Çka po ndodh me fatin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës?

0

Shqiptarët që jetojnë në tre komunat shqiptare që ndodhen në Serbi janë të diskriminuar dhe të drejtat e tyre janë të nëpërkëmbura vazhdimisht. Por e kundërta ndodh në Kosovë. Pakica serbe shpërblehet me asosacion, duke përftuar të drejta më shumë se çfarë ju takon.

Kandidat për Kryetar i Komunës Preshev Xhelal Memeti

Kandidat për Kryetar i Komunës Preshev Xhelal Memeti

Politika vendore e Preshevës në këto vite ka ndjekur një politikë kundër interesave të popullatës së vet, duke e degraduar në vazhdimësi Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Popullata shqiptare në Luginë keqtrajtohet deri në atë masë, sa ju ndalohen edhe librat për lexim fëmijëve, qenieve më të pafajshme, në një nga pjesët më të prapambetura të rajonit të Ballkanit. Në Luginë, papunësia ka arritur nivele të frikshme deri 90%, ndërsa ritmet e shpërnguljes së shqiptarëve janë alarmante. Vetëm në Medvegjë është shpërngulur 80% e popullatës shqiptare. Qytetin e Preshevës, si edhe Bujanocin dhe Medvegjën i kanë shëndërruar në qytete pa prespektivë dhe mundësi jetese. Janë qytete që vetëm emrin kanë të tillë, pasi janë zhveshur dhe janë lënë pa intitucione, pa infrastrukturë dhe pa ekonomi, prodhimi është në minimumin e mundshëm, bujqësia dhe blektoria janë të shkatërruara, ndërsa për plane ekonomike as që mund të flitet.

Dhe si për të “falenderuar” për gjithë këtë gjendje katastrofike që po jeton Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, drejtuesit komunal të Preshevës “shpërblejnë” me mirënjohje kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç,

Drejtuesit në Preshëvë fituan të drejtën ligjore të udhëheqin pushtetin lokal në emër të patriotizmit, por sot me veprimet e tyre ata kanë dëshmuar se kanë humbur përfundimisht të drejtën morale për të vazhduar qeverisjen. Mungesa e nderimit që treguan ndaj viktimave të luftës së pastër dhe patriotike që u krye më 2001 në Luginë, lojrat dhe papërgjegjshmëria e treguar me vendosjen e emrave në Lapidar, bëri që t’i fyenit thellë shqiptarët në ndjenjat e tyre për kombin.

Si një qytetar i Preshëvës, që e dua vendin tim, por që ndihem si gjithë banorët e Preshevës i papërfillur në të drejtat legjitime njerëzore, i pambrojtur nga klasa politike udhëheqëse e komunës së Preshevës, kam detyrimin dhe të drejtën humane t’ju parashtroj pyetjet: Pse nuk e kemi të drejtë ne shqiptarët të mbajmë flamurin tonë

kombëtar kuq e zi? Pse nuk kemi në shkolla për fëmijët tanë libra shqip, ku ata të mësojnë gjuhën dhe historinë e të parëve të tyre? Pse nuk kemi zhvillim të bujqësisë, blektorisë apo dhe të bizneseve të vogla dhe të mesme në Luginë? Pse kemi një infrastrukturë të shkatërruar totalisht? Pse kemi 90% të pa punë, ndërkohë që familjarët, të afërmit dhe militantët tuaj kanë 2 apo 3 punë njëkohësisht, duke keqpërdorur kështu fondet publike? Pse kemi një rini pa perspektivë? Pse kemi një shpërngulje kaq të madhe të popullatës shqiptare nga trojet e tyre? Pse kemi shtëpi të kulturës, ku nuk bëhet as kulturë dhe as teatër aty? Duke e lënë Luginën në këtë gjendje vajtuese, ju jeni fajtor për gjithçka që i keni shkaktuar dhe po i shkaktoni këtyre trojeve, duke lënë kështu një njollë të zezë në historinë e Luginës.

Gjithçka që ka ndodhur dhe po vijon të na ndodhi ne shqiptarëve në Luginë, kanë lënë plagë të mëdha në brendësinë tonë dhe që na dhëmbin më shumë se plaga e pushkës. Ndaj sot, është kohë për ndërgjegjësim dhe në zgjedhjet e ardhshme vendore kjo politikë antishqiptare duhet ndërshkuar me votën tonë. Tash është koha për bashkim, ku edhe rinia duhet të vendos për të ardhmen e saj. Vetëm të bashkuar mund të ndalojmë degradimin e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe t’i shpëtojmë trojet shqiptare nga shkaktarët e vujtjeve tona.

Xhelal Memeti (Xhim Presheva )

Kandidat për Kryetar i Komunës Preshevë

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com