Adaptimi i shoqërisë sonë me normat juridike
10:00 | 22 Shkurt 2019

Siç po shihet akoma në shoqërinë tonë, sistemi i rregullave juridike, morale dhe shoqërore nuk praktikohet dhe nuk respektohet denjësisht nga njerëzit, për arsye se për gati një shekull është ushtruar dhunë dhe dajak mbi ta në emër  të po këtyre rregullave. Pra, në mendjen e njerëzve është krijuar mendimi se, rregullat juridike, morale dhe shoqërore janë kundër tyre dhe zbatimi i tyre nuk është në dobi të tyre, por synon të cenojë interesat e tyre.

 

 Një grup i madh i njerëzve më shumë preferojnë të zbatojnë dispozitat fetare dhe kanunore sesa ato të ligjeve në fuqi, për arsye se me dekada të tëra aty, ata dhe pararardhësit e tyre e kanë gjetur satisfaksionin shpirtërorë. 

 

Ende ekziston një dozë e madhe e mosidentifikimit të asaj se çfarë është e drejtë e çfarë jo. Prandaj në këtë situatë, krijohet një çrregullim social që ndërlidhet tërësisht edhe në segmente tjera të jetës dhe ia vështirëson punën institucioneve shtetërore për të administruar drejt dhe për të avancuar mëtej. 

 

Një tjetër anomali që ndërlidhet me këtë dukuri, është ngatërrimi i vlerave individuale me ato shoqërore. Pushtuesit e dhunshëm gjatë së kaluarës e kanë zhveshur shoqërinë nga ndjenjat publike dhe qenia njerëzore e cila është e krijuar nga Zoti si e tillë për t'u zhvilluar dhe për të mos stagnuar në nivelin që është, ka kërkuar rrugë të ndryshme për t'iu shmangur një stagnimi të tillë. Me këtë rast ka ndodhur një investim në avancimin individual të njerëzve ndërsa interesi shoqëror ose është parë si rrezik për mosavancimin individual, ose është anashkaluar në tërësi.

Shkruan:Atulla Rexhepi

Bujanoci/net

Kejvina Kthella