Preshevë, – Deputeti i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi e konsideron më të mirë zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe të serbëve në Kosovë se ndryshimin e kufijve.
Agjencia serbe e lajmeve FoNet e citon kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik të ketë thënë se “qasja eksperimentale” për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve do të ishte shumë e keqe dhe se duhet të vazhdojë zgjidhja e problemeve jetike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të serbëve në Kosovë.
Halimi ka deklaruar se shpallja e pritshme e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës “ka trazuar shpirtërat, prandaj sërish aktualizohet tema e mbi ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve”.
“Edhe pse ka shumë probleme të mëdha edhe të shqiptarëve në jug të Serbisë, me siguri edhe të serbëve të Kosovës, kjo nuk është zgjidhje”, ka vlerësuar ai.
Siç e citon FoNet, Riza Halimi është shprehur se “10 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, për shkak të politikës së lartë ka shumë probleme të pazgjidhura që lidhen me jetën praktike të serbëve në Kosovë”.
“Sipas të njëjtës logjikë, ose të ngjashme, nuk janë zgjidhur problemet as në Luginën e Preshevës. Marrëdhëniet e ngrira dhe të ashpërsuara ndërmjet Beogradit e Prishtinës pengojnë jetën normale të serbëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë Halimi.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Skender Destani, që është edhe kryetar i Bashkimit Demokratik të Luginës vlerëson se fjalët mbi ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve janë “ide të rrezikshme” nëse nisen nga përdorimi i forcës.
“Qëndrimi i BDL-së është se nuk ka ndryshim kufijsh, pos përmes negociatave dhe me pëlqimin absolut të të gjitha palëve. Por çfarëdo ndryshimi kufijsh seriozisht do të mund të rrezikonte paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, sepse mendoj se kjo do të mund të reflektohej para së gjithash në Bosnjë”, ka deklaruar Destani.
Partneri i tij i koalicionit dhe zëvendës në postin e kryetarit të komunës së Preshevës, Orhan Rexhepi, vlerëson se Serbia është “jo kryesori, por problemi i vetëm i rajonit dhe deri sa të mos zgjidhet problemi i Luginës së Preshevës ajo do të mbetet ai problem”.
“Në Preshevë nuk flasim për ndarjen e Kosovës, por për ndarjen e Serbisë. Më 1992 kemi mbajtur referendumin për bashkimin me Kosovën, më 2000 e 2001 kemi hyrë në luftë për t’iu bashkuar Kosovës dhe rezultatet e këtyre dy ngjarjeve përfundimisht duhet të realizohen”, citon FoNet









Komentet e fundit.