ÇËSHTJA E EKSTREMIZMIT SIPAS FESË ISLAME

0
Shkruan: Ragmi Destani

Shkruan: Ragmi Destani

Ekstremizmi aktualisht është problem global që bëhet nga shtete, grupacione apo individ me emërtime të ndryshme. Pra nuk përcaktohet vetëm në individ.

Ai nuk njeh as fe as komb e as shoqëri të caktuar, por njeh vetëm interesin dhe qëllim e caktuar se përse e bënë atë krim.

Në moment kur përmendet Ekstremizëm, automatikisht largohet nga ai feja, sepse të gjitha fetë, qofshin ato qiellore si Islami, krishterizmi apo hebreizmi, apo ato tokësore si Hinduizmi, Budizmi etj. Të gjithat rrënjësisht në mësimet e tyre janë kundër dhunës, varasjes, dhe padrejtësive, dhe të gjithat ftojnë në tolerancë, bashkjetesë dhe bamirësi.

Për të orientuar më mirë këtë temë duhet të kuptojmë se, Termi Ekstremizëm fetar apo ekstremizëm Islamik është aspak i pranuar, sepse nuk mund të jetë edhe ekstremizëm edhe fetar, apo edhe ekstremizëm edhe islamik.

Por mund të ketë ekstremizëm në emër të fesë apo ekstremizëm në emër të islamit.

Pra, këtu kemi një keqpërdorim të qëllimshëm të termit ekstremizëm në emër të fesë në përgjithësi dhe në emër të islamit në veçanti, për të kryer veprime agresive në emër të tyre, që ato veprime të marrin përkrahjen sa më të madhe të njerëzve dhe të kenë si arsyetim të pranuar veprimet e tyre.

Nëse një veprim agresiv që ndodhë nëpër botë në emër të fesë, nga kushdo që paraqitet ai, automatikisht është në kundërshtim me fenë islame. Sepse feja islame, në asnjë ajet Kuranor, dhe asnjë fjalë e Muhamedit a.s. nuk përmban as dhunë, as veprim ekstrem, as agresivitet, as nxitje për urrejtje apo luftë. Por vetëm e kundërta e kësaj. Atëherë nga na del se ekziston ekstremizëm Islamik.

Zoti në Kuran na urdhëron duke thënë: “ Nuk ka dhunë në fe ( ose për fe )”. Sepse feja është bindje individuale, dhe çdo imponim për pranim të fesë apo veprim të fesë, nuk llogaritet e pranuar te Zoti, sepse kërkohet bindja individuale e lirë e individit.

Shkencëtarët e Hadithit ( thënieve të Muhamedit a.s. ) i kan llogaritur se thëniet e Muhamedit a.s. janë rreth një milion ose mbi një milion thënie.

Rreth 80 % e tyre flasin për moralin dhe rregullimin e jetës së përditshme, kurse vetëm rreth

20 % e tyre flasin për adhurime, gjëra historike dhe çështje të botës tjetër.

Porositë e Kuranit dhe të Muhamedit a.s. për urtësi, butësi, sjellje morale të mirë, tolerancë e tjera janë të shumta. Sa që në një hadith Muhamedi a.s. potencon se besimtari i butë dhe i qetë në jetën e tij, do të hyn në xhenet 500 vite para atij që është i ashpër dhe agresiv, edhe pse mund ti kenë veprimet e njejta para Zotit.

Po të jetonte Muhamedi a.s. në kohën tonë do të ishte njeriu më i moderur se të gjithë ne , sepse ai në kohën e tij është munduar që në saje të mundësive që kishin, te kenë një moderim dhe civilizim maksimal. Sepse burimi i moderimit dhe civilizimit bashkohorë lind pikërisht me Kuranin dhe praktikën e Muhamedit a.s.

Islami është fe paqe dhe tolerante ndaj të gjithë njerëzve të botës, pavarësisht dallimeve mes tyre, sepse vetë fjala islam don të thotë paqe,, por nëse sulmohet nga të tjerët, atëherë ka përcaktuar rregulla se si duhet të përgjigjet.

Muhamedi a.s. i ka ndaluar besimtarët që për ofendime dhe sharje t’ia kthejnë me të njejtën,, por kur rrezikohet shteti musliman, apo intereset e tij, apo sulmohet nga të tjerët me luftë, atëherë edhe lufta është opsion që duhet të përdoret.

Të gjitha luftat që i zhvilloi Muhamedi a.s. gjatë jetës së tij, ndahen në tri grupe:

1. Lufta mbrojtëse – nëse sulmoheshin, duhet të mbroheshin

2. Lufta ndëshkuese – Nëse dikush sulmonte muslimanët, atëherë ndëshkohej për këtë.

3. Lufta parandaluese – nëse dikush përgatitej për luftë kundër shtetit musliman, atëherë këta e sulmonin që të mos mund ti sulmonin ata.

Nga lloji i tretë i luftërave, kuptojmë se Muhamedi a.s. qysh atëherë dispononte me shërbimin sekret i cili vëzhgonte situatën, brenda dhe jashtë shtetit musliman.

Edhe luftat pas jetës së tij nga udhëheqësit e shtetit musliman, nuk dolën nga kronizat e atyre tre llojeve të luftërave, përveç se këta kishin edhe luftat çlirimtare dhe luftat në përhapjen e islamit.

Të gjitha këto lufta ishin legjitime, të shpallura nga shteti musliman dhe ishin lufta mes muslimanëve dhe jo muslimanëve, që ngriteshin në kategorinë e xhihadit, dhe të vrarët e muslimanëve në ato lufta llogariten dëshmorë të luftës së shenjtë – shehid. (kategoria më e dashur e njerëzve te Zoti ).

DEFINICIONI DHE DOMETHËNIA E FJALËS XHIHAD

Fjala xhihad në kuptimin etimologjik do të thotë: Angazhim dhe mund.

Kurse në kuptimin terminologjik fetar është: Dhënia e angazhimit dhe mundit për të mirën e islamit dhe muslimanëve.

Prej saj është edhe lufta nëse shterren të gjitha opsionet tjera.

Për tu llogaritur lufta e shenjtë dhe xhihad patjetër duhet të plotësohen disa kushte:

1. Të jetë e shpallur nga shteti

2. Të jetë e përkrahur nga dispozitat Kuranore dhe Profetike të Muhamedit a.s.

3. Pjesmarrjen e besimtarëve në atë luftë e legjitimon organi i shtetit.

4. Borxhliu nuk guxon të shkon në luftë nëse nuk merr leje nga i zoti i borxhit.

5. I riu nuk goxon të shkon në luftë pa lejen e prindërve.

Nëse nuk plotësohen këto klushte, pjesmarrja e tij është jolegjitime dhe ai nuk e fiton shpërblimin e xhihadit, dhe nëse vritet nuk shkon shehid i luftës së shenjtë.

Muhamedi a.s. e kishte kthyer një djalë të ri që nuk kishte marrë leje nga prindërit.

Këto janë kushtet nëse lufta duhet të zhvillohet jashtë vendit, e nëse sulmohet vendi atëherë nuk vlejnë këto kushte, por pjesmarrja bëhet e detyrueshme.

POZITA E MUSLIMANËVE NDAJ LUFTËRAVE QË NDODHIN NËPËR SHTETET

ARABE DHE ISLAME

Duhet të dimë dallimin mes luftës xhihad me qëllim fetar dhe të shpallur nga shteti, dhe luftërave tjera që ndodhin atje, në veçanti në këto kohët e fundit.

Përveç luftës së xhihadit me qëllim fetar, atje kemi edhe luftëra tjera:

– Lufta territoriale. Psh. para disa viteve ka qenë lufta Irak – Iran e cila ka qenë luftë mes dy palëve muslimane dhe ka zgjatur disa vite. Vendasit e atyre dy shteteve e kan obligim që të marrin pjesë në ato lufta, kurse të huajt e kan rreptësisht të ndaluar fetarisht pjesmarrjen në atë luftë, sepse ajo është luftë mes dy palëve muslimane dhe nuk ka karakter fetar.

– Pastaj janë Luftërat për rrëzim pushtetesh apo Grusht shtetet që aktualisht zhvillohen në këto vende. Kjo është një kategori edhe krejt tjetër dhe është larg nga lufta me karakter fetar, që sot

një shumicë e të rinjva nga e gjithë bota marrin pjesë në këto lufta duke e pas motivin e luftës fetare. Dhe këtu është gabimi shumë i madh sepse ata nuk guxojnë të motivohen me këtë qëllim. Ata motivohen se do të shpërblehen te Zoti për pjesmarrje në ato lufta, Përkundrazi, ata jo që nuk shpërblehen për pjesmarrje në këto lufta, por edhe mund të dënohen te Zoti, sepse janë lufta mes dy pylëve muslimane, dhe këtu nga cila anë të jesh llogaritesh vrasës i muslimanit.

– Kemi edhe luftat sekatre që zhvillohen në Liban, në Irak etj.

Të gjitha këto lufta sipas dispozitave fetare islame, ndalohet pjesmarrja në këto lufta, sepse janë lufta mes dy palëve muslimane me qëllime të caktuara. Pjesmarrjja në këto lufta jo që nuk ka shpërblim fetar dhe nuk shkon shehid – dëshmorë – nëse vritet në këto lufta, por ndoshta merr mëkat dhe llogaritesh vrasës te Zoti.

Pejgamberi Muhamedi a.s. luftën mes palëve muslimane e ka pozicionuar si vrasje e jo si xhihad, dhe pjesmarrësit i ka llogaritur të dy palët si vrasës dhe i ka kërcënuar me dënim në xhehenem dhe assesi si dëshmorë.

Andaj, përveç luftës së shenjtë – xhihadit, që ka direkt karakter fetar me kushtet e lartpërmendura, të gjitha luftat e tjera jashtë vendit të besimtarit janë, Jo legjitime, ku pjesmarrësi në vend që memdon se fiton shpërblim fetar dhe shkon shehid nëse vritet në atë luftë, ai mund të shkon vrasës dhe dënohet për këtë në xhehenem te Zoti.

PRANVERAT ARABE NË TËRËSI DHE LUFTA NË SIRI NË VEÇANTI

Të gjitha kryengritjet në botën arabe, janë kryengritje popullore kundër pushteteve diktatoriale, ku secili shtet është i ndarë nga tjetri në politikat dhe intereset e tij.

Përveç se për vendësit që obligohen të marrin pjesë, pjesmarrja e të huajve nuk ka legjitimitet fetar.

Aktuale lufta në Siri e cila ende po vazhdon dhe aty kemi edhe të rinj tanë Shqiptarë që po marrin pjesë aty.

Në fillim edhe aty ishte një luftë sikur ne vendet e tjera kundër pushtetit, ku opozita Siriane arriti shumë suksese, sa që tërhoqi pas vete shumë popull dhe ekspertë ushtarak që dezertonin nga ushtria e shtetit. Në këto periudha ata fituan përkrahje dhe simpati arabe, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ata fituan edhe përkrahjen morale të shumë institucioneve fetare që me qëndrimet e tyre i jepnin kurajo pjesmarrësve në atë luftë. Deri në këto momente nuk ndëgjuam se të huaj shkonin në Siri për të luftuar, se ata ishin të majftueshëm për ti përballuar asaj lufte.

Por prej se në skenë doli i ashtuquajturi ‘Shteti islamik’ ISIS, lufta në Siri mori kahje krejt tjetër.

Ai e deformoi dhe e neutralizoi opozitën Siriane e cila kishte arritur ta tërheq luftën deri në periferi të Damskut dhe ta ulë pushtetin në tavolinën e bisedimeve si palë të barabarta. Pra ISIS shkatërroi të gjitha të arriturat e opozitës dha vazhdon ta pengon çlirimin e Sirisë.

A po e kuptojnë pjesmarrësit në këtë konflikt që janë në krahun e ISIS, se ata me këtë pjesmarrje janë duke e ndihmuar pushtetin e Asadit e jo popullin Sirian.

Para një viti edhe zyrtarisht u zbulua se themelues i tij dhe prapa tij qëndrojnë organizata dhe shtete që nuk janë islame.

Qysh nga dalja e ISIS në skenë, të gjitha shtetet muslimane duke përfshirë edhe institucionet fetare etj. E kan kundërshtuar menjëherë këtë organizatë duke e llogaritur jo islame dhe në dëm të islamit, përveç disa dijetarë që u joshën me emrin e tij.

Kurse tash e tre vite:

Të gjitha shtetet e botës islme dhe jo islame,

Të gjitha institucionet fetare zyrtare në nivel të botës islame,

Të gjithë dijetarët kompetent islam, unanimisht pa asnjë kundër,

Të gjitha bashkësitë Islame të rajonit: Turqisë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës, Malit të zi etj. e kanë kundërshtuar ISIS dhe e kanë ndaluar pjesmarrjen në atë luftë.

Pastaj sipas të dhënave, Shumica absolute e Ymetit (popullit) musliman në botë, fuqimisht janë kundër.

Të gjithë këta që i përmendëm kanë konstatuar përfundimisht se kjo nuk është islame, bile është shumë në dëm të islamit dhe muslimanëve.

Atëherë: Me çfarë të drejte marrin pjesë të rinjtë tanë atje. Cila është pozita fetare e pjesmarrjes atje. Cila është pozita fatare e atyre që e përkrahin ISIS, kur unanimisht është konstatuar se ajo është kundër islamit dhe intereseve të muslimanëve.

Nga kjo mund të konstatojmë se pjesmarrja e të rinjve tanë në këtë konflikt sjell këto dëme:

1. Dëmtojnë intereset e islamit dhe muslimanëve.

2. Po e pengojnë çlirimin e Sirisë.

3. Janë pjesmarrës në mëkatin e të gjitha vrasjeve që ndodhin atje.

4. Jo që shpërblehen te Zoti për këtë pjesmarrje, por përfitojnë mëkat.

5. Nëse vriten atje, nuk shkojnë si shehid, por rreziokojnë të llogariten vrasës para Zotit, për të gjitha ato vrasje që po ndodhin atje.

LUFTAT MES PALËVE MUSLIMANE

Muhamedi a.s. luftat mes dy palëve muslimane i ka llogaritur si vrasës të dy palët, e jo vrasës dhe i vrarë. Ai ka thënë: “Nëse përballen dy musliman ma shpata (armë), atëherë vrasësi dhe i vrari janë në zjarr”.

E në këto konflikte përballja është mes dy musliamanëve, dhe kjo nuk i jep të drejtë fetare askujt që të merr pjesë në këto konflikte, përveç vendësve që e kan obligim.

Një gjë është interesante: Nëse populli Sirian dhe në veçanti të rinjtë e tyre dhe pjesa më e madhe inetelektuale po e lënë Sirinë dhe po ikin nëpër vende të perëndimit, atëherë si ka mundësi që ne të shkojmë atje.

ÇFARË DUHET TË BËJMË PËR PARANDALIMIN E EKSTREMIZMIT

Patjetër duhet të jetë një bashkërendim i të gjitha institucioneve vendore në bashkëpunim me shoqërinë, duke përdorur mjetet dhe metodat e përshtatshme.

Mjetet më efikase që mund të përdoren nga instirucionet janë: Mediat, arsimi publik dhe ai privat, aktivitetet e llojeve të ndryshme me të rinjtë si tribuna e tj., familja, institucionet fetare etj.

Edhe në diasporë, të rinjtë tanë nuk duhet ti frekuentojnë qendrat e ndryshme jo Shqiptare dhe ato Shqiptare, te të cilat ekzistojnë elemente të ekstremizmit.

ROLI I MEDIAVE

Mediat duhet të jenë më aktive dhe më profesionale në këtë drejtim.

Ato nuk duhet vetëm të raportojnë për ekstremizmin, por edhe ta edukojnë publikun, ta paraqesin fatin e njerëzve që kan qenë viktima të ekstremizmit, për të treguar anën e errët të tij.

Mediat edhe kur të raportojnë për këto ngjarje nuk duhet të përdorin gjuhën e urrejtjes, sepse ajo edhe më shumë i nxit ata për ekstremizëm, por mediat të jenë gjithmonë në anën e viktimës.

Mediat lokale nuk duhet që për të mbushur minutazhin e programit, të transmetojnë ligjërata të ndryshme fetare që mund të nxisin në ekstremizëm.

PËR FUND

I bëjmë thirrje rinisë tonë se:

Ju jeni ardhmëria e këtij vendi, ju jeni shtresa më e dashur e popullatës, ju jeni më të shtrenjtit e familjeve tuaja.

Shfrytëzojeni domethënien e fjalës xhihad, duke dhënë angazhimin dhe mundin tuaj maksimal për të mirën tuaj, për të mirën e familjeve tuaja, për të mirën e këtij populli dhe këtij vendi.

Ne nuk kemi gjak tepër që ti falim poklitikave diktatoriale arabe, ku edhe vetë, filozofi dhe sociologu i njohur musliman Ibni Halduni në librin e tij “ Parathënia e Ibni Haldunit “ ashpër i kritikon udhëheqësit arab për dobësitë e tyre në pushtet.

Duajeni vendin tuaj, fenë tuaj, popullin tuaj, familjet tuaja, dhe mbi të gjitha veten tuaj.

Nëse nuk e shfrytëzoni fuqinë, kapacitetin dhe inteligjencën tuaj për nevojat e vendit tuaj, do të mbani përgjegjësi para këtij vendi, para këtij populli dhe para Zotit në ditën e gjykimit.

mr. Ragmi Destani

Dhjetor 2016 – Bujanoc

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com