De Biasi afër punës së re, e konfirmon vetë trajneri
09:23 | 11 Dhjetor 2018

Pritjes së Gianni De Biasit, për të marrë drejtimin e një përfaqësueseje duket se po i vjen fundi. Trajneri italian, që zotëron edhe pasaportën shqiptare, në një intervistë për mediat italiane e pranoi se është gati të emërohet trajner i një kombëtareje, por pa e thënë hapur emrin.

Tekniku italian me shumë gjasë do të emërohet trajner te Azerbajxhani, ekip që dështoi të kualifikohej në fazën “play off” të Nations League në një grup që u dominua nga Kosova.

Trajneri i Azerbajxhanit, Gurban Gurbanov, u shkarkua nga detyra pas ndeshjes së fundit me “Dardanët”, ndaj federata e futbollit të këtij vendi është në kërkim të një trajneri ambicioz të huaj, që ka dhënë prova se mund të bëtë diçka të madhe me një ekip të vogël.

Kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, është një prej qyteteve që do të presë ndeshje të Euro 2020, ndaj ka interes të madh për të afruar një trajner i cili ka përvojë në kampionate evropiane.

Për herë të fundit De Biasi ka qenë në krye të një skuadre më shumë se një vit më parë, kur drejtonte Alaves në Spanjë, nga ku u shkarkua për rezultate të dobëta. Shqipëria mbetet pika më e lartë e karrierës së tij si trajner.

The post De Biasi afër punës së re, e konfirmon vetë trajneri appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Kejvina Kthella