BE financon ndërtimin e objekteve në kufirin Kosovë-Serbi

0

Donacioni i BE-së për ndërtimin e objektit të përhershëm në vendkalimin kufitar me Malin e Zi, ka mbetur i ngrirë. Ndërtimi është stopuar pikërisht për shkak të mos përcaktimit të demarkacionit.

20141127105442347620

Ndërtimi i objekteve të përhershme kufitare të Kosovës po i nënshtrohet standardeve të dyfishta, të aplikuara nga Bashkimi Evropian, në kriteret për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). Në fillim të vitit 2015 Komisioni Evropian pritet të nis tenderimet dhe kontraktimet për 6 ndërtesat e përhershme në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa me Malin e Zi, ndërtimi i objektit të përhershëm kufitar është stopuar për shkak të mos përcaktimit të vijës kufitare me demarkacion, kjo nuk po vlen për BE-në kur është fjala për Serbinë.

Në shtator të këtij viti me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian autoritet e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar për ndërtimin e objekteve të përhershme në pikëkalimet kufitare me Serbinë.

Objektet e përhershme në kriteret evropiane të Menaxhimit të integruar të kufijve nënkuptojnë edhe kufij të përcaktuar të jenë kufij të përhershëm mes dy shteteve. Por, kjo nuk është dizajnuar si e tillë në marrëveshjet e Kosovës me Serbinë, me ndërmjetësim të BE-së.

Zyrtarët e BE-së nuk kanë komentuar se si do të mund të funksionoj marrëveshja dhe projekti i ndërtimit të objekteve të përhershme kufitare, pa dy nga elementet esenciale, demarkacionin dhe njohjen e pasaportave. Ndërkohë që i tërë procesi i ndërtimit të këtyre objekteve pritet të përfundoj brenda 2 viteve.

“Të dy palët me lehtësim të BE-së kanë diskutuar javë më parë këtë projekt të rëndësishëm. BE aktualisht është duke diskutuar me partnerët dizajnues dhe implementues të cilët do të ndërmarrin menaxhimin dhe aspektin konceptual të ndërtimit sa i përket programit për gjashtë pikëkalimet kufitare (me Serbinë v.j)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesit Special (EUSR) në Kosovë.

BE gjithashtu nuk ka komentuar pse nuk mund të ndërtohen objektet e përhershme me Malin e Zi, pa u përcaktuar vija kufitare përderisa të njëjtën gjë e ka përkrahur për kufijtë me Serbinë.

Kriteret e dyfishta për objektet përhershme kufitare, sipas zëvendësministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Izmi Zeka kanë këtë arsyetim.

“Sa i përket kufirit me Serbinë çështja me Serbinë është e ndjeshme. Ndërsa me Malin e Zi është e vërtetë që donacioni i BE-së nuk po mund të shfrytëzohet. Por, ne nuk kemi problem me Malin e Zi dhe besoj që vitin e ardhshëm do të bëhet edhe përcaktimi i vijës kufitare dhe do të ndërtohen edhe pikëkalimet e përhershme kufitare. Nuk kemi problem me Malin e Zi”, i ka thënë Zeka, Radio Kosovës.

Ndërtimi i objekteve të përhershme në vendkalimet kufitare ishte paraparë me Protokollin Teknik të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në vitin 2012, në zemër të së cilit vazhdojnë të jenë improvizimet dhe dykuptimësia e interpretimeve.

Ndërtimi i pikëkalimeve kufitare të përhershme ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe pranimi i pasaportave kosovare janë dy nga tetë kriteret që Bashkimi Evropian tani po i kërkon Serbisë të plotësoj në kuadër të kapitullit të 35 të negociatave.

Por, vetë Marrëveshja e Brukselit dhe as ajo për Menaxhimin e integruar të kufijve nuk përfshin detajisht zbatimin e këtyre kritereve.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com