Autopsia e grupeve kriminale shqiptare dhe bashkëpunimi i tyre me serbët

0

Autopsia e grupeve kriminale shqiptare dhe bashkëpunimi i tyre me serbët

Mosha mesatare e personave të përfshirë në grupe kriminale

Gjatë shqyrtimit të një sërë dosjesh të gjykuara në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Shqipëri dhe të personave nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprat penale të kryera, rezulton se mosha mesatare e personave të përfshirë në krim të organizuar luhatet nga 30 deri në 40 vjeç, ndërsa mosha më e madhe e personave të përfshirë në trafik armësh dhe municionesh, luhatet nga 40 deri 50 vjeç. Duke analizuar vendimet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, del në masën më të madhe të pandehurit të akuzuar për krijim, drejtim dhe pjesëmarrje në organizatat kriminale në Shqipëri, në harkun kohor të viteve ’98- 2001, kanë lindur në vitet ’70.

Të dhënat nga dosjet për personat me precedentë penalë

Një e dhënë shumë interesante del nga shqyrtimi i rreth 102 vendimeve të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Rreth 88% e të pandehurve të gjykuar për veprimtari kriminale nuk kanë qenë të dënuar më parë nga gjykatat shqiptare. Shumica prej tyre kanë qenë të papunë dhe në kushte të vështira ekonomike, përpara se të merreshin me veprimtari kriminale. Po nga këto dosje rezulton se shumë persona të përfshirë dhe të dënuar për trafikim të drogës, si heroinë dhe kokainë, jashtë Shqipërisë, pasi kanë bërë dënimin jashtë kanë ardhur në Shqipëri, duke krijuar “perandorinë” e tyre kriminale dhe më pas, duke e lidhur botën e tyre të krimit në Shqipëri me rrjetet kriminale në vendet e tjera jashtë Shqipërisë.

Llojet e armatimit që përdorim

Pistoletat janë armatimi më i rëndomtë që përdorin grupet kriminale në Shqipëri. Ato fillojnë që nga pistoletat TT, Zastava, Beretta, etj. Këto armë ato i mbajnë kryesisht për vetëmbrojtje, por edhe për të goditur kundërshtarët apo për presion ndaj viktimave të tyre në rastet e gjobvënies. Armatimi i rëndë nuk është pjesë e zakonshme e këtyre grupeve. Ato mëse shumti mbahen në shtëpi. Janë të rralla rastet që grupet kriminale kanë përdorur armë të kalibrit të rëndë për të eliminuar kundërshtarët e tyre.

Në evidentimin e këtyre fakteve të mësipërme shërbejnë armët e zbuluara dhe të sekuestruara në çastin e arrestimit të personave, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit dhe të banesës. Krahasuar me shumë vite më parë kur bandat dhe grupet kriminale përballeshin me dhunë ekstreme deri dhe publikisht, sot vihet re se ato i janë shmangur këtyre taktikave.

Rrethanat e reja kanë çuar edhe në adaptim të mënyrës së funksionimit të grupeve kriminale, pasi ato, duke vënë re edhe rritjen e forcës zbuluese të krimeve nga ana e policisë, janë detyruar të kamuflojnë më shumë veprimtarinë e tyre, duke lënë dhunën si mjetin e fundit për zgjidhjen e problemeve.

P.sh: trafikantët e femrave për qëllime seksi përdorin më shumë dhunën psikologjike se atë fizike. Nga ana tjetër ekspertët arsyetojnë se niveli i ulët i dhunës mes grupeve rivale, kryesisht, lidhet me mungesën e nevojës nga ana e këtyre grupeve për të kontrolluar territore. Shqipëria duke qenë një treg i vogël për shërbimet që ofron tregu kriminal, sa i përket drogës dhe seksit, grupet e krimit të organizuar vlerësojnë se përfshirja në beteja të dhunshme për një treg që sjell pak fitim, ka kosto të lartë e të panevojshme. Gjithsesi, vrasjet me pagesë dhe vendosja e tritoleve shihen si përpjekje për të dominuar edhe atë pak treg që është.

Shkalla arsimore e personave në grupet kriminale

Arsimi i mesëm mund të konsiderohet si niveli më i lartë arsimor i këtyre grupeve kriminale. Mëse shumti anëtarët e këtyre bandave janë me arsim 8 vjeçar dhe në jo pak raste edhe pa arsim. Por kjo “tabu” kohët e fundit duket se është shkelur, pasi vihet re se gjithnjë e më shumë në botën e krimit të organizuar po përfshihen edhe persona me arsim të lartë. Por më shumë se tendencë, kjo duket se vjen edhe si rezultat i shpartallimit gjatë dy dekadave të arsimit të lartë në Shqipëri, ku marrja e diplomës nga kushdo është bërë gjëja më e thjeshtë e mundur.

Niveli i bashkëpunimit në rang ballkanik dhe evropian

Ekspertë të fushës së kriminologjisë shprehen se grupet shqiptare nuk kanë paragjykime sa i përket bashkëpunimit me grupet e tjera brenda apo jashtë Shqipërisë, kur bie fjala për “ndarjen e tortës” së fitimeve nga veprimtarit kriminale. Por ato përpiqen të jenë të pavarur sa i përket formës së organizimit dhe të veprimit. Fillimisht bashkëpunimi i grupeve kriminale shqiptare me ato të huaja ka qenë me grupet mafioze italiane dhe ato turke, kryesisht në tregun e drogës. Në Itali grupet shqiptare arritën të kenë një pavarësi relative përball grupeve kriminale italiane, në fushën e trafikut të drogës, prostitucionit dhe kontrabandës.

Grupet e para shqiptare të krimit të organizuar morën “licencë” nga grupet mafioze të Sacra Corona Unita për shfrytëzim prostitucioni në një zonë të caktuar, duke marrë si shkëmbim furnizim me drogë dhe armë nga shqiptarët. Përveç bashkëpunimit me grupet italiane dhe turke afro 48 grupe të organizuara kriminaleshqiptare kanë bashkëpunuar edhe me grupe në shtete të tjera kryesisht në vende fqinj si Greqi, Maqedoni, Kosovë, por edhe deri me ato në Moldavi, Ukrainë, Bullgari e Rumani.

Grupet kriminale brenda Shqipërisë, nisur dhe nga fakti se vendi ka një treg modest, bashkëpunojnë vazhdimisht me grupet kriminale shqiptare që veprojnë në vendet e BE-së, por edhe me ato malazeze, boshnjake, serbe dhe maqedonase, pa u ndikuar aspak nga dallimet politike apo legjendat Ballkanike. Ky bashkëpunim shtrihet kryesisht në trafik droge dhe armësh.

Ajo që vihet re është fakti se në këtë periudhë, sipas vendimeve të gjykatave, ka dhe jo pak shtetas të huaj si italianë, grekë, boshnjakë, kroatë dhe të nënshtetësive të tjera evropiane në transportimin e lëndëve narkotike nga dhe përmes Shqipërisë, për llogari të grupeve shqiptare të krimit të organizuar.

Kjo duket lidhet me situatën ekonomike të vështirë në këto vende. Mund të themi se kemi një kthim me “kokë poshtë” të skemës së viteve ’90, kur grupet kriminaleshqiptare hyn në botën e krimit. /Albeu.com/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com