Bluzat me flamurin e ngritur në Beograd, më të shiturat në Tiranë (Foto)

0

Bluzat me flamurin e ngritur në Beograd, më të shiturat në Tiranë (Foto)

Droni i ngritur me flamurin e Shqipërisë së Madhe mbi stadiumin ku po zhvillohej ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë për Kampionatin Evropian 2016, është shndërruar në simbolin më të preferuar por edhe më të shitur në dyqanet e suvenireve në Tiranë.

Vjollca Çela, pronarja e dyqanit të suvenireve “Artistike Ina”, te kafe “Europës”, thotë për ATSH-në se “në prag të festave të 28 dhe 29 nëntorit , një risi këtë vit në dyqanin tim janë edhe bluzat e stampuara me flamurin e ngritur me dron në Beograd, të cilat preferohen shumë sidomos nga të rinjtë”.

Bëhet fjalë për dy patriotët e mëdhenj Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dhe harta e trojeve etnike, që u shfaq gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, dhe që tashmë është kthyer në variantin e bluzës më të kërkuar në Beograd.

Çmimi i këtyre bluzave varion nga 1000-1200 lekë, dhe më tepër janë blerë nga shqiptarët që jetojnë jashtë, por edhe nga të huajt.

“Ajo që më çudit është dëshira e madhe e rinisë, për të blerë një bluzë të tillë”, shprehet Vjollca, sipas së cilës, ajo vazhdon prej ditësh të jetë në listën e një prej artikujve më të shitur dhe më të kërkuar.

Përveç emocioneve që dhuroi ndeshja në Beograd dhe që rriti ndjenjën atdhetare të shqiptarëve kudo që ndodhen, shitjet e mëdha të këtyre bluzave lidhen edhe me festat e nëntorit.

Marseli, një i ri 23 vjeçar, shprehet se “e bleva bluzën sepse ndihem krenar që jam shqiptar”.

Sipas vëzhgimit të ATSH-së, artikulli më i shitur rezulton flamuri kombëtar, çmimi i të cilit është 300 lekë dhe pas tij vijnë kapelet, bluzat, shallet, etj. “Në prag të festave kërkesa të shumta kemi pasur edhe për bluza me flamurin kombëtar, për moshat e vogla, si dhe kostume popullore, të cilat i marrin që nga fëmijët e vegjël 4-vjeçarë deri tek nxënësit e gjimnazeve”, thotë Vjollca.

Përveç qytetarëve shqiptarë interesim të madh për simbolet tona kombëtare kanë paraqitur edhe turistë të ndryshëm, që ndodhen në Tiranë në këto ditë të prag festave. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com