De Biasi i pakënaqur me golin e pësuar

0

de bias

Pas fitores prej 3:1 trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi ka thënë se skuadra bëri një punë të mirë, por kritikoi fillimin e ndeshjes për shkak të golit që pësoi në minutën e parë.

“Tani jam i kënaqur sepse sapo mbaruam së ngrëni dhe bëmë një punë të mirë. Ishte një ndeshje deri diku e mirë. Në pjesën e parë provova idetë që kisha në mendje pas gjithë këtyre ditëve grumbullim. Përveç minutës së parë, ku u duk se skuadra nuk kishte dalë nga tuneli, pjesa tjetër ishte përgjithësisht pozitive”, është shprehur De Biasi.

“Nuk e kuptoj. Pësuam një gol edhe më të shpejt se herët e tjera. Kur nisi loja, në vend që ta luanim topin përpara e kaluam mbrapa. Pësuam një gol budalla. Duhet të punojmë shumë në këtë pikë, pasi episode të tilla bëjnë diferencën në Europian”, ka thënë trajneri italian, transmeton Supersport.

“Shënoi Sadiku. Ndonjëherë mjafton të shënosh një gol në ndeshje. Do të shënojnë kur të vijë momenti, nuk duhet të shqetësohemi. Kemi punuar shumë gjatë kësaj jave dhe lojtarët kanë lodhje në këmbë. Mendoj që sulmuesit do të jenë në formë optimale fizike në Francë”, tha ai.

Trajneri kuqezi sqaroi zgjedhjet e tij për formacionin titullar dhe vendimin për t’ia lënë shiritin e kapitenit, mbrojtësit 22-vjeçar Elseid Hysaj.

“Fusha dhe stërvitja e vendos atë që luan. Lojtarët në fushë nuk përcaktohen nga emrat. Futbolli është një sport demokratik dhe nuk njeh hierarki. Zgjedhjet e mia janë bërë gjithmonë në bazë të asaj që lojtarët japin në fushë dhe jo nga emri. Hysaj kapiten? Është një lojtar që mund të luajë edhe për 10 vjet me Kombëtaren. Ka kualitetin për ta bërë këtë detyrë. Është pjesë e skuadrës prej vitit 2013 dhe ishte e drejtë që t’i jepnim shiritin pas sezonit të shkëlqyer me Napolin dhe eksperiencën ndërkombëtare që ka”, ka thënë De Biasi.

Si zakonisht, De Biasi nuk jep nota për ndeshjen, të paktën jo publikisht.

“Nuk i jap asnjëherë nota. Unë notat i kam personale dhe i mbaj për vete. Ato nota vlejnë me të vërtetë”, është shprehur ai.Kur kanë mbetur pak orë nga shpallja e listës zyrtare me 23 kuqezinjtë që do të udhëtojnë drejt Francës, trajneri nuk zbuloi detaje.

“Edhe nëse ndonjë prej titullarëve ndaj Katarit do ta kishte humbur vendin në skuadër nuk do ta thosha tani. Ua kam treguar se kur do ta zbuloj listën përfundimtare”, ka përfunduar De Biasi.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com