Beteja e 24 shtatorit 2000 në Malësinë e Bujanocit!

0
Shkruan: Adhurim Krasniqi

Shkruan: Adhurim Krasniqi

Populli shqiptar, gjatë gjithë historisë së tij të lavdishme, ka zhvilluar shumë beteja dhe çdo herë triumfues dhe krenar për bijtë e tij. Në historinë e popullit tonë gërshetohen ngjarje që secila prej tyre ka peshën e vet të rëndësishme .
Të ndarë nëpër shumë pjesë, padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, çdo herë na u deshtë t’i bëjmë ballë sfidave që na i sillte koha e egër e pushtimit. Që nga lufta e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri në ditët e sotme në analet e historisë gjejmë ngjarje të rëndësishme, ku bëhet fjalë për beteja dhe luftëra që kanë qenë frymëzim për luftëtarët shqiptarë. Pas vitit 1912-të dhe shpalljes së pavarësisë së shtetit amë Shqipërisë, për shqiptarët filloi një histori edhe më e dhimbshme. Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, për shqiptarët ishte fatale. Gjysma e tokave arbnore iu aneksuan Shqipërisë dhe iu falën shteteve fqinje si Serbisë, Greqisë, Maqedonisë etj. Ky copëtim u bë vetëm sa për t’i kënaqur interesat dhe apetitet pansllaviste. Që nga atëherë popullit tonë iu desh të luftoj për dy qëllime; e para që ta ketë lirinë dhe të jetë nën kufijtë e shtetit amë dhe e dyta që ta ruaj identitetin e vet kombëtar, gjuhën , kulturën dhe traditën shqiptare. Asnjëherë nuk pushonin përpjekjet e popullit tonë për ta gëzuar lirinë. Kosova ishte strumbullari i ajkës së kombit , ku mblidheshin djemtë atdhetar, punonin ditë e natë për ta përgatitur popullin për kryengritje. Në ilegalitet të thellë ata kurrë nuk u ndalën se vepruari, nuk pushuan as më 1968, as më 1981 e deri në vitet e 90-ta kur në skenë doli e lavdishmja Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila po i bënte të ditur popullit se lufta është e pashmangshme. Dhuna e regjimit të Beogradit jo vetëm që po rëndonte në Kosovë, por ajo me të njëjtin ritëm po vazhdonte edhe mbi shqiptaret e pjesës tjetër të atdheut, në komunat shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Pas mbarimit të luftës në Kosovë dhe largimit të turpshëm të makinerisë vrastare të Beogradit, e gjithë forca ushtarake ishte vendosur rreth Kosovës, në komunat shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Prania e forcave policore dhe ushtarake serbe në Kosovën Lindore, bëri që shumë vendbanime të mbesin të zbrazura nga popullsia autoktone shqiptare. Shtypja, dhuna dhe terrori ndaj popullatës së pafajshme, e bëri të domosdoshëm organizimin e një force mbrojtëse për një rezistencë të armatosur.
Vrasja e vëllezërve Saqipi me 26 janar të vitit 2000, në fshatin Dobrosin të Bujanocit, ishte fundi i pritjes se do të bëhet mirë me paqe. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, elektrizoi pa masë rininë shqiptare, e cila çdo dite ishte bërë cak i provokimeve dhe maltretimeve nëpër punktet e forcave serbe.
Zgjerimi i radhëve të UÇPMB-së, vazhdonte me ritëm të shpejtë dhe çdo ditë e më tepër konsolidoheshin radhët e saj me luftëtarë të rinj e trima nga mbarë hapësira shqiptare. Ushtria Çlirimtare Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit tani edhe zyrtarisht ishte bërë e njohur si forcë që luftonte për mbrojtjen e popullit të vet nga shfarosja dhe asimilimi, si forcë që luftonte për idealet e larta të atdheut dhe që është e gatshme të flijohet për mbrojtjen e vendit. Ajo çdo ditë e më shumë po sprovonte veten në fushëbeteja me armikun, gati në çdo betejë po i jepte goditje dërmuese forcave serbe. Betejë pas beteje ajo ngrihej si kala e pathyeshme, mbi dhunën dhe tiraninë e regjimit të Beogradit. Në mesin e shumë betejave që zhvilloi UÇPMB-ja, gjatë luftës gati dy vjeçare me regjimin e Beogradit, si një ndër betejat me rëndësi është edhe ajo e 24 shtatorit të vitit 2000 në Zonën Operative të Çarrit. Ishte me rëndësi kjo betejë sepse po atë ditë në Jugosllavinë e mbetur e cila tani më ishte në ditët e fundit te gjallërisë, po mbaheshin zgjedhjet e ashtuquajtura demokratike në këtë shtet që për shumë vite kishte shkaktuar dhimbje dhe tmerr në hapësirat e shteteve fqinje. Beteja e 24 shtatorit 2000, ishte përgatitur në mënyrë detajizuese nga Shtabi Operativ i Zonës së Çarrit. Urdhri për sulm ishte bërë nga Komandanti i Zonës, Muhamet Xhemaili i njohur me nofkën e luftës Rrebeli. Urdhëri për nisje në fshatin Gjergjec, ku ishin të vendosura shumë forca policore dhe ushtarake sërbe u dha në mbrëmjen e 23 shtatorit pikërisht në ora 22:00 të mbrëmjes. Atë natë Komandanti i Zonës Muhamet Xhemaili, së bashku me eprorët tjerë të shtabit të Zonës, inspektoi gjithë trupat se a janë në gjendje gatishmërie për ta kryer këtë sulm. Qëllimi ishte që në këtë betejë të dalim triumfues dhe në të njëjtën kohë deri sa faktori ndërkombëtar me kureshtje po e priste humbjen e Millosheviqit në këto zgjedhje, ne kishim si qëllim që t’ia bëjmë me dije regjimit të ardhshëm të Beogradit dhe faktorit ndërkombëtar se çështja e shqiptarëve në këtë pjesë të atdheut tonë është ende e pazgjidhur. Ishte vullneti dhe dashuria e madhe për liri që kishim inspirim në këto çaste, na printe në ballë flamuri i luftës së Adem Jasharit, na frymëzonte heroizmi dhe sakrifica e Jasharajve dhe gjithë dëshmorëve të atdheut.
Sulmi ishte paraparë te bëhej në dy krah anësor, njëri njësit të futej nga fshati Ramnabuqë, kurse njësiti tjetër të sulmonte nga pjesa e Bilinicës. Dy njësitet numëronin nga 11 luftëtarë. Koha dhe reshjet e shiut, e bënin edhe më të vështirë rrugëtimin për në fshatin Gjergjec. Tereni i vështirë nuk e mundësonte transportin me mjete motorike, prandaj na u deshtë ti përdorim edhe kuajt e një familje të fshatit Ramnabuqë. Ishte kënaqësi të shihje fytyrat e njoma të ushtarëve se si ashtu buzagaz mezi prisnin të niseshin për sulm. Të ngarkuar me armatim personal rrugëtonim kodrave të thepisura të Malësisë së Bujanocit. Kishin kaluar shumë vite që këto male nuk e kishin ndier vringëllimën e armëve të luftëtarëve shqiptarë. Edhe malet po e ndienin aromën e lirisë në ato orë të asaj mbrëmje të 23-24 shtatorit 2000.
Në piken nr. 3, që gjendej në mes fshatit Muhoc dhe Çarr ishin vendosur topat 75 mm dhe mitralozët e 12.5mm. Nga aty ishte mundësia që ta kontrollohej lëvizja e ushtarëve tanë që bëhej në drejtim të fshatit Gjergjec. Në orët e hershme të mëngjesit, nën reshjet e shiut te ftoht të fillim vjeshtës, fillojnë luftimet në mes njësiteve tona dhe forcave sërbe.
Ishte vullneti edhe më i madh deri sa shihje edhe vet Komandantin duke luftuar në vijë te frontit. Prania e tij i jepte forcë dhe kurajo ushtarëve tjerë. Deri në orët e mbrëmjes luftimet nuk pushuan asnjë çast. Atë dite u luftua plot 12 orë rresht, ku u vranë 5 kriminel serb dhe u shkatrrua një pizgauer dhe një furgon i policisë sërbe. Ne tani ishim vendosur te shkolla e fshatit Gjergjec. Por lodhja e tepërt e ushtarëve tanë, e bënte të pamundur qëndrimin aty. Por prap se prap deri të nesërmen, pra me 25 shtator ne qëndruam aty , deri sa erdhën përforcime tjera nga pikat dhe zonat tjera të UÇPMB-së. Për këtë vlenë të veçohet fshati Breznicë që dërgoi dy njësitet e veta në ndihmë. Nga shtabi Operativ i Zonës ky u vlerësua si sulmi më i suksesshëm kundër forcave serbe. Që nga dita e 24 shtatorit fshati Gjergjec ishte i lirë dhe aty valonte flamuri kombëtar shqiptar. Beteja e kësaj date i parapriu suksesshëm edhe marrjes së pikës strategjike të Shën Ilisë në fillim të nëntorit, që ishte një ndër pikat më të larta e cila gjendej në periferi të qytetit të Vranjës. Që nga atëherë flamuri kombëtar shqiptar lirshëm po valonte nën qiellin e lirë të Malësisë së Bujanocit.
Beteja si kjo e 24 shtatorit duhet të kujtohen nga brezat e ardhshëm, sepse aty mund të shihet rezistenca e bijëve të atdheut që me vetëmohim dhe sakrificë po i bënin ballë një makinerie shumë herë më të sofistikuar. Stoicizmi i luftëtarëve tanë dëshmoi edhe njëherë shpirtin liridashës të këtij populli, i shtypur ndër shekuj nga regjimet e njëpasnjëshme të shteteve fqinje. Sot pas kaq viteve , kur u zhvillua kjo luftë, para nesh na dalin prapë skena të tmerrshme të uniformës së fëlliqur të policisë dhe xhandarmërisë sërbe. Lufta jonë nuk u bë për t’i shtuar radhët e policisë sërbe. Edhe 17 vite pas “mbarimit” të luftës, në Kosovës Lindore prapë po shkel çizmja e ushtarit dhe xhandarit të Serbisë, po shtypen të drejtat elementare të popullit shqiptar, po ushtrohet dhunë dhe terror mbi kurrizin e popullit tonë të pafajshëm. Me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen se deri kur do të lejohet ky terror mbi kurrizin tonë?
P.S këtë shkrim e shkruaj si perkujtim i asaj kohe, që sfidonim edhe moshën edhe kohën! Pa dashur të behem subjektiv as per vete e as per shoket, por për luften tone dhe idealin e gjithë neve, nuk guxojmë të harrojmë te kaluaren e lavdishme! Lavdi gjithë atyre që sakrifikuan jeten dhe dhane gjymtyret e trupit per lirine kombetare.

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com