Banorët e Luginës ndjehen “të huaj” në Kosovë
10:11 | 15 Tetor 2018
Kanë shumë kohë që janë shpërngulur nga lugina për në Kosovë, megjithatë ende nuk posedojnë lejeqëndrim, e lëre më nënshtetësi të këtij vendi.

Përkundër kësaj, banorët e luginës së Preshevës kanë aplikuar shumë herë me radhë për një lejeqëndrim, mirëpo, siç thonë ata, janë malltretuar me dokumentacione të shumta.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, shumë shpejtë do të hartohet një udhëzim administrativ, që të rregullohet statusi i tyre.

Tash e tetë vjet,  ai qëndron në Prishtinë. Ani pse ka kaluar kohë e gjatë, ende nuk konsiderohet si shtetas i Kosovës.

Si student, ai ishte shpërngulur nga Bujanovci në Prishtinë, mirëpo vazhdimisht ka hasur në probleme, për shkak të dokumenteve.

Kushtrim Asllani, aktor tregon se ka tentuar shumë herë me radhë të aplikoj për lejeqëndrim, megjithatë thotë se vetëm është malltretuar.

Shkaku i mungesës së lejeqëndrimit dhe nënshtetësisë, Asllanin e kanë penalizuar shumë herë edhe në projektet e tij si aktor.

Duke shtuar se sa herë që ka dashur të aplikojë, iu kanë kërkuar mbi 13 dokumente.

Sipas drejtorit të departamentit për shtetësi, azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, në bazë të ligjit të vjetër  për të huaj, u është pamundësuar që banorët e luginës t’i pajisen me lejeqëndrim.

Sipas tij, tashmë janë duke hartuar një udhëzim administrativ për të rregulluar statusin e tyre.

Ky udhëzim administrativ, sipas Krasniqit  do të hartohet deri në fund të këtij viti.

Ai ka pohuar se si shkak i mos pajisjes me lejeqëndrim, banorët e luginës së Preshevës, por edhe banorë nga vendet tjera, kanë hasur në shumë vështirësi.

Ndërsa, për Kushtrim Asllanin dëshira e vetme mbetet që një herë e përgjithmonë të rregullohet një gjë e tillë. Ai ka shtuar se institucionet e vendit po premtojnë shumë, e në anën tjetër, banorët e luginës vazhdimisht po diskriminohen. /KosovaPress/

Alesia Bami