Danaj: Bashkimi kombëtar shpejtë do ndodhë

2

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ka për të ndodhur shumë shpejt, sepse Shqipëria nuk do pranohet në BE pa Kosovën. Kështu deklaron kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj.

Danaj
Për Danajn ka ardhur koha që ne si shqiptarë të mos bëjmë vetëm thjesht deklarata, por të hartojmë një platformë të qartë të bashkimit dhe t’ia prezantojmë atë Brukselit. Kur e thotë këtë, Danaj bazohet në deklaratën e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilën e quan një paralajmërim për bashkimin dhe jo një provokim.

Për të, bashkimi i shqiptarëve pasqyrohet më së miri te përbërja e kombëtares shqiptare të futbollit, apo te unifikimi i kurrikulave arsimore, doganave e gjithë marrëveshjeve të tjera që kanë dalë nga mbledhjet e dy qeverive. Por, bashkimi i vërtetë është ai i gjithë kombit shqiptar, i të gjitha trojeve shqiptare nën një qeveri të vetme.

“Nuk kemi të bëjmë me një provokim, kemi të bëjmë me një reagim. Po ju sjell një shembull: reagimi i Ambasadës Amerikane ishte pa emër. Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-ve u shpreh se ndoshta nuk ka ardhur koha për gjëra të tilla. SHBA, kur do të prononcohet për një problem, në të gjithë hapësirën e kombit shqiptar, flet me emra, me emër ambasadori e me emër këshilltari, me emër zëdhënësi të Departamentit të Shtetit etj. Këtë herë pa emër”, thotë ai.

Se a është me rrezik ky bashkim dhe se a do të ngjallte konflikte dhe reagime të shteteve tjera, Danaj përmend rastin e fundit në Maqedoni. Ngjarjet e fundit në këtë vend, sipas tij, tregojnë se shqiptarët në Maqedoni janë të fyer dhe nuk do të durojnë më.

“A doni të mos ketë rrezik, lërini shqiptarët të bashkohen”, tha Danaj. “Shqiptarët janë të përçarë në disa shtete. Bashkojini shqiptarët dhe nuk do kini më asnjë shqiptar që të shkojë të kërkojë azil në asnjë vend të BE-së. Përkundrazi, do të jenë të huajt që do vijnë në Shqipëri”.

Danaj fajëson politikanët e Kosovës që për hir të kolltukut nuk nxjerrin zë. Ndërsa, shton se bashkimi i shqiptarëve do t’i shërbente edhe rajonit e edhe BE-së, sepse është një faktor stabiliteti në rajon.

“Kështu do t’i kursejmë edhe qindra milionë euro BE-së, ose këto qindra milionë euro qe sot i harxhon për mbi 90-të zëvendësministra në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup. Sot kemi tri administrata, nesër do të kemi një. Pra, këto qindra miliona euro ose do t’i marr kombi shqiptar për mirëqenien e tij. Të gjithë përfitojnë nga bashkimi i shqiptarëve dhe të gjithë humbasin nga ky copëtim kriminal i shqiptarëve”, thotë ai. “Në Evropë nuk bashkohen kombet, por bashkohen shtetet. Dini ndonjë komb të jetë bashkuar në Evropë? Pse nuk priti Gjermania Lindore të bashkohej në Evropë”?

E, kur komenton se pse BE nuk pranon bashkimin e shqiptarëve, ai sërish fajëson liderët tanë se kanë mungesë të platformës.

“Brukseli kërkon platformë. Tirana e ka në Kushtetutë që bashkimi shqiptar është aspiratë e ligjshme. Bukur. Ulu e zbërtheje. Le të hartojmë platformën dhe t’ia dorëzojmë Brukselit. Atëherë ke të drejtë të thuash do apo nuk do Brukseli. Mund të mos dojë Brukseli, që nuk donte as bombardimin e Beogradit. Por, do Amerika, e cila kombin shqiptar e ka aleatin e saj strategjik”.

Krejt në fund, Danaj e mbyll këtë intervistë duke thënë se Shqipëria nuk do hyjë në BE pa u bashkuar me Kosovën dhe me trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të ZI dhe në Luginën e Preshevës.

“Bashkimi i shqiptarëve nuk është larg”. /KosovaPress/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

2 Komente

  1. Te lumte goja , z. Danaj ! Vetem neglizhenca e udheheqesve tane mund ta vonoj bashkimin kombetar !

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com