Analistët: Rama nuk e ka seriozisht bashkimin shqiptar
10:00 | 13 Prill 2015

Analistët kosovarë, Dastid Pallaska, Lumir Abdixhiku dhe Blerim Latifi e quajnë joserioze deklaratën e Edi Ramës për bashkimin shqiptar.

analist-euml-t-rama-nuk-e-ka-seriozisht-bashkimin-shqiptar_hd Nga Ulqini kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të ndodhë, duke nënkuptuar këtu më së shumti integrimin e gjithë vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Kjo deklaratë ka ngjallur reagimin e Brukselit dhe të vendeve të tjera të rajonit, sidomos Beogradit, por edhe Podgoricës që nuk i qetësoi as qartësimi i qeverisë shqiptare se deklaratat e Ramës janë bërë për të theksuar rëndësinë e që ka integrimi në Bashkimin Evropian për shqiptarët. Një panel i përbërë nga pesë analistë, dhe një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, debatuan në emisionin Shqip të Rudina Xhungës, lidhur me deklaratat e fundit të Edi Ramës, Kryeministrit Shqiptar, se nëse Bashkimi Europian nuk tregohet e kujdesshme ndaj shqiptarëve, atëherë këta të fundit do të bashkohen. Mustafa Nano, madje, tha se Edi Rama as nuk beson në këto që po i thotë. Ai këtë e quan një mashtrim, sepse ai e njeh Ramën si kozmopolitan dhe aspak nacionalist. Në anën tjetër, analisti Dastid Pallaska, ka thënë se tashmë ka ikur koha e ribashkimeve të tilla. Sipas tij projekti i Bashkimit Europian është ai që duhet të na orientojë ne shqiptarëve. Lumir Abdixhiku, nga ana e tij, i ka vënë në pah se dy qeveritë jo që nuk e kanë seriozisht bashkimin shqiptar, por as nuk mund t'i kryejnë disa modifikime të thjeshta ligjore. Sipas tij bizneset e Kosovës në Shqipëri janë tërësisht të diskriminuara, madje më të diskriminuara se sa në raport me plasimin e tyre në Bashkimin Europian. Filozofi Blerim Latifi ka theksuar se për bashkimin shqiptar nuk ekzistojnë asnjë projekt serioz, përtej retorikës boshe.
Aurela Hoxha