto Bariç i shijoi fitoret e tij kundër Luksemburgut: 2-0 në “Qemal Stafa” (Kapllani, Haxhi) dhe 3-0 në Luksemburg (Kapllani 2, Skela), fitorja e dytë në transfertë e Shqipërisë. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi 3-0 kundër Maltës modeste me golat Bogdanit, Duros dhe Dallkut. I ndjeri Josip Kuzhe fitoi 1-0 me Luksemburgun (gol i Hamdi Salihit) dhe po 1-0 me Bjellorusinë (Hamdi Salihi), për eliminatoret e Euro 2012. Italiani Xhani De Biazi e ka arritur fitoren e parë të tij me Portugalinë (1-0), me golin e Bekim Balajt dhe të dytën me Armeninë (2-1) me golat e Mërgim Mavrajt dhe Shkëlzen Gashit.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com