Bujanoc: Shuplakë protestave demagogjike!

0

Shoqëria Civile “Perspektiva”, përshëndet mospjesëmarrjen e prindërve në protestat e zhvilluara para shkollave, duke mos rënë pre e manipulimeve të disa liderëve politikë, të cilët deshën, që zilen shkollore ta zëvendësojnë me zilen politike! 

protesta 1

Protestat e dështuara para shkollave shqipe në Luginë të Preshevës, janë një shuplakë e fortë lidersh(q)ipit shqiptar, i cili pa menduar mirë dhe pa një unitet ndërpartiak, merr iniciativa, të cilat jo rrallë dalin të vetmuara, naive, madje edhe qesharake.

Problemi i teksteve shkollore në Luginë të Preshevës, jo më pak se 31 vjet, që nga periudha komuniste dhe një problem i tillë përsëritet vit pas viti, pa gjetur ndonjë zgjidhje të përshtatshme për shkollat shqipe në Serbi.

Liderët tanë politikë dhe institucionalë, fort mirë e ditë se shkollat shqipe në Luginë të Preshevës, procesin edukativo –arsimor e zhvillojnë sipas planprogrameve të Serbisë. Ndërkaq, në prononcimet e tyre politike, ata pa ngurrim kërkojnë tekste shkollore nga Shqipëria e Kosova. Po qe se ndodh të vijë ndonjë sasi e libra nga dy shtetet amë, ato do të konfiskohen nga autoritetet serbe dhe s’ka kush tu dalë Zot, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar me donacionin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Politizimi ekstrem i shkollave shqipe në Luginë të Preshevës, kryesisht këtyre dy viteve të fundit, ka bërë që jeta arsimore në këto komuna të jetë më e rëndë se në periudhën e regjimeve totalitare.

Shembull konkret kemi vizitën e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Serbisë, Sërgjan Vërbiq, në Bujanoc, i shoqëruar nga kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq, të cilët ditën e parë të shkollës sollën disa libra falas për filloristët shqiptarë. Ata, në vend se të priteshin me fishkëllima, brohoritje e protesta të paralajmëruara, përkundrazi u shoqëruan nga disa zyrtarë shqiptarë, si dhe u gostitën nga po ata liderë institucionalë, të cilët vet e inicuan idenë e protestave para shkollave.

 

Demagogjia

Dy ditë, para se të vijë ministri serb në Luginë, po të njëjtit liderë akuzuan Ministrisë e Arsimit në Serbi, që nuk po kujdeset për furnizimin e nxënësve shqiptarë me tekste shkollore dhe kërkuan protesta para shkollave.

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, po këta liderë dhanë mesazhin e urimit, për nxënësit dhe profesorët, i cili tingëllonte kësi soji: “Edhe pse këtë vit akademik nuk po e filloni të barabartë me bashkëmoshatarët tuaj të vendeve të Bashkimit Europian, shpreh bindjen se në këtë vit do të tregoni suksese të larta në zotërimin e mësimeve dhe se do t’i përkushtoheni me seriozitetin më të madh procesit edukativ. Po ashtu përgëzoj edhe punonjësit arsimorë, të cilët shpresoj se do të japin maksimunin në misionin e tyre të shenjtë në dhënien e dijes”.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, nuk di si mundet të arrihet dija, edukata e kultura pa libra e tekste shkollore?!

Shkaktarët e politizimit të shkollave shqipe, në Luginën e Preshevës dhe mosbashkëpunimi i sinqertë mes institucioneve komunale me Këshillin Nacional dhe deputetët popullorë, ka bërë që ky vit shkollor të mos jetë aspak më i mirë se ata të viteve të shkuara, bile me përmasa të keqësimit të mëtejmë.

Efekte e një mosbashkëpunimi korrekt, sollën dështimin e protestave para shkollave.

 

Solidarizimi 

Me protestat e dështuara të Luginës u solidarizua vetëm Lëvizja e Vetëvendosjes në Kosovë, e cila në reagim e saj thotë: ““Me metodat e saj segreguese Serbia nuk siguron tekstet, doracakët dhe librat mësimore për nxënësit shqiptarë. Ajo vazhdon të mos lejoj mësimin e kulturës dhe historisë kombëtare shqiptare nëpër shkollat shqipe. Po ashtu, nuk pranon diplomat e Kosovës, si rrjedhim as nostrifikimin e tyre, edhe pse është pretenduar se kjo çështje është zgjidhur me marrëveshjen e dalë nga negociatat në Bruksel. E gjitha kjo po kontribuon në degradimin e shkollave shqipe”.

Në anën tjetër, VV konsideron se “për vite me radhë, qeverisjet në Tiranë e Prishtinë me pasivitetin e tyre, me lëshime ndaj Beogradit, pa strategji për Luginën, pa strategji për shkollat shqipe atje, duke i lënë anash shqiptarët, kanë kontribuar në përkeqësimin e arsimit dhe mosrespektimin e të drejtave për arsimim të shqiptarëve”.

Çmimi 

Po ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor në Luginë të Preshevës, vjen haberi se Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT), këtë vit, ka bërë ngritjen e çmimit dyfish të regjistrimit të semestrit për studentët, që nuk janë shtetas të Maqedonisë. Derisa viteve të kaluara pagesa e semestrit për studentët e rregullt jashtë Maqedonisë ishte 200 euro, këtë vit për një semestër duhet të paguajnë nga 250 deri në 500 euro, varësisht nga drejtimi i fakultetit. Këtë gjobë të papërballueshme do ta paguajnë kryesisht studentët nga Lugina e Preshevës, të cilat nuk e kanë të zgjidhur problemin e arsimimit të lartë.

Po sikur edhe Universitet e shtetit amë të veprojnë kështu, atëherë shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do ta kenë vetëm hallin e arsimit fillor e të mesëm, por edhe atë të shkollimit të lartë, thuhet në reagimin e Shoqërisë Civile “Perspektiva” në Bujanoc.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com