Arrestohet një aktiviste e Vetëvendosjes në Dardanë

0

Arrestohet një aktiviste e Vetëvendosjes në Dardanë

Lëvizja Vetëvendosje thotë se policia e Kosovës po i përndjek aktivistët e saj, për protestat kundër privatizimit të KEDS-it, të cilat i kishte organizuar kjo lëvizje në sheshin kryesor të Prishtinës në tetor të vitit 2012.

Dy javë më parë është arrestuar aktivisti Kushtrim Dakaj, kurse sot VV njofton se është arrestuar aktivistja nga Dardana, Brikenë Ramabaja, të cilën sipas vetëvendosjes policia më herët e ka kërkuar me dhjetëra herë në shtëpinë e saj dhe në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Dardanë.

“Brikenë Ramabaja po akuzohet, sikur shumë aktivistë të tjerë, të cilëve ju kanë ardhur thirrjet nga Policia, për pjesëmarrjen e saj në Protestën kundër privatizimi të KEDS-it të cilën e kishte organizuar Lëvizja Vetëvendosje në sheshin kryesor të Prishtinës në tetor të vitit 2012 dhe ku vetë Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi kishte urdhëruar ndërhyrjen e cila rezultoi në dhunë nga ana e komandantëve të Policisë së Kosovës ndaj deputetëve dhe aktivistëve protestues”, thuhet në një njoftim të kësaj Lëvizje.

Lëvizja Vetëvendosje i quan të qëllimshme këto aksione të Policisë së Kosovës, por në anën tjetër po kërkon që në të njëjtën kohë të hetohen edhe policët e Kosovës që sipas tyre kanë ushtruar dhunë në këtë protestë.

“Gjatë asaj proteste pati shumë lëndime e ndërhyrje brutale nga Policia e Kosovës, nga truprojat e ministrave, por ende askush as nuk u gjykua apo u thirr në përgjegjësi. Po ashtu, protesta e atëhershme kundër privatizimit të KEDS-it veç sa është legjitimuar edhe më tepër këtë vit, duke pasur parasysh, përveç tjerash, edhe shtrenjtimin e dyfishtë të rrymës brenda një viti dhe mungesën e furnizimit me energji elektrike kudo nëpër Kosovë”, thuhet në këtë njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistes Brikenë Ramabaja dhe i bën thirrje pushtetit në ikje që t’i ndërpresë arrestimet politike të aktivistëve tanë.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com