Arifi: «Nyja e lëmshit politik në Luginë do të zgjidhet kur Shqipëria dhe Kosova të bëhen pjesë e BE-së»

0

INTERVISTË EKSKLUZIVE ME KRYETARIN E KOMUNËS SË BUJANOCIT, NJËHERËSH KRYETAR I PD-SË, DR.SC.NAGIP ARIFI

Arifi

Me kryetarin e Komunës së Bujanocit, njëherësh kryetar i PD-së, dr. sc. Nagip Arifi, biseduam për shumë çyshtje që kanë të bëjnë me aktualitetin në këtë komunës, në veçanti, dhe në tërë Luginën, në përgjithësi. Si e sheh ai të sotmen dhe të nesërmen e këtij rajoni? Çfarë mendon për mërgimtarët dhe Diasporën? Pse Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë tri komunat më të pazhvilluara në Serbi? Kur dhe si do të zgjidhet nyja e lëmshit politik në Luginë?

Intervistoi Dashnim HEBIBI

Z. Arifi, cila është gjendja aktuale politike në komunën e Bujanocit?

Sa i përket gjendjes aktuale politike në komunën e Bujanocit, mund të them se është një gjendje relativisht e mirë me tendenca të mëtutjeshme të përmirësimit dhe kjo gjendje po përmirësohet në interes të qytetarëve të komunës sonë. Gjer më 2002, çdo herë ka qenë tendenca e keqësimit dhe ashpërsimit ndërmjet nacionaliteteve që jetonin këtu. Sigurisht se kjo gjendje do të ishte edhe më e mirë po të ekzistonte një vullnet i Qeverisë qendrore për ta përmirësuar atë, sidomos sa i përket zhvillimit ekonomik, si dhe kyçjes dhe angazhimit të shqiptarëve në organet shtetërore dhe respektimit të të drejtave si ato individuale dhe kolektive.

Jemi në mesin e muajit të katërt të këtij viti. Cila është puna kryesore që do ta kryeni gjatë këtij viti, kur kanë mbetur edhe 8 muaj të tërë?

Ne për vitin 2015 në KK të Bujanocit e kemi aprovuar Buxhetin dhe planin investiv më 27.12.2014, dhe mund të them se ky plan është duke u realizuar në të gjitha fushat, ashtu siç është aprovuar nga këshilltarët komunalë. Në këtë vit do të ndërtohet dhe do të pajiset me gjithë inventarin e paraparë objekti i shkollimit të lartë. Ky objekt për shkollim të lartë universitar për disa vite i është dhënë në shfrytëzim Universitetit të Novi Sadit, përkatësisht Fakultetit Ekonomik nga Subotica, dega në Bujanoc. Ky fakultet ka filluar të funksionojë në Bujanoc që nga viti 2011 më rekomandim të BE-së, OSCE-së dhe komisares së lartë për pakica me seli në Hagë, dhe me bindje të plotë mundem të them se Bujanoci po i vendos themelet e një qyteti universitar dhe se në të ardhmen do të kemi edhe drejtime dhe fakultete sipas nevojës së zhvillimit ekonomik, duke regjistruar studentë sipas nevojave të ekonomisë së tregut. Projekt tjetër që do të fillojë në fillim të muajit maj është ndërtimi i transfero-stacionit të mbeturinave, ku kemi për qëllim të bëjmë riciklimin e mbeturinave sikurse në vendet evropiane, ku mbeturinat do të riciklohen, e më pastaj do të përdoren për prodhimin e energjisë elektrike, por në të njëjtën kohë do të hapen edhe vende të reja të punës. Projekt tjetër me rëndësi primare për qytetin e Bujanocit është ndërtimin i rrethrrotullimit në hyrje të qytetit në drejtim te Gjilanit dhe qendrës.

Projekt tjetër është rregullimi i shtratit të lumit që vjen nga fshatrat e Malësisë së Bujanocit, e kalon nëpër fshatin Tërnoc dhe bashkohet me lumin e Moravës së Binçës. Projekt kapital që është në përfundim është edhe rregullimi i sheshit të qytetit. Këto janë projekte që secili prej tyre arrin vlerën prej 500 mijë deri në 1 milion euro. Kemi edhe shumë projekte tjera që janë gati që të realizohen në çdo fshat të komunës sonë, qoftë të rregullimit të rrugëve lokale, ujësjellësve, kanalizimeve atmosferike e fekale, ndriçimit apo përforcimit të rrjetit energjetik etj. Vlen të ceket se është duke u kompletuar projekt-dokumentacioni që rruga regjionale që lidh fshatrat e Malësisë së Bujanocit me qytetin të fillojë të asfaltohet nga fshati Breznicë deri në fshatin Zarbincë apo anasjelltas, pasi në vitin që e lamë pas kemi kryer asfaltimin nga Tërnoci deri në Breznicë, që është një arterie shumë me rëndësi për shqiptarët e komunës sonë.

Sigurisht merrni kërkesa të ndryshme nga banorët e kësaj ane, por cila është ajo që më së shpejti përmendet nga ata?

Kërkesat janë të shumta, duke nisur nga interesimi për përmirësim të infrastrukturës dhe të zhvillimit ekonomik, punësim, ndihma sociale, pra të natyrave dhe preokupimeve të ndryshme, disa nga të cilat janë në realitet obligime të pushtetit republikan, që kurrë nuk i ka realizuar, por pa marrë parasysh atë, ne në administratën tonë lokale jemi në disponim të qytetarëve në çdo kohë duke i realizuar premtimet, por edhe obligimet në përputhshmëri me mundësitë tona në këtë krizë që e ka kapluar Serbinë.

10685333_10153150344327674_7989270485486893372_n

Po flitet se komuna e Bujanocit dhe Preshevës, por edhe ajo e Medvegjës, janë më të varfrat në Serbi. A mund të na thoni dy-tri raste kur Qeveria serbe është dashur të investojë më shumë?

Po është e vërtetë se komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë ndër komunat më të pazhvilluar në Serbi, dhe pikërisht është moskujdesi dhe mosinteresimi i Qeverisë së Serbisë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, edhe pse ne si pushtet lokal kemi bërë përgatitjet e nevojshme, kemi propozuar dhe projektuar tri zona industriale në komunën tonë që na kanë lakmi edhe komunat më të zhvilluara, por për fat të keq Qeveria e Serbisë nuk ka shprehur kurrfarë interesimi për zhvillimin e komunës sonë. Ne në vitin 2014 jemi shpallur lider për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nga forumi CEDF, forum evropian, por Qeverisë së Serbisë ndoshta edhe kjo s’po i konvenon, sepse gjithmonë është e interesuar që këtu të mos ketë stabilitet ekonomik, politik, kulturor, por që në heshtje ky rajon të pastrohet nga shqiptarët.

Sigurisht keni pasur dhe keni ndonjë takim me ndonjë qeveritar të Serbisë. Si ju ka pritur dhe çka keni kërkuar nga ata?

Çdo kryetar i komunës, sipas Ligjit për administrimin lokal, neni 44, përcakton që kryetari i komunës e përfaqëson komunën, si në vend, ashtu edhe jashtë, prandaj kemi pasur takime të shpeshta me ministri përkatëse dhe ato në kohë të fundit janë shpeshtuar, sidomos me ardhjen e qeveritarëve edhe në Bujanoc dhe Preshevë, dhe takimet janë të shpeshta, e në të shumtën e rasteve janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e ambasadave të akredituara në Beograd, më së shumti nga OSCE dhe EU, e kërkesa jonë e parë është që shqiptarëve t’u garantohen të drejtat kolektive dhe individuale në përputhje me konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat, zhvillimin ekonomik, nostrifikimin e diplomave të universiteteve nga Republika e Kosovës, Shqipëria dhe Maqedonia.

Si qëndroni si kryetar i komunës me dy deputetët e Luginës së Preshevës?

Sikurse me çdo qytetar shqiptar, duke u respektuar në mënyrë reciproke, por gjithsesi gatishmëria ime është në çdo moment e pranishme që për çdo nevojë të tyre për në Parlamentin e Serbisë t’ua sigurojë çdo të dhënë relevante.

Po me kryetarin e Komunës së Preshevës?

Puna na afron që të jemi më afër dhe të kemi kontakte më të shpeshta për interesat e qytetarëve shqiptarë të këtyre komunave, dhe koordinimi i qëndrimeve të përbashkëta ndaj faktorit ndërkombëtar, por edhe qeveritar, por kjo bëhet edhe me deputetët, sikurse ka qenë rasti i hartimit të Planit 7-pikësh për zbutjen e situatës ekonomike, politike të sigurisë, të kulturës, të arsimit, të integrimit të shqiptarëve në organet shtetërore konform përqindjes së tyre në Rrethin e Pqinjës, si dhe debllokimin e gjendjes së mjerueshme ekonomike të tri komunave, Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, dhe ky program është bërë në koordinim me të gjitha subjektet politike.

Dihet numri i saktë i të papunëve në komunën tuaj?

Edhe me lart e ceka se problemi më i madh është papunësia, dhe numri i të papunëve sillet nga 40-50% i njerëzve të aftë për punë, gjendje kjo që nuk është e njëjtë në brendësi të Serbisë, por kjo është bërë më qëllim nga qeveritë dhe mandatarët qeveritarë në kontinuitet për ta lënë këtë trevë në një gjendje të tillë të pazhvilluar dhe pa perspektivë, dihet me çfarë qëllimesh.

Kohëve të fundit po investojnë afaristët turq. Për çfarë po interesohen ata më shumë?

Në katër vjetët e fundit ka filluar të investohet edhe nga shteti i Turqisë nëpërmjet organizatës turke TIKA, kryesisht në infrastrukturë, siç ishte ndërtimi i objektit të shkollës fillore «M. Kadriu» në lagjen e Strukarëve, më konkretisht në Tërnoc, ku u investuan mbi 1 milion euro në realizimin e këtij projekti dhe po ashtu kompania «Kumova», me seli në Bursa të Turqisë, i cili është me origjinë nga fshati Tërnoc ka bërë renovimin e objektit qendror të shkollës «M. Kadriu» në vlerë mbi 30 mijë euro në vitin 2014, e mendon që këtë projekt ta vazhdojë edhe në ketë vit kalendarik. Por, ajo që është me rëndësi, që nga viti i kaluar kemi filluar një bashkëpunim në sferën ekonomike me organizatën «Rumelisiada», me seli në Bursa të Turqisë, e cila në programin e saj kryesor e ka zhvillimin ekonomik, ku në vete ngërthen 380 biznesmenë me prejardhje nga shtetet e Ballkanit, e me nënkryetar Omer Kumova, e pritet që në vitin 2016 të udhëheqë me këtë organizatë, për çka kemi hartuar projekte kryesisht të zhvillimit ekonomik dhe jam shumë i bindur që në këtë drejtim do të kemi një përkrahje të madhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

«Këtë vit kemi paraparë të ndajmë nga 100.000 euro subvencione pa kthim»

Ku është më e përgatitur Komuna e Bujanocit që t’i hapë dyert ndonjë afaristi, e kam fjalën në çfarë fushe do të ishte emergjente që të investojnë?

Ne jemi gati, sepse, siç thashë edhe më parë, i kemi hartuar planet urbanistike për tri zona industriale. Sipas mendimit tim, ajo nuk kërkon shumë investime, dhe shihet se rezultatet në sektorin e bujqësisë do të jenë shumë më të prekshme, pasi për këtë vit kemi paraparë të ndajmë nga 100.000 euro subvencione pa kthim.

Sikur të mos ishte mërgata, pa dyshim se gjendja ekonomike e sociale në Bujanoc e rrethinë do të ishte edhe më e rëndë. Komenti juaj?

Plotësisht pajtohem me ju se mërgata ka dhënë është duke e dhënë një kontribut shumë të madh, si në mirëqenien sociale, po ashtu edhe në zhvillimin indirekt në sferën ekonomike. Disa mërgimtarë kanë filluar veç të investojnë në zhvillimin ekonomik dhe ne në këtë drejtim u jemi mirënjohës dhe i ftoj që edhe më fuqishëm të vijnë dhe të investojnë, sepse edhe ata do ta kenë interesin e tyre, se këtu te ne fuqia punëtore është e lirë, e kualifikuar, e pse të mos ndodh nga mërgimtarët edhe një gjest simbolik në çështjen patriotike dhe të atdhedashurisë.

10443427_10152771454287674_1230039213574118006_n

Deri kur do të jetë e pazgjidhur nyja e «lëmshit» politik për këto tri komuna?

Deri kur Shqipëria dhe Kosova të mos bëhen pjesëtare të Bashkimit Evropian dhe Kosova të mos anëtarësohet në paktin e NATO-s.

Pak kilometra nga Bujanoci është baza e ushtrisë serbe, një ndër më të mëdhatë në Serbi e në rajon. Sa është e bezdisshme kjo për banorët e këtushëm?

Për bazën ushtarake shqiptarët në asnjë moment, që nga fillimi i ndërtimit e deri më sot, nuk e kanë dhënë pëlqimin dhe nuk e kanë aprovuar këtë projekt megaloman. E sa për opinion, në kohët e fundit, e sidomos nga viti 2014, kësaj bazë i është ndërruar destinimi inicial, duke u stërvitur ushtarët e shteteve anëtare të NATO-s, e më shumë të SHBA-së.

E mbi fshatin Lluçan është thënë se po ndërtohet një përmendore nga serbët. Si është gjendja reale në lidhje me këtë projekt?

Po, xhandarmëria serbe e ka ndërtuar një «lapidar» për policët e rënë gjatë konfliktit me forcat e UÇPMB-së në këtë rajon, por Qeveria Serbe asnjëherë nuk ka kërkuar leje për këtë çështje, as që do të marrë ndonjëherë pëlqim nga pushteti i Bujanocit, derisa unë të jem kryetar në këtë komunë, por besoj se nuk do ta marrë nga asnjë shqiptarë as në të ardhmen. Ne për këtë çështje kemi mbajtur edhe një seancë të Kuvendit Komunal, dhe ajo që është me rëndësi është se edhe serbët lokalë në atë seancë kanë votuar për heqjen e këtij lapidari i ngritur krye më vete nga qarqe kriminale të xhandarmërisë, me qëllim të tendosjes së situatës dhe përkeqësimit të raporteve ndërnacionale në Bujanoc, por këtë hile e kanë kuptuar edhe qytetarët serbë dhe besoj se me një angazhim serioz të faktorit ndërkombëtar, në bazë të konkluzionit të KK të Bujanocit, ky provokim mund të evitohet dhe ky lapidar definitivisht të largohet nga aty ku nuk e ka vendin.

Momente, kur z.Arifi, duke e vënë flamurin kombëtar në ndërtesën e Komunës së Bujanocit
Momente, kur z.Arifi, duke e vënë flamurin kombëtar në ndërtesën e Komunës së Bujanocit

Është kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të kthehet Lapidari në Preshevë. Pse, sipas jush, nuk po realizohet kjo kërkesë?

Sa jam i informuar, kërkesat për rikthimin e lapidarit kanë qenë të pandërprera, por Qeveria e Serbisë për momentin nuk ka vullnet për ta rikthyer Lapidarin e Dëshmorëve të rënë gjatë luftës së UÇPMB-së.

Deri ku kemi arritur me njohjen e diplomave të studentëve që studiojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni?

Edhe më parë problem i madh ka qenë mosnjohja e diplomave nga Kosova, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa të diplomuarit në Shqipëri dhe Maqedoni është dashur të gjejnë rrugë alternative për nostrifikimin e diplomave të tyre. Pas marrëveshjes së Brukselit, me të cilën u mundësua të verifikohen diplomat e Kosovës dhe Serbisë nga një komision i pavarur (SPARKS), erdhi deri te relaksimi relativ i kësaj situate, por, siç di Serbia ta bishtnojë çdo marrëveshje, edhe këtë me një akt dhe me një vendim e hodhi poshtë me arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, dhe situatën e ktheu në zero, ndërsa protokollin ndërqeveritar të takimit Vuçiq – Rama në Beograd mbi njohjen reciproke të diplomave, pa pasur nevoje të nostrifikohen, ata ende nuk po e zbatojnë, kështu që situata e studentëve tanë që studiojnë në Kosovë dhe Shqipëri nuk është e lakmueshme.

Po afrohet dita që kryeministri i Serbisë do ta vizitojë Tiranën. Sigurisht edhe ju do të shkoni në Shqipëri. Jeni takuar me z. Rama, apo e keni ndërmend të takoheni së shpejti?

Është në interesin rajonal që marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan të relaksohen, sidomos ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, meqë e kanë pasur një të kaluar jo të mirë dhe çdo relaksim i këtyre raporteve shkon edhe në favor të avancimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe, në përgjithësi, të të gjithë shqiptarëve. Po, është e vërtetë se kemi kontakte të rregullta me kryeministrin e Shqipërisë, z. Rama, dhe e kemi takuar edhe gjatë vizitës së tij në Serbi, me ç’rast na bëri një nderim të madh duke na vizituar edhe në Bujanoc e Preshevë, por kemi pasur takime me të edhe në Tiranë, dhe na gëzon fakti se ai e ka një qasje shumë trimëruese, kategorike, por edhe pragmatike për përmirësimin substancial të situatës në Luginë, e këtë obligim ai e merr si një detyrim kushtetues.

Keni ndonjë kërkesë ndaj kryeministrit të Shqipërisë, z.Edi Rama, që t’ia thotë kryeministrit të Serbisë për komunën tuaj dhe për Preshevën e Medvegjën?

Kërkesa jonë unanime, pra e gjithë spektrit politik të Luginës është që zoti Rama të kërkojë dhe të insistojë te pala serbe që për ne të sigurohen të drejtat të barabarta që gëzojnë serbët me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Është rrezik për Bujanocin që po largohet ajka e intelektualëve për një jetë më të mirë?

Po, nga këto troje gjithmonë janë larguar njerëzit e shkolluar dhe me reputacion për shkaqe të ndryshme, qofshtë politike, ekonomike, apo të sigurisë personale, por edhe për të gjetur kushte dhe jetë më të mirë, por besoj se Bujanoci është burim i pashtershëm i ajkës intelektuale.

Por, ne, prapëseprapë kemi obligim moral dhe patriotik që kësaj ajke t’ia mundësojmë qëndrimin në Luginë dhe Bujanoc.

Çka të lodhë më së shumti?

Më së shumti lodhem kur disa njerëz fillojnë të më japin ide shterpe, apo merren me patriotizëm fals, e në realitet veprojnë ndryshe, apo kur njerëzit e dështuar duan të shesin ide të lira për të tjerët.

Pse po na mungon uniteti politik?

Çdo subjekt politik e ka programin e vet, por edhe pse shihet se në jetën e përditshme ka mospajtime ndërmjet subjekteve politike shqiptare, një është e sigurt – kur kemi te bëjmë me interesat e përgjithshme, çdo herë jemi unikë, e kjo është dëshmuar edhe me Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, edhe gjatë luftës së UÇPMB-së, gjatë hartimit të Platformës politike të vitit 2006, por edhe gjatë hartimit të Dokumentit 7-pikësh të vitit 2013.

Jeni takuar me kryeministrin e Kosovës, dr. Isa Mustafa?

Po, jemi takuar edhe atë në mënyrë shumë vëllazërore. Gjatë takimit, kërkesa ime kryesore ka qenë që Kosova duhet të bëjë me shumë për shqiptarët e Luginës, dhe të bëjë një presion te pala serbe për të pasur të drejta reciproke me serbët që i gëzojnë në Kosovë.

Pse, sipas jush, është dashur që edhe tema e Luginës së Preshevës të jetë në plan projektin e Qeverisë së Kosovës në bisedimet me Beogradin?

Unë jam i sigurt se në bisedimet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, po të kishte qenë e hapur kaptina e Luginës, sot situata jonë, por edhe e Kosovës, do të ishte shumë më e favorshme, por mendoj se nuk është vonë që kjo kaptinë të futet në bisedimet që do të vijojnë.

Edi Rama ishte në Preshevë dhe e dimë se çfarë tha para gjithë banorëve të tri komunave (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë). Pritni rezultate konkrete nga Qeveria e Shqipërisë për këto tri komuna?

Kryeministri Rama ka premtuar ndihmë në shumë sfera, por për momentin, pos që dy qeveritë kanë ndarë nga 50 mijë euro për Maternitetin e Preshevës dhe disa deklaratave në mbrojtje të shqiptareve, diçka konkrete deri më sot nuk kemi pasur.

Si është bashkëpunimi juaj me Këshillin Nacional të Shqiptarëve të Luginës?

Ka filluar një bashkëpunim në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, para së gjithash në fushat që i takojnë Këshillit Nacional. Ka përparime sidomos në arsim, e kjo dëshmon se nuk kemi më drejtorë të dhunshëm nëpër shkollat shqipe të emëruar nga Beogradi për shkak të moskordinimit të tekeve të Këshillit Nacional në raport ndaj pushteteve lokale. Nga tash drejtorët do të zgjidhen vetëm me pëlqimin e këshillave të shkollave, të përbërë nga këshillat e arsimtarëve dhe të prindërve, dhe drejtorët tonë do të zgjidhen këtu, e jo në Beograd.

Sigurisht keni edhe takime me faktorin ndërkombëtar.

Çfarë kërkoni nga ata, gjithnjë me fakte për komunën tuaj?

Kemi takime të shpeshta dhe të rregullta me të gjithë përfaqësuesit e faktorëve relevantë, të akredituar në Beograd, siç janë ambasadorët e SHBA-ve, UE, OSCE, Gjermanisë, Zvicrës, Turqisë etj., dhe kërkesat janë çdo herë që ata të jenë garantues i avancimit të të drejtave tona kolektive, individuale, por edhe një zhvillim më i hovshëm ekonomin.

400989_10150701829157674_857501836_n

Kur fillon dhe kur mbaron dita për Ju?

Unë çdo ditë zgjohem në orën gjashtë dhe përgatitem për punë, dhe që nga ai moment jam në disponim të të gjithë qytetarëve, në raste të shumta edhe 24 orë pareshtur, dhe jam duke u munduar që të gjithë qytetarët ta kenë një jetë sa më të mirë, por sa jam duke e parë ka raste kur dëshirat apo rrethanat janë të tilla që, me gjithë vullnetin dhe përkushtimin tim maksimal, nuk mund të bëj mrekulli.

Keni ndonjë projekt për mërgimtarët tanë, që kur të vijnë për pushime verore, të mbahet ndonjë aktivitet kulturor apo diçka tjetër që të rinjtë të vetëdijesohem se po rriten në një vend të huaj?

Edhe me parë ju thashë se mërgimtarët janë duke e bërë një punë të mrekullueshme për vendlindjen e tyre dhe ne edhe për këtë arsye kemi bërë plane të zhvillimit ekonomik dhe tash ata mund të investojnë në komunën tonë, sidomos me krijimin e këtyre tri zona industriale. Sa u përket aktiviteteve kulturore, shoqëritë kulturo-artistike çdo vit organizojnë aktivitete dhe programe të ndryshme kulturore gjatë sezonit të ardhjes së mërgimtarëve tanë sidomos gjatë pushimeve verore të muajve korrik dhe gusht, dhe me renovimin dhe përfundimin definitiv të sheshit të qytetit, me kushtet e krijuara, në këtë vit sigurisht se do të jeni të befasuar për të mirë, sidomos me programet që janë duke u përgatitur.

Nëpër partitë shqiptare në Luginën e Preshevës ka pak të rinj të inkuadruar. Pse po ndodh kjo?

Unë nuk kisha thënë kështu sa i përket Partisë Demokratike, kryetar i së cilës jam. Në partinë tonë janë të kyçur mbi 30% të të rinjve, si në funksione partiake, po ashtu edhe në menaxhimin e pushtetit lokal, e sa i përket gjinisë femërore jemi rast unik që një parti politike në përbërjen e saj të Kuvendit Komunal përfaqësohet me mbi 45%.

Me çfarë nuk pajtohesh assesi?

Nuk pajtohem assesi me padrejtësinë dhe me njerëzit që nuk e duan punën, por veç duan të japin ide duke mos vepruar, por vetëm të propagandojnë. Me këtë fenomen kurrë në jetën time nuk jam pajtuar.

Për fund të kësaj interviste, a do ta vizitoni Zvicrën gjatë këtij viti?

Në vitin e kaluar isha në Zvicër me ftesë të Shoqatës Humanitare «Lugina e Preshevës», ku e pata rastin të takohem edhe me kryetaren e Komunës së Villit, dhe këtë vit ndoshta përsëri do të qëndroj atje, por nuk jam i sigurt, sepse për muajin maj më ka ardhur një ftesë që t’ia bëjë një vizitë Shqipërisë, e po ashtu në këtë muaj do të shkoj edhe në Turqi, në e Edrene, ku kemi planifikuar disa aktivitete, por nëse arrij t’i koordinoj datat e vizitave, me siguri se me padurim pres që ta vizitoj edhe Zvicrën dhe bashkatdhetarët e mi atje për të shkëmbyer mendime rreth një ardhmërie të mirë të Luginës. Ju faleminderit dhe Ju priftë e mbara! (dialogplus.ch)

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com