Aparteidi i Serbisë: Ja si bëhet spastrimi etnik në Medvegjë!

0

Turpi i madh për Serbinë: Medvegja, vendi ku në shekullin XXI në mënyrë të papenguar vazhdon spastrimi etnik, shkruan e-novine.

Medvegja-01
Kur me 23 korrik të këtij viti, tetë ditë para se t’i kalojë afati i letërnjoftimit të tij të vjetër, Ramadan Jakupi, banor i Medvegjës, me kombësi shqiptare, shkoi në stacionin policor për të ripërtërirë dokumentin, u habit kur kuptoi se sipas evidencës policore ai në të vërtetë nuk banon në adresën në të cilën ka kaluar gati tërë jetën e tij dhe në të cilën edhe sot e kësaj dite qëndron!

Sipas dëshmisë së vetë Jakupit, zyrtarët policor në Medvegjë i thanë atij se sipas evidencës ekzistuese në stacionin policor është konstatuar se adresa e cila figuron në letërnjoftimin e vjetër është fiktive. Për këtë arsye ai është fshirë nga lista e banorëve të Komunës dhe se do të jetë e pamundur për te të marrë letërnjoftimin e ri, transmeton Telegrafi.

Kur ai kërkoi nga zyrtarët policor shpjegim se si është e mundur të ndodhë që i kanë marrë vendbanimin në adresën ku ai ka jetuar tërë jetën, dhe nga ku nuk është zhvendosur asnjëherë as përkohësisht, zyrtarët policor nga Medvegja i thanë që ka edhe mundësi të jetë bërë ndonjë gabim, mirëpo pesha e arsyetimit të këtij gabimi do t’i bie atij si palë e dëmtuar.

Pas një verifikimi shtesë, zyrtarët policor në Medvegjë vërtetuan se ndaj tij nuk është ngritur asnjë procedurë gjyqësore, as edhe nuk është hapur asnjë proces policor, gjë që bëri që edhe ata të dyshojnë se “sigurisht është në pyetje ndonjë gabim”. Gjithashtu, Jakupit iu tha se verifikimi i vërtetësisë lidhur me vendbanimin e përhershëm të banorëve (sigurisht vetëm atyre shqiptarë) vazhdimisht shtyhet sipas direktivave interne të MPB-së, e cila në Stacionin Policor në Medvegjë ka mbërritur në vitin 2011 nga Drejtoria Policore e Leskocit. Pra, gjatë kohës së pushtetit të Boris Tadiqit, Policia serbe ka vendosur një akt intern i cili nuk është asgjë tjetër përveçse një mënyrë e fshehur dhe e heshtur e vazhdimit të spastrimit etnik në Komunën me popullatë të përzier në jug të Serbisë.

Sipas dëshmive të mëhershme të qytetarëve shqiptarë të fshirë nga vendbanimi në Medvegjë, del se në bazë të këtij akti, banorëve të Serbisë me kombësi shqiptare u është marrë vendbanimi, shtetësia dhe të gjitha të drejtat socio-ekonomike, si dhe e drejta mbi pensionin e fituar me ligj. Kjo është bërë me të vetmen bazë se banorët në fjalë, një periudhë të caktuar kohore kanë jetuar në Kosovë, kanë shkuar për shërim apo edhe për arsye turistike.

Rasti tragjik i Zeqir Sinanit (78) nga fshati Tupallë i cili bëri vetëvrasje pasi që i është marrë vendbanimi i Serbisë, shtetësia dhe pensioni, vetëm se ka qenë në Kosovë për shërim, në mënyrë të drejtpërdrejt tregon për një aparteid të fshehur në jug të Serbisë dhe që po vazhdon edhe më tutje symbyllazi me spastrimin etnik të kombësisë shqiptare në këtë vend jugor të Serbisë.

Me rastet e fundit të shpërdorimit të ligjit nga ana e strukturave shtetërore të cilat po tregohen që janë mbi ligjin, nga e cila ka dal se njëri ka përfunduar me humbje jete, dhe se aktualisht rezulton me fshirjen e qytetarëve nga lista e banuesve në Medvegjë, si dhe me rastin e shkeljeve drastike të të drejtave themelore njerëzore dhe qytetare, i dëmtuari Ramadan Jakupi paralajmëron se do të paraqet ankesë në zyrën e Ombudspersonit, Sasha Jankoviqit, e cila në shumë raste të mëhershme u ka ikur këtyre problemeve dhe nuk është marrë asnjëherë me problematikën e fshirjes së qytetarëve shqiptarë nga lista e banorëve. /Kushtrim Jakupi/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com