21 Pri, 2013 - 10:04
Nuk ka komente

danajKryetari I Listës për Shqipëri natyrale, Koço Danaj e konsideroi të dëmshme për çështjen shqiptare dhe me pasoja të rënda për paqen në rajon marrëveshjen prej 15 pikash midis Beogradit dhe Prishtinës.

Sipas Danajt, politikanë të lartë të qeverisë së Kosovës, deklarojnë se marrëveshja me Serbinë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

 

“Politikanë të larte nga Tirana dhe Shkupi nxituan ta përshëndetin këtë marrëveshje. Të gjithë këtë e konsiderojnë fitore. Por kushdo që lexon Kushtetutën e Kosovës, e kupton qartë se Marrëveshja me Serbinë është totalisht kundër Kushtetutës së Kosovës. Marrëveshja me Serbinë bazohet në Ahtisaari Plus, bazohet në 6 pikat e Ban Ki-moon, bazohet pjesërisht në marrëveshjen nazifashiste Ciano-Ribentrop e cila ndau Mitrovicën në vitin 1941. Edhe ata që e pranuan këtë Marrëveshje, edhe ata që e përshëndetën atë, treguan se kanë rënë “në gjunjë” para Beogradit”, ka deklaruar Danaj për shqiperianatyrale.com.

 

Danaj numëron disa fakte kundër marrëveshjes

 

“Në marrëveshje thuhet se bashkësia serbe e katër komunave do të ketë president, parlament, shef policie, Gjykate Apeli etj. Ndërsa në Kushtetutën e Kosoves, neni 59 “Mbi te drejtat e minoriteteve”, në nën pikën 14 thuhet se ato “kanë të drejtë: të themelojnë shoqata të kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe shoqata të studiuesve e shoqata të tjera për shprehjen, avancimin dhe zhvillimin e identitetit të tyre”. Kushdo që ballafaqon Marrëveshjen me Kushtetutën e kupton se është shkelur me të dyja këmbët Kushtetuta”.

 

“Në Kushtetutën e Kosovës thuhet se Kosova është shtet unitar. Ndërsa Marrëveshja me Beogradin legalizon ndarjen e njërit prej qyteteve kryesorë të Kosovës siç është Mitrovica. Mitrovica e veriut shkëputet nga pjesa e jugut dhe bashkohet me Bashkësinë serbe të katër komunave të veriut. Asnjë nen I Kushtetutës së Kosovës nuk justifikon 15 pikat e Marrëveshjes. Thjesht kemi të bëjmë me një mashtrim për shqiptarët dhe me gjunjëzim para Beogradit”.

 

Danaj vazhdoi duke thënë se “për ata që e kanë ndjekur në vazhdimësi problemin e Veriut të Kosovës, për rata që njohin Marrëveshjen e Kumanovës, që njohin bisedimet e Vjenës, që njohin dëshmitë e ish-administratorit Bernard Kouchner, të ish-Komandantit të KFOR Reinhardt e kanë të qartë se kjo Marrëveshje që krijoi ‘Berlinin lindor dhe perëndimor’ në Kosovë duke ndarë Mitrovicën, kjo ka qenë në mënyrë figurative si Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar, për të cilën politika shqiptare nuk bëri asgjë për ta ndalur”.

 

“Mjafton dëshmia e Reinhardt për ta vërtetuar. Ja se çfarë thotë ai gjatë vizitës në Kosovë: ‘Ndarja e Mitrovicës erdhi si pasojë e politikës ndërkombëtare,ndërsa unë si ushtarak ndonëse tentova ta hapë dy herë Kutinë e Pandorës për ta zgjidhur këtë problem nuk isha i fuqishëm për ta parandaluar këtë’. Mjafton libri i Bernard Kochhner ‘ Luftëtarët e Paqes’ ku midis te tjerash thotë: ‘Kur shkova me komandantin e KFOR Reinhardt dhe i kërkova komandantit francez të KFOR në veri të Kosovës që të hiqte rojet serbe të Urës së Ibrit, ai mu përgjigj: Për këtë çështje, unë nuk marr urdhra nga ju, por nga ministri im i mbrojtjes’”.

 

“Politikanët shqiptarë e kishin ditur, por ia fshihen popullit ndarjen e Mitrovicës, krijimin e nje Republike Sërpska në Kosovë. Ata nuk bënë as më të voglën përpjekje për të mos e lejuar copëtimin e Kosovës, as në Prishtinë, as në Tiranë dhe as në Shkup”.

 

Sipas Danajt, me nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, më përgëzimet e Tiranës dhe Shkupit për këtë marrëveshje, politika mbarëkombëtare shqiptare tregoi në thelb se është “gjunjëzuar” para Beogradit dhe lobit proserb të Brukselit.

 

“ I takon Parlamentit të Kosovës të mos e pranojë atë dhe në fund, i takon shqiptarëve ta refuzojnë atë dhe të mos lejojnë zbatimin e saj. Me këtë Marrëveshje, Brukseli krijoi edhe një vatër tjetër krize në rajon, krahas Bosnjës dhe Maqedonisë. /BujanociNet/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe perdorimi i gjuhes ofenduese. Bujanoci.Net mban te drejten e publikimit ose jo te nje komenti te caktuar. Permbajtja e komenteve nuk pasqyron, qendrim editorial te redaksise se portalit Bujanoci.net . Ju faleminderit per mirekuptimin!