A ka hequr dorë Qeveria Haradinaj nga ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan – Konçul?

0

Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa para se ky i fundit të rrëzohej nga Parlamenti, në njërën nga mbledhjet e kabinetit qeveritar kishte miratuar vendimin për krijimin e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit “Autostrada Prishtinë-Gjilan- deri te pika kufitare Konçul-Dheu i Bardhë”. Madje për këtë projekt ishte shpallur edhe tenderi. Por a do ta ndalë Qeveria “Haradinaj” ndërtimin e saj?

Kryetari aktual i Gjilanit i cili rikandidon për të parin e kësaj komune është shprehur se nuk ka Qeveri që mund ta ndalë ndërtimin e kësaj autostrade. Ai këto komente i bëri në tubimin e mbajtur në Kmetoc, Verbicë të Kmetocit dhe Shillovë të Muhaxherëve.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se do të vazhdojë ta ruajë programin e investimeve në infrastrukturë, në arsim, bujqësi e shëndetësi.

Ai ka falënderuar banorët e kësaj pjese për përkrahjen, përderisa tha se “në Gjilan nuk kanë vend ata që nuk e dinë sa çerdhe publike kemi”.

Haziri pohoi se arsyeja që ka rikandiduar për kryetar të Gjilanit është që t’i ruajë projektet e mëdha shumëmilionëshe, të cilat do t’ua bëjnë më të mirë jetën qytetarëve.

“Autostrada do të kalojë përskaj këtyre fshatrave, është një rreze e madhe dhe një interes i qytetarëve. Kjo zonë do të zhvillohet jashtëzakonisht shumë me ndërtimin e autostradës. Po zotohem para juve se nuk ka qeveri që mund ta ndalë projektin më kapital të Gjilanit. Kjo është arsyeja që kam rikandiduar, që t’i ruaj investimet dhe projektet e mëdha për Gjilanin”, tha Haziri.

Në fund, simpatizatëve të LDK-së i është drejtuar edhe Ramiz Ramadani, kandidat për këshilltar komunal, i cili mban numrin 35.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com