“Balona” e parë e shqiptarit fluturoi nga kodrinat e Zarbincës së Bujanocit

0

masurica

Masurica ishte novator edhe i gjërave të tjera para një shekulli e gjysmë.

Mulla Hasan Masurica ishte vizionar i madh. Qysh në vitin 1900 ka folur se si njeriu brenda disa decenieve do të arrijë në planetët e tjerë, se si njerëzit do të flasin e shihen ndërmjet vete nga një kontinent në tjetrin, për armët e shkatërrimit masiv. Ai thoshte se rreth vitit 2100 njerëzit do ta zhvillojnë dhe do ta përparojnë aq shumë shkencën dhe teknikën, shkruan kosovasot.

Qysh si fëmijë, Refik Hasani kishte dëgjuar nëpër oda rrëfime për Hasan Masuricën, që thoshin se e kishte konstruktuar ‘balonën’ e parë në botë, siç e quanin asokohe aeroplanin, me të cilin djali i tij, Muharremi, kishte fluturuar lart në qiell. Baballarët tregonin se Hasan Masurica ishte një njeri tepër inteligjent. “Ai kishte një qoshe në plevicën e shtëpisë së tij, ku punonte me vegla primitive”, thotë Hasani. Historia e tij dëshmohet përmes rrëfimeve gojore dhe disa dokumenteve të pakta origjinale që kanë mbetur nëpër arkiva. Ai tërë jetën është marrë me kërkime shkencore dhe zbulime. Banorët e Zarbincës flasin me admirim për Hasan Masuricën, i cili ka jetuar e punuar në mejtepin e këtushëm, që ende mbahet në këmbë. Jetoi në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe politike, si dhe në rrethana jo të favorshme shoqërore. Po të kishte lindur në kohë të tjera, ai do të ishte i njohur në gjithë botën për zbulime shkencore. Masurica ka hartuar kalendarin, që përcakton pozitën dhe rrugën e planetëve në gjithësi. Kalendarët e tij kanë impresionuar profesionistët e asaj kohe. Asokohe, ai ka ndërtuar një mulli në Zarbincë, që bluante rreth 1000 kg drithë në ditë. Por, dy nga shpikjet më të famshme që i atribuohen Hasan Masuricës, sipas fakteve dhe dëshmive, janë aeroplani dhe pushka automatike.

Është zbulues edhe i armës automatike

Në vitin 1899, Hasan Masurica, duke punuar ditë e natë, me ndihmën e Avdylit, kovaç i fshatit, ndërtoi aeroplanin e parë pa motor. Shqiptari i Zarbincës e ndërtoi aeroplanin nga dërrasat e plepit dhe pëlhurat e lyera me dyllë. I biri Muharremi, 12-vjeçar, u ngrit në ajër 50 deri 70 metra lartësi, duke kaluar një distancë prej afro katër kilometrash. Kjo ngjarje mahniti pa masë fshatarët e Zarbicës dhe të fshatrave përreth. Pjesëmarrës në ngritjen e aeroplanit të parë në botë ishte edhe Mahmut Rrapi nga fshati Zarbincë, ndërkaq fluturimin e kishin parë qindra fshatarë e barinj, që punonin në fushë ose kullotnin bagëtinë. Vëllezërit Rajt e ndërtuan aeroplanin me motor katër vjet më vonë, ndoshta duke u nisur edhe nga shembulli i shqiptarit Masurica, që jetonte në një qoshe tjetër të botës. Nga viti 1901 deri më1905, Hasan Masurica konstruktoi pushkët me një, pesë dhe njëzetepesë fishekë dhe funksionimin e tyre e demonstroi para Sulltan Abdyl Hamidit, në Stamboll, në vitin 1905. Edhe kjo ngjarje ka pasur dëshmitarë okularë, të cilit ishin Azem Saliu, Sherif Osmani dhe Osman Zahiri nga Sedllari nga Kamenica, të cilët asokohe ishin truproje personale të Sulltan Abdyl Hamidit. Sipas dëshmive të tyre, Sulltani ishte impresionuar nga kjo shpikje e shqiptarit dhe planifikonte fillimin e prodhimit të pushkëve në fabrikë. Sulltani e mirëpriti Hasan Masuricën. I dha një nga vendet më të mira në Dollma Bahçe, që të rrinte e të punonte aty.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com