A ishin fiset ilire “pengesë” për ekspansionizmin persian në Ballkan?

0

Në shekullin VI p.e.s., Kiri i Madh kishte bashkuar mbretërinë e medëve dhe të persianëve, duke i dhënë jetë kështu një fuqie të re politike, Perandorisë Persiane. Por, Kiri i Madh nuk u ndal me kaq: ai tentoi të shtrinte sundimin e tij edhe në qytet-shtete greke të Azisë së Vogël. Kiri ishte i mëshirshëm me popujt e nënshtruar. Për të ishte e mjaftueshëm që qytet greke dhe fenikase të paguanin haraçin vjetor, në këmbim të mbajtjes së një autonomie të zgjeruar.

Illyria map

Por, Dari I, pasuesi, vendosi të konsolidonte edhe më tej fuqinë e Perandorisë persiane. Kështu, për të fituar rezistencën e shteteve ioniane, Dari u përpoq t’i dobësonte ekonomikisht duke nënshkruar traktate me qytet-shtete fenikase. Sakaq, qytetet greke, të cilat mezi i mbijetonin masave shtrënguese të persianëve, reaguan duke mos e njohur fuqinë e mbretit të madh dhe të satrapëve të tij persianë.

Qyteti i parë ionian që u rebelua kundër guvernatorit persian ishte Mileti, në vitin 499 p.e.s. Tirani Aristagora, për të tërhequr simpatinë e satrapit të Azisë së Vogël, persianit Artaferne, i propozoi këtij të fundit një ekspeditë kundër ishullit të Nasos, ku aty prej pak kohësh ishte formuar një qeveri demokratike. Artaferne i vuri atij në dispozicion një flotë persiane, por rezistenca e ishullit ishte heroike dhe rrethimi i ishullit rezultoi të ishte një disfatë për persianët.

Atëherë Aristigora, duke parashikuar një ndëshkim ekzemplar nga ana e Darit I, menjëherë ndryshoi “pllakë” dhe ngriti lëvizjen antipersiane në qytetet greke të Ionias duke shkaktuar një revoltë në të cilën u rreshtuan lidët, karitët, qipriotët, e shumë të tjerë.

Aristigora, me në krye një grushti oplitësh, arriti të pushtonte edhe kryeqendrën e satrapit persian, Sardi. Pas këtyre sukseseve fillestare, qytetet kërkuan edhe ndihmën e qyteteve të origjinës, Spartës, Athinës, Eretrias, por spartanët e refuzuan pjesëmarrjen e tyre pasi ishin të zënë në konflikt me një tjetër qytet rival të tyren, Argosin. Mësojmë se vetëm Athina dhe Eretria dërguan ndihma, të cilat u limituan në një flotë të përbërë nga 25 anije.

Përgjigja e Darit ishte tepër e fuqishme. Ai u përball me rebelët në tokë dhe në det, duke i mposhtur të gjithë, por ai nuk u ndal me kaq: shkatërroi me zjarr dhe hekur të gjithë Ionian. Zbulojmë se qyteti i Miletit u shkatërrua deri në themel më 494 p.e.s. dhe banorët e tij, që kishin treguar rezistencë kundër persianëve, u shpërngulën dhe u shitën si skllevër. Qytetet e tjera rebele u detyruan të dorëzonin armët dhe mjete të tjera të luftës. Ata dorëzuan gjithashtu të gjitha anijet.

Pikërisht në këtë moment deliri dhe fitoreje, mendimi i Darit I, për t’u zgjeruar në Perëndim, filloi të maturohej. Por, për të nisur një pushtim drejt Perëndimit, Darit i nevojitej një njohje e mirë e territoreve, por kjo gjë nuk përbente shqetësim. Mbreti i Mbretërve e kishte gjetur zgjidhjen.

Aty nga fundi i shekullit VI p.e.s., Dari urdhëroi Skylaksin, një gjeograf dhe historian grek nga Karianda e Karisë, të ndërmerrte një udhëtim eksplorues në Evropë, Azi, Afrikë dhe në Indi. Mund të themi se vepra e tij, e ndihmuar edhe nga dikush tjetër në përshkrimin gjeografik, paraqitet me shumë interes.

Aty nga fundi i shek. VI p.e.s., Dari I avancoi me një ushtri të madhe nga Kerkonezi në drejtim të grykëderdhjes së Danubit, duke nënshtruar kështu të gjitha fiset trake që gjente në kalimin e tij: tinët, odrizët, shirmiadët dhe nipseit.

Mësojmë se një ushtri e madhe skite e ardhur nga viset veriore të Trakisë, bëri që Dari të tërhiqej me një pjesë të vogël të ushtrisë. Pjesa tjetër qëndroi në Traki, nën komandën e Megabazit, komandant persian. Brenda pak kohësh satrapi i Darit arriti të nënshtronte të gjitha qytetet bregdetare trake, si dhe fiset që banonin afër tyre. Më saktë, deri në brendësi të territorit të fiseve ilire të paionëve.

Për të kuptuar më mirë qëllimet e persianëve ndaj këtij territori, më poshtë po sjellim një kronikë të Herodotit: “Ata që u pushtuan në Evropë prej persëve, në kohën e Darit, sundoheshin nga Megabazi. Një ngjarje në të cilën qe dëshmitar Dari, bëri të lind te ky mbret dëshira për të urdhëruar Megabazin që t’i shpërngul paionët e Evropës në Azi. Pirgesi e Mantyesi, të dy paionë, donin të bëheshin tiranë të paionëve. Menjëherë pasi Dari u kthye në Azi, ata shkuan në Sardë bashkë me motrën e tyre dhe duke gjetur rastin kur ky mbret qëndronte në lagjet e jashtme të qytetit të lydëve, ata e zbukuruan sa mundën më shumë motrën dhe e dërguan për të mbushur ujë. Ajo mbante një shtam në kokë, tërhiqte një kalë për kapistali, të cilin e kishte lidhur pas krahut dhe tirrte li. Dari, kur e pa këtë që po kalonte, i tërhoqi vëmendjen pasi ato që bënte ajo nuk i kishin zakon gratë e Persisë, Lydisë, ashtu edhe të pjesës tjetër të Azisë. Për këtë arsye, kur e pa urdhëroi disa nga rojet e tij ta ndiqnin dhe të shikonin çdo të bënte me kalin e saj….

Dari i habitur nga të dhënat e rojeve të tij, dhe nga ajo që kishte parë vetë, kërkoi që ta sillnin tek ai. Kur ajo erdhi para Darit, vëllezërit e saj që po i vërenin të gjitha këto nga një vend i afërt, u paraqitën edhe ata. Kur Dari i pyeti mbi vendin e tyre, të rinjtë ju përgjigjën se ishin paionë dhe se ajo ishte motra e tyre. Mbreti e pyeti përsëri pse kishin ardhur në Sardë, çfarë njerëzish ishin paionët dhe në cilin vend të tokës banonin. Ata i thanë se kishin ardhur për t’i shërbyer atij, se Paionia me qytetet e saj gjendej në brigjet e Strymonit dhe se ky lum nuk ishte shumë larg nga Hellesponti, dhe se ishin me prejardhje teukrase dhe koloni e trojanëve”.

Kjo qe përgjigja për çdo njërën prej pyetjeve të tij. Ai donte të dinte akoma nëse gratë e këtij vendi ishin të gjitha kështu punëtore si motra e tyre.” (Herod. V. 1.12)

A thua që Mbreti i Mbretërve të interesohej për territorin e paionëve vetëm se gratë ishin punëtore? Çfarë kërkonte të dinte më tepër ai? Çfarë ofronte territori i paionëve për persianët?

Pavarësisht se ky territor mund të përdorej si bazë për ekspansionizmin persianë në Ballkan, ky vend ishte mjaft i pasur me metale.

Më poshtë po citojmë autorin antik, Aristotelin: “Për Paioninë thonë se kur bien shira të vazhdueshëm, në tokën e zbutur gjendet i ashtuquajtur ar i padjegshëm. Flitet se toka në Paioni është aq e pasur me ar, sa shumë vetë kanë gjetur copa ari më të rënda se një mna” (Aristot. De mir. Ausc 833 b, 45)

Pra, siç citohet më sipër, nuk bëhet fjalë për gra punëtore, por për pasuri minerale. Sipas Herodotit, “atëherë Dari i shkroi Megabazit të cilin e kishte lënë në Traki, si komandant të një pjese të ushtrisë së tij, që t’i shpërngulte paionët nga tokat e tyre dhe t’i sillte tek ai së bashku me gratë dhe fëmijët…

Megabazi, pasi lexoi letrën, zgjodhi dhe mori njerëz nga Trakia për t’i treguar rrugën dhe marshoi me ushtrinë e tij kundër Paionisë. Paionët, si e morën vesh se persët po marshonin kundër tyre, u përgatitën që t’i zmbrapsin dhe shkuan me të gjithë forcat e tyre në brigjet e detit duke menduar se andej do sulmoheshin. Por, Megabazi kur mori vesh se ata ruanin shtigjet nga ana e detit, duke menduar se andej do sulmoheshin, kaloi në ndërmjetësinë e tyre, papritmas, dhe para se ata të kujtoheshin i pushtoi me lehtësi të madhe, aq sa nuk u gjend njeri për t’i mbrojtur.

Paionët, kur mësuan se qytetet e tyre ishin në duart e armikut, u shpërndanë duke u kthyer në tokat e tyre. Pra, ju dorëzuan persianëve. Kështu, një pjesë e paionëve, d.m.th. siriopaionët, paioplajt dhe ata që zinin atë pjesë të vendit që arrinin deri te Liqeni i Prasias, u dëbuan nga vendbanimet e tyre dhe u dërguan në Azi. Ndërsa, paionët e rretheve të malit Pangajonë (doberët, agrianët, odomantët) dhe paionët e Liqenit të Prasias, Megabazi nuk i nënshtroi dot? (Herod. V. 1, 12, 13,14,15,16)

Arsyeja?

Natyrshëm lind pyetja: Pse Megabazi nuk arriti të nënshtronte të gjithë fiset ilire të paionëve? Mos vallë ata kishin luftuar heroikisht kundër ushtrisë persiane?

Ndonëse Herodoti, nuk përmend fjalën “luftë” apo “betejë”, mund të hamendësojmë që në krah të paionëve të ishin rreshtuar të tjera fise ilire: taulantët, dardanët, enkelejtë të cilët luftuan bashkërisht kundër forcave persiane. Në këtë kontekst vlen të përmendet mendimi i W. Pojakowskit (Kuvendi i Studimeve Ilire. Vëll I Tiranë 1974 f. 338): “(Në shek. V p.e.s) kemi të bëjmë me një epërsi luftarake të fiseve ilire, në veçanti të enkelejve, se kjo hegjemonie pati ndikim nga lidhjet me luftërat greko-persiane”.

“Për sa i përket paionëve, ilirëve dhe të fqinjëve në përgjithësi”, shkruante Demosteni, “duhet besuar se për ta është më e kënaqshme të jenë të pavarur e të lirë se sa të jenë të nënshtruar. Janë njerëz që nuk janë mësuar të binden…”! (Demosth. Phil. I 23)

Sipas Herodotit, “persianët pas nënshtrimit të paionëve, ju drejtuan Maqedonisë. Sepse rruga nga liqeni Prasias deri në Maqedoni është shumë e shkurtër”. (Herod. V. 17)

Pra, me pak fjalë territori i paionëve shërbeu si “urë” për ekspansionizmin persian.

Si përfundim mund të themi se të gjithë autorët antikë në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthorët tregojnë për rëndësinë strategjike që kishte territori i fiseve ilire të paionëve, si dhe për rëndësinë ekonomike që ofronte ky vend për shkak të minierave të argjendit dhe të arit. Mendojmë se ishin pikërisht këto kushte të cilat bënë që ky territor të ishte tejet i lakmuar nga persianët, më pas nga maqedonasit, grekët, keltët, romakët, sllavët dhe në fund osmanët.

Ajo që vlen të theksohet është se persianët nuk arritën dot të depërtonin në brendësi të territoreve ilire. Në pamje të parë ndoshta për shumë njerëz kjo dëshmi duket e parëndësishme, por duke u fshirë kështu copëza të historisë të paraardhësve tanë, lind e drejta të predikojmë një moral të tillë që asgjë nuk mund të mënjanohet, asgjë nuk mund të përcaktohet apriori e parëndësishme dhe të gjykohet me mentalitetin që kjo apo ajo çështje e kësaj natyre përbën objekt pa rëndësi. Ato janë dhe do të ngelen pjesë e identitetit të historisë sonë. /Niko Ferro/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com