Arrestohet nga xhandarët serbë në territor të Kosovës, e dënon gjykatësi shqiptar në Bujanoc

0

Florim Qerimi nga Stublina (1980) është arrestuar më 14 korrik në brendi të territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Florimi tha se xhandarmëria e ka dërguar në Gjykatën e Bujanocit ku është dënuar nga një gjykatës shqiptar me 200 euro.

xhandarmeria

Qerimi thotë se vija kufitare po shkelet vazhdimisht nga xhandarmëria serbe.

“Isha duke shkuar në arën time ku prisja ta korrnim grurin dhe për një moment kam hasur në xhandarmërinë serbe e cila më arrestojë dhe më pas më dorëzoj tek stacioni i policisë serbe”.

Kështu e nis rrëfimin Florim Qerimi banor nga Stublina i cili u arrestua më 14 korrik derisa po shkonte në arën e tij, raporton rajonipress.

Qerimi tha se xhandarmëria serbe nuk janë sjellë keq me të. “Realisht unë pak rezistova sepse u thash se jam në tokën time ku gjithmonë e kam punuar tokën dhe asnjëherë s’kam pasur problem, por ata më thanë se duhet të dorëzojmë tek policia”, shpjegon Florimi.

Sipas Florimit, xhandarmëria e kanë dorëzuar tek policia serbe dhe së bashku me ta është dërguar në Bujanoc ku është dënuar nga një gjykatës shqiptar me 200 euro.

“Ishte një gjykatës shqiptar që quhej Reshat dhe i cili u soll shumë keq. Insistonte me çdo kusht që unë të dënohesha me 500 euro, por fatmirësisht qëlloi një shqiptar nga Dobrosini i cili insistonte se unë isha arrestuar gabimisht meqë isha në pjesën e Kosovës”, ka thënë ai.

Florimi thotë se policia kufitare e Kosovës duhet urgjentisht të mbajnë një takim me pjesën serbe që është përgjegjëse për vijën kufitare, kuptohet, me ndërmjetësimin e KFOR-it, në mënyrë që këto skandale mos të përsëriten.

“Nëse vazhdohet kështu që të pengohemi nga xhandarmëria serbe, ne nuk mund të jetojmë tutje këtu”, shprehet i revoltuar Florim Qerimi.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com