Si n’tokë t’babës

Si n’tokë t’babës

Na u mbush fusha plot dervishë, ose na u mbush mali plot me rrush, janë vargje të folklorit tonë popullor, të cilat veç e veç kanë rrëfyer përtej dervishëve dhe përtej rrushit. Dhe përtej këtyre, jo fusha e malit, por fusha e Kosovës, burra dhe trima nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, që kanë shitur ose jo, por që kanë braktisur Serbinë në jug, apo siç ju pëlqen atyre të thonë Kosovën Lindore,  janë kurulldisur në Fushën e Kosovës, që është krejt e ngjitur me kryeqytetin. Askush as në Kosovë e as në Serbi nuk e di, sesa njerëz kanë ardhur nga Serbia në Kosovë dhe sa njerëz kanë blerë shtëpi e katandi në Kosovën një pëllëmbë, e cila nuk po u del boll as njerëzve që ka.
Qytetarët shqiptarë të jugut të Serbisë kanë marrë me vete vetëm pasaportat e Serbisë, të cilat janë disi më të “fildishta” sesa ato të Kosovës, sepse me to edhe mund të vijnë në Kosovë e të blejnë çfarë t’u dojë qejfi dhe mund ta shëtisin edhe dynjanë.
Në Preshevë ose në Luginën e saj ata kanë lënë vetëm llafet patriotike se do ta mbrojnë pëllëmbë për pëllëmbë “tokën e gjishit” me “martinën e gjishit”. Atje duket e kanë lëne vetëm “zinë e pushtetit” dhe po vinë në tokën e premtuar ku akoma nuk ndihet dora e pushtetit.
Por lufta dhe konflikti i Preshevës tashmë janë harruar dhe haraçin e kësaj lufte të humbur po e paguan Kosova, duke u ngushtuar me tokën e saj pëllëmbë për pëllëmbë, sa nga vëllezërit në Preshevë, sa nga ata nga Maqedonia. Edhe për të parët, edhe për të dytët, Kosova është bërë si Jerusalemi për arabët, pronësinë mbi të cilën e kanë të gjithë, por gjithnjë e më pak kosovarët.
Dhe ndërsa preshevarët bash si nëpër këngë “ku shkun preshevearët pse n’Preshevë nuk rrinë”, ata po dynden në Kosovë, pa e marrë tokën e tyre me vete, por me gjasë duke e lënë që një pjesë e vockël e saj, që të bëhet pjesë e një pazari të cilin tash për tash nuk po e do askush.
Serbët thonë “e kujt është tufa, i tij është livadhi”, dhe livadhi përtej Ibrit tashmë është tufëzuar shumë dhe vështirë që agallarët e Prishtinës do të mund ta kthejnë këtë livadh në pronësi të tyre.
Janë të bukura frazat për tërësinë territoriale të Kosovës kur ato dalin nga goja e qeveritarëve. Janë po kaq të bukura kur këto fraza edhe më të zjarrta madje, dalin nga goja e opozitës, se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm. Prandaj edhe zërat që mund të flasin ndryshe tash janë krejt të paktë, sepse politika në Prishtinë nuk lëshon pe, ani se gjërat në terren mund të ndryshojnë përditë e më shumë.
Është krejt e natyrshme kur lidershipi në Prishtinë nuk do të diskutojë as për shkëmbim territoresh as për kufij, as për sovranitet, as për pavarësi, as për asnjë gjë që do të duhej të ishte 100 % e Kosovës, bash si RTK-ja. Por sa për qind e këtij territorit është 100% e Kosovës. Nëse matematikat dalin ndryshe dhe toka që është brenda kufijve nuk është 100% e Kosovës, ose të paktën nuk kontrollohet 100% prej saj, atëherë lidershipi në Prishtinë, ky që e mban pushtetin apo ata që pretendojnë ta marrin, të mos bëhen pjesë e një “orkestre tupanxhish” dhe të dinë të thonë se nuk janë vetëm serbët që mund të thonë “i mi konju za trku imamo”, por se edhe politika shqiptare mund të ketë “atllarët e vet”. Nuk mjafton të thuhet se me ide të tilla do të hapej Kutia e Pandorës dhe se do të shkaktohej “efekt domino”, sepse këto janë shumë dhe asgjë.
Ka disa mijëra kilometra katrorë tokë dhe disa qindra mijëra njerëz që sot jetojnë në tokën e tyre përtej kufijve të Kosovës dhe se ata do të donin fort që të jetonin nën firmën e shtetit të Kosovës. Prandaj ideja e shkëmbimit të territoreve do të dilte  “kapuç me mëngë” për të gjithë ata që mendojnë ta shtyjnë atë në dëm të Kosovës. Sa pak është kur ide të tilla kundërshtohen vetëm nën firmën e Planit të presidentit Ahtisaari, sepse ky vend ka histori më shumë se kaq, e që mund të kthehet sa herë të tjerët provojnë që thikën ta ngulin më thellë në asht. Ndoshta dikush do të fillojë të flasë shqip edhe për tokën e premtuar që po e blejnë e po e fusin n’pazar pa hanxhinë.

Faleminderit për rekomandimin

Shkruan: Muharrem Nitaj

This post was written by:

Visar Nuhiu - who has written 767 posts on www.Bujanoci.Net – Te gjithëve na bashkon.


Contact the author

Comments are closed.

Forum

Radio Bujanoci.Net

 

Kalendari

Shtator 2010
h m m e p s d
« Gus    
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930