Barca nuk e njeh Cityn

0

Barcelona e ka mposhtur me lehtësi Manchester Cityn në Etihad Stadium me rezultat 1-2, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

barca-nuk-e-njeh-cityn-video_hdKatalunasit e nisën ndeshjen me shumë qetësi, teksa golin e parë e realizuan në minutën e 16-të. Lionel Messi harkoi në zonë, ndërsa Vincent Kompany bëri një spastrim të tmerrshëm duke i falur topin Luis Suarezit i cili e mposhti me të majtën portierin e Cityt, Joe Hart.

Rast të mirë për t’i barazuar shpejt shifrat pati Edin Dzeko, i cili goditi bukur me kokë, mirëpo topi përfundoi jashtë portës.

Katalunasit shtuan presionin dhe pas një aksioni të organizuar bukur nga Lionel Messi, Jordi Alba harkoi zhagas te Suarez, i cili shënoi lehtë nga afërsia golin e tij të dytë personal dhe të dytin për Barcelonën(30’).

Alves ishte afër që ta shënonte golin e tretë për Barcën, mirëpo goditja e tij goditi traversën dhe me kaq edhe përfundoi pjesa e parë. City nuk arriti të bëjë pothuajse gjatë kësaj pjesë, teksa mbrojtja e tyre dështoi totalisht për t’i ndalur sulmuesit e Barcelonës.

City ishte diçka më e gjallë në pjesën e dytë, teksa Dzeko dhe Aguero tentonin që ta befasojnë portierin e Barcës. E në anën tjetër, lojtarët katalunas e qarkullonin mirë topin duke kërkuar hapësira në mbrojtjen e Cityt.

Shpresa për vendasit erdhi në minutën e 69-të, kur Sergio Aguero e shfrytëzoi mirë asistimin e mrekullueshëm të David Silvas dhe shënoi bukur për ta ngushtuar disavantazhin në vetëm një gol.

Gjërat u vështirësuan për Cityn kur Gael Clichy u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua me të kuq nga loja(74’).

Teksa fundi i ndeshjes afrohej, Barca qarkullonte topin me qetësi, teksa City u mbyll prapa për të mos pësuar më shumë gola. Sidoqoftë, Barcelona fitoi një penalti në minutën e 93-të, mirëpo Messi e humbi atë në mënyrë tragjike.

Deri në fund të ndeshjes, rrjetat nuk u tundën më, ndërsa Barca largohet nga Etihad Stadium me një rezultat shumë ta favorshëm për t’u kualifikuar në raundin tjetër. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com