150 milionë njerëz përfituan nga dërgesat e emigrantëve evropianë
10:02 | 16 Qershor 2015

150 milionë njerëz në gjithë botën janë ndihmuar nga dërgesat e punëtorëve imigrantë në Evropë.

Vitin e kaluar emigrantët kanë dërguar në vendet e tyre një shumë prej 109.4 miliardë dollarësh. Këto statistika i ka bërë publike Fondi Ndërkombëtar për Zhvillim të Agrikulturës (IFAD). Në studimin e tyre thuhet se dy të tretat e kësaj shume janë dërguar në vendet në zhvillim, kryesisht në Azi dhe Afrikë. Pjesa tjetër, një e treta, është dërguar te farefisi brenda në Evropë, nga Rusia dhe Evropa Perëndimore, kah vendet e varfra të Evropës Lindore. Vlerësohet se brenda Bashkimit Evropian, 63.7 miliardë dollarë janë dërguar në vendet e tyre nga imigrantët, gjatë vitit të kaluar, që është shumë e barabartë me buxhetin e plotë të BE-së për ndihma. 10 vende të Bashkimit Evropian janë në mesin e atyre që marrin më së shumti remitenca, përfshirë Hungarinë, Poloninë dhe Rumaninë. Rusia, që klasifikohet si vend evropian, e jo aziatik, është shteti kryesor “dërgues” në rajon. Ky studim i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillim të Agrikulturës (IFAD) është i bazuar në të dhënat e Bankës Botërore.
Françeska Jaçe